Bare dhe Lenjani përplaseshin, ka lojtarë jashtë rolit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2021 | 19:40

Bare dhe Lenjani përplaseshin, ka lojtarë jashtë rolit

NEPTUN BAJKO

neptun bajko

Ishte një fitore e merituar, por një ndeshje që gjithsesi lë disa dilema të mëdha për të ardhmen. Përballë një kundërshtari modest ekipi ynë në 45 minutat e para u mundua ta zotëronte si topin, ashtu edhe hapësirat, duke e bazuar lojën në një qarkullim të vazhdueshëm të topit, por pa një zgjidhje konkrete dhe pa një ide të qartë për golin.

Në pjesën e parë ra në sy sidomos loja e ekipit në krahun e majtë. Për fat të keq, u përsërit edhe një herë ngatërrimi i detyrave midis Lenjanit dhe Bares. Të dy lojtarët luanin në të njëjtin rol, gjë që nuk është e mirë.

Manaj Lenjani

PËRPLASJE ROLESH…

Në qoftë se do të kërkohej një mjet për të zhbalancuar më tepër mbrojtjen, duhej që pa dyshim anësorët të dilnin më shpejt dhe më shpesh në fundore. Kjo nuk u bë, madje në shumë minuta të pjesës së parë u aplikuan krosime dhe topa të gjatë në qendër të mbrojtjes, ku as Broja dhe as Manaj nuk ishin të gatshëm për të bërë dyluftime. Kështu që, mbrojtësit vendës e kishin më të lehtë për ta larguar rrezikun.

Çdo gjë ndryshoi në pjesën e dytë ku zëvendësimet e disa lojtarëve i dhanë ekipit frymëmarrje. Pati lëvizshmëri me top dhe pa top. Uzuni dhe Roshi vepruan shumë drejt, po ashtu edhe vendosja e qartë e Bares në qendër të mesfushës, i cili ishte një nga lojtarët më të mirë, i dha lojës një pamje tjetër. Bare duhet të luajë vetëm në qendër sepse ka një vizion të qartë loje dhe bën të mundur me pasimet e tij vertikale dhe në anësore që manovra sulmuese të jetë më e shpejtë dhe më pak e lexueshme për kundërshtarët.

PA PLAN NGA GODITJET STANDARDE

Është shqetësuese që Shqipëria nuk ka asnjë plan me goditjet e këndit dhe nuk gjuan asnjëherë portën, megjithëse ekzekutoi 16 të tilla kundër një skuadre si San Marino.

Dihej që në këtë ndeshje do të kishte një numër të madh të goditjeve nga këndi, por përveç nja dy improvizimeve tejet modeste, nuk pashë asgjë të mirëmenduar dhe të përgatitur më parë. Në futbollin e sotshëm goditjet nga këndi, ashtu si edhe faullet rreth zonës së rreptësisë janë variante taktike që sjellin ndryshimin e lojës dhe të rezultatit. Pra, në këtë aspekt mbetet të punohet më mirë.

Uzuni kombetarja

PSE NUK BIND SKUADRA

Duhet një analizë e hollësishme për të parë gjithë ecurinë e kësaj kombëtareje. Jo vetëm në këto tri ndeshjet kualifikuese të Botërorit, por edhe në ndeshjet e mëparshme. Konkluzioni im se përse ekipi kombëtar nuk po na dhuron kënaqësi ka të bëjë me ndryshimet e shpeshta në mesin e fushës dhe ndryshime të tepruara në sulm. Që ta shpjegojmë qartë: lojtarët nuk njohin sa duhet cilësitë e njëri-tjetrit. Ata nuk arrijnë dot të bëjnë kombinime, sepse ka lojtarë që e duan topin në këmbë, por ka edhe që e duan topin në hapësirë.

Nëse nuk e njeh sa duhet shokun e skuadrës, atëherë gabon në mënyrën se si i shërben atij. Gabon në pozicion dhe në kohë. Kjo sjell sterilitet në fazën sulmuese dhe nervozizëm në fazën mbrojtëse sepse e humb topin shpejtë. Së dyti, mendoj se ka një problem edhe me skemën që po përdoret. Le të jemi të qartë: nëse krijojmë superioritet numerik në një repart në dëm të reparteve të tjera, kjo asnjëherë nuk të jep sigurinë e një loje kombinative, tërheqëse dhe efikase.

Shikoni me vëmendje: ne luajmë me tre mbrojtës të mirëfilltë në qendër dhe ata bien shumë në sy, për mirë kuptohet, sepse janë në rolin e tyre. Po në mesfushë? Shpesh spostojmë aty ose mbrojtës krahu të cilëve u kërkojmë që të bëjnë sulmuesin anësor, ose spostojmë lojtarë fizikë me tipare mbrojtëse dhe u kërkojmë të organizojnë lojën e të jenë kreativë. Rrjedhimisht ata nuk bëjnë mirë as të parën dhe as të dytën dhe shkaktojmë një dëm të dyfishtë: lëmë sulmin pa shërbimet e duhura dhe nuk u marrim më të mirën lojtarëve që kemi hedhur në fushë, sepse ata janë jashtë rolit të tyre.

Kështu që, jam i mendimit se Shqipëria duhet të vendosë fillimisht lojtarët në pozicionet natyrale dhe më pas të shohë se cili është më i miri. Duke bërë eksperimente të tilla dhe duke u kërkuar vazhdimisht detyra që nuk i bëjnë dot 100%, Shqipëria bëhet kaotike si në fazën sulmuese, ashtu edhe në atë mbrojtëse. Shembulli më i mirë ishin Roshi dhe Uzuni që na treguan sot se mund të luajnë shumë si sulmues krahu dhe nuk është nevoja të bëhen shpikje me mbrojtës në ato pozicione.

PANORAMASPORT.AL

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"