Partizani “asfiksues” në start, ja ku gaboi Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2022 | 22:00

Partizani “asfiksues” në start, ja ku gaboi Tirana

Nga LUAN PINARI

PINARI

Ishte një derbi që u luajt me shumë dëshirë, por u bënë shumë gabime. Më të rëndat padyshim i bëri Tirana dhe për pasojë humbi ndeshjen. Pasiguria e Najdovskit peshoi shumë dhe duhet njohur merita e Partizanit që e sulmoi Tiranën pikërisht në pikat e saj më të dobëta: “arnimet” që kishte bërë në mbrojtje.

PRESINGU I PARTIZANIT

Ishte një gjetje e zgjuar dhe e guximshme e Partizanit për t’i bërë presing shumë lart Tiranës. Të tilla iniciativa janë të rrezikshme kur ke përballë një skuadër që luan shpejt dhe sulmuesit i ka shumë të shpejtë, sepse mjafton një gabim dhe Xhixha me Hasanin mund të ndëshkojnë. Por jo, Partizani e kishte studiuar. Ndoshta kanë pasur informacione që Aleksi do të spostohej në qendër të mbrojtjes dhe Lulaj do të ishte i djathtë. Sepse aty Tirana po vuante dhe Najdovski gaboi dy herë. Por presingu e shpërbleu Partizanin, sepse e gjeti golin shumë shpejt dhe ia kaloi gjithë tensionin Tiranës për minutat e mbetura.

PROBLEMET E TIRANËS

Kampionët shfaqën disa probleme në këtë ndeshje. Së pari ishte improvizimi në mbrojtje që nuk rezultoi i duhuri. Jo vetëm për pasigurinë që solli në prapavijë nga gabimet e Najdovskit dhe moskoordinimi i Aleksit, por edhe sepse kishte lënë një “gropë” në mesfushë. Shehi më pas mori masa dhe riktheu Aleksin në qendër, por sërish u cenua mesfusha, sepse Deliu kaloi në të djathtë të mbrojtjes. Ndërkohë, që dihet se forca e Tiranës është treshja e mesfushës Deliu-Aleksi-Kallaku.

Për pasojë mesfusha e Tiranës nuk furnizoi si duhet as sulmin. Mendoj që stonoi edhe Limaj, i cili për shkak të aktivizimit të pakët deri tani, nuk kishte gjendjen fizike për të përballuar një derbi. Problemi i fundit, por jo i papërfillshëm, ishte edhe rendimenti i Patrikut.

Praktikisht ai nuk ishte fare në ndeshje… Mendoj se arsyeja e qëndrimit të tij aq gjatë në fushë është për shkak të alternativave të pakta që mund të ketë Tirana në stol. Me kalimin e kohës repartet e Tiranës u shkëputën dhe forca goditës e saj u zbeh.

Partizani

MANGËSITË E PARTIZANIT

Partizani fitoi një ndeshje me meritë, sepse nuk është e lehtë që të mbrosh rezultatin kur ke shënuar golin që në minutën e 4-t. Më pëlqeu inkursioni i Buxhelajt në start, por edhe presioni i tyre i shkëlqyer në fillim. Shumë të shpejtë dhe këmbëngulës.

Ndërkohë, Partizani pati kohën dhe mundësitë e duhura për ta mbyllur ndeshjen. Në këtë aspekt duhej të kishte bërë shumë më mirë, sepse rezultati 1-0 është gjithnjë i rrezikshëm dhe e mban ekipin nën tension.

Në fazën sulmuese lojtarët e Partizanit duhej të kishin bashkëpunuar më shumë dhe të luanin më thjeshtë. Një tjetër gjë që Partizani duhej ta kishte shmangur dhe duhet ta korrigjojë në të ardhmen është që të mos i lejojë kundërshtarit iniciativën për të sulmuar gjithë pjesën e dytë. Duhet të guxojë më shumë dhe të luajë më thjeshtë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"