Skënderbeut i mungoi përvoja, shumë diferenca atletikisht

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2017 | 14:26

Skënderbeut i mungoi përvoja, shumë diferenca atletikisht

LUAN PINARI

 

pinariIshte një ndeshje e mirë në pjesën e parë. U mbyll në favorin e Skënderbeut me meritë të plotë, pasi korçarët administruan mirë forcat dhe luajtën me siguri të plotë si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm. Por treguan se nuk janë ende gati psikologjikisht që të përballojnë një kundërshtar të këtij niveli.

PJESA E PARË

Qarkullim i mirë i topit, manovra të sigurta në mesfushë dhe Soue, një lojtar që është përshtatur shpejt, por ka edhe një potencial të mirë. Pra, ishte një ekip i harmonizuar. Natyrisht, në ndonjë moment pati edhe fat, por nuk i mohohet cilësia dhe loja që zhvilloi Skënderbeu.

dinamo kiev skenderbeu radas shehi mbokani

Më pëlqeu zgjedhja e Dajës për të vendosur Ditën titullar dhe jo Gavazajn në një ndeshje si ko. Dita është një lojtar i fortë fizikisht dhe shtatlartë. Përveç kësaj, Gavazaj është ndër të paktit lojtarë që mund të hyjë nga stoli edhe t’i japë ritëm tjetër ndeshjes. Gjithnjë llogaritë ishin bërë që rezultati të mos thellohej aq shumë që në fillim të pjesës së dytë.

PJESA E DYTË

Në pjesën e dytë skuadra e Skënderbeut pati një 5 minutësh të errët. U gabua në shumë aspekte. Aty u pa qartë se Skënderbeut i duhet një eksperiencë tjetër për kundërshtarë të tillë. Korçarët më krijuan përshtypjen se pas golit të Muzakës, as vetë nuk po e besonin se ishin në avantazh në shtëpinë e Dinamos së Kievit.

Ndoshta u futën në dhomat e zhveshjes duke e konsideruar veten të barabartë, por nëse ka ndodhur kështu, kanë gabuar. Përveç kësaj, pësuan një gol të shpejtë dhe më pas nuk ditën më të menaxhonin presionin, që krijohet në të tilla situata. Pra, tjetër sjellje duhet të kesh kur je duke fituar dhe tjetër kur ekipi rival të ka barazuar.

Skënderbeu ende nuk e ka fituar një eksperiencë të tillë, pra, që të dijë të menaxhojë edhe situatat pasi e kanë barazuar. Ajo është mjeshtëri më vete dhe është cilësi e ekipeve të mëdha. Pikërisht për këtë arsye, pra, sepse nuk diti të menaxhojë pësimin e golit të parë, pësoi edhe të dytin.

GABIMET

Duhet ta themi, se në kompleks, Skënderbeu nuk u paraqit aspak keq në planin teknik dhe atë taktik. Por përtej pjesës psikologjike, mendoj se u bënë edhe gabime taktike. Në momentin e golit të parë mendoj se nuk funksionoi treshja e mesfushës, që pasi humbi topin, ishte vendosur keq duke e lejuar futbollistin që shënoi, të ishte i vetëm në atë pjesë të fushës.

Ndërsa golin e dytë, për fat të keq, Skënderbeu e pësoi në pikën e tij më të fortë: qarkullimin e topit. Skënderbeu një nga armët e veta ka mënyrën se si e nis topin që nga mbrojtja dhe e humbi topin në gjysmëfushën e vet, duke u kapur i papërgatitur.

DIFERENCA ATLETIKE

Shumë të mëdha. Për fatin e keq të Skënderbeut, Dinamo e Kievit jo vetëm që kishte lojtarë shtatlartë dhe me cilësi teknike të mira, por gëzonin edhe një formë të shkëlqyer fizike. Atletikisht, Dinamo ishte superiore dukshëm ndaj Skënderbeut, lojtarët e të cilit, megjithëse sakrifikuan pa masë, e ndjenë këtë diferencë, sidomos në pjesën e dytë. Gjithsesi, Skënderbeu tregoi personalitet dhe mbi të gjitha tregoi se është një skuadër që përmirësohet gradualisht.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"