Bajrami bën diferencën, duhet kujdes me Brojën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2021 | 20:56


Bajrami bën diferencën, duhet kujdes me Brojën

Nga NEPTUN BAJKO

neptun bajko

Ekipi pasqyroi lojë të mirë dhe treguesit ishin pozitivë në çdo repart. Në tërësi skuadra tregoi se humbja në Poloni vetëm kështu mund të harrohej.

Shqiperia

Nuk ishte e thjeshtë të fitohej pas asaj disfate të hidhur dhe ajo që mendohej se mund të frenonte lojën e Shqipërisë, presioni psikologjik pra, lojtarët dhe stafi e kaluan me sukses. Po, sepse skuadra e kaloi shumë shpejt stresin që ngërthen në vetvete një ndeshje pas një humbjeje të hidhur.

EFEKTI “BAJRAMI”

Një faktor që e lehtësoi ngarkesën psikologjike të Shqipërisë dje ishin veprimet dhe lëvizshmëria me top dhe pa top, me shumë inteligjencë e Nedim Bajramit. Kombinimet e tij me shokët në 10-15 minutat e para entuziazmuan skuadrën, por edhe publikun.

Bajrami

Duhet thënë se publiku është një element që i ka munguar shumë Kombëtares sonë gjatë gjithë këtyre muajve. Por, për t’u rikthyer te loja, mua më pëlqeu shpejtësia e veprimit dhe e mendimit e Bajramit. Ishte një lojtar që pozicionohej shumë më pranë dyshes sulmuese dhe shfrytëzonte mirë hapësirat boshe.

Bashkëpunimi i tij me Gjasulën dhe Dokën, duke marrë parasysh që ishte ndeshja e parë, më la përshtypje shumë të mira. Kjo e vuri edhe Hungarinë në pozita jokomode, sepse ndoshta nuk ishin përgatitur për impaktin e tij në fushë. Prandaj, duhet ta themi se Bajrami e ngriti nivelin e rolit ku luan.

PROBLEMET NË SULM

Më së pari duhet të themi se është gjë e mirë që skuadra krijon shumë raste. Kur nuk shënon dot, është më mirë të krijosh shumë raste sesa të mos krijosh fare. Shqipëria krijoi raste të mira, por nuk i shfrytëzoi si duhet. Kjo ndodh sepse lojtarët tanë nxitohen në momentin final.

Broja festa

Edhe mënyra e goditjes drejt portës në disa raste tregoi se në këtë aspekt duhet punuar më mirë. Duhet të bëhen kombinime në stërvitje dhe në kushtet e lojës, sepse unë mendoj që sulmuesit tanë më tepër e kanë mendjen të mbrojnë dhe të mos gabojnë sesa të kenë dëshirën për të shënuar. Duhet t’i lëmë më të lirshëm.

KUJDES ME BROJËN

Mua Broja më pëlqen si lojtar dhe e tregoi potencialin që ka. Nuk është ky diskutimi për të, por është diçka tjetër që ka të bëjë me menaxhimin e dy elementeve: së pari, duhet trajtuar me kujdes një djalë i ri me potencial të madh. Nëse ai është në formë, atëherë ai duhet të ketë shansin e tij.

Broja duke festuar golin ndaj Hungarisë

Ndonjëherë fati dhe futbolli të krijojnë atë mundësi të kushtëzuar që të shikosh nga afër lindjen e një talenti dhe përpunimin e tij maksimal në shërbim të ekipit. Por është edhe ana tjetër e medaljes: ne kemi Cikalleshin, Balajn, Manajn, Uzunin, Roshin dhe ndonjë tjetër… Dalja në skenë e Brojës me këto të dhëna të jashtëzakonshme do të shtojë jo vetëm konkurrencë në ekip, por mund të hapë edhe probleme të tjera që kanë të bëjnë më ekuilibrat dhe harmoninë, ndaj duhet pasur shumë kujdes në trajtimin e tyre.

MBROJTJA DHE KRAHËT…

Mbrojtja nuk vuajti sa me Poloninë, sepse presingu i hungarezëve nuk ishte shqetësues, por edhe sepse ata nuk kishin një Levandovski që trazon ujërat dhe të ndëshkon kur nuk e pret. Mbrojtja zhvilloi një ndeshje të mirë përgjithësisht, por diçka në aspektin e shpejtësisë së veprimit mund ta përmirësojnë.

Dua ta theksoj se roli i Gjasulës para mbrojtjes, loja e tij e thjeshtë pa teprime dhe vertikalizimet e tij e ndihmojnë shumë prapavijën që të jetë më e organizuar dhe të lexojë më mirë aksionet kundërshtare. Gjithashtu, Doka dhe Trashi punuan mjaft mirë në aspektin mbrojtës deri në momentin kur Doka filloi të bënte aventura në drejtim të sulmit e u lodh. Ia sugjeroj që të jetë më i kujdesshëm.

PANORAMASPORT.AL



Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/