Analiza e Kategorisë së Parë/ Gafa arbitrash dhe verdikte, “vlon” gara nga Veriu në Jug

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2021 | 23:18

Analiza e Kategorisë së Parë/ Gafa arbitrash dhe verdikte, “vlon” gara nga Veriu në Jug

Mbyllet plot polemika java e 20-të në zonën “play off”. Në Veri vazhdojnë rokadat dhe akuzat, ndërsa në Jug është Egnatia që komandon mes kontestimeve. Protagonistë të padiskutueshëm ishin arbitrat, madje nga ata me stemën e FIFA-s. Enea Jorgji u bë përcaktues në Grupin B me dy penalltinë inekzistente që dha në favor të rrogozhinasve, ndërsa në Grupin A protesta pati për Olsid Feratajn.

kategoria-e-pare-1

Ishte vetë Samuel Nikaj që u shfaq i dorëzuar pas humbjes me Korabin në “Liri Ballabani” dhe shpërtheu duke thënë se ndeshjet dhe ngjitja tashmë po përcaktohen nga lart. Disi më e qetë ishte e 21–ta javë për “play out”-in, por me verdikte të rëndësishme. Turbina ka siguruar përfundimisht qëndrimin në Kategorinë e Parë, pasi mundi Flamurtarin. Ky rezultat i shkoi më shumë se për shtat edhe Lushnjës, që ishte pushim prej kalendarit. Edhe nëse i humb që të 4-ta ndeshjet që i kanë mbetur dhe vlonjatët i fiton të gjitha, kanë “bonus” përballjet direkte.

Dy fitore dhe një barazim i japin të drejtën që të mbijetojnë. Dinamo merr sërish kreun në Grupin A. Kryeqytetasit bënë detyrën përballë Vorës së vendit të 4-t, që nuk ka kurrfarë pretendimi. Një penallti e kthyer në gol prej të zakonshmit Da Silva dhe më pas Xhixhiua mjaftuan për pikët. Edhe pse miqtë ngushtuan shifrat me anë të Keqës, nuk mund të bënin më shumë. Bluve u erdhi një alamet “dhurate” prej dibranëve në fakt, që fitoi transfertën me Burrelin. Një rrjetë e shpejtë e mbrojtësit Paplekaj i nderoi në një përballje të luftuar dhe plot tension. Besëlidhja nuk mund të gabonte dy herë radhazi në këtë fazë dhe sidomos në shtëpi.

Mundi Veleçikun, duke e zhytur edhe më keq në fund dhe tashmë vetëm matematika e mban në lojë për mbijetesën. Erzeni gjithashtu ia doli përballë Partizanit B, por ende nuk ka vend për qetësi. Janë edhe shumë pikë në lojë dhe shpëtimi duket ende larg. Egnatia likuidon Tomorin në Peqin dhe shkon +7 nga rivali më i afërt, duke hedhur një këmbë drejt elitës. Dy penallti të kontestuara prej beratasve i dhanë fitoren me aromë elitë, ndërsa ai barazim i Cankës në mbyllje të pjesës së parë nuk u bëri derman. Për të qenë më e qetë drejt misionit madhor, u erdhi në ndihmë edhe Besa.

Formacioni me i mire

Kavajasit e “fikën” Pogradecin. Fituan 1-3 në “Gjorgji Kyçyku”, duke e larguar edhe skuadrën e Ardjan Abazajt nga vendi i parë me 8 pikë. Duket se tashmë ekipi i dytë që shkon në Kategorinë Superiore do të diskutohet mes Tomorit dhe Pogradecit, pasi Egnatia e ka marrë tashmë arratinë. Turbina turpëroi Flamurtarin me një “poker” golash dhe tashmë ka 13 pikë më shumë se vendi që të çon në një ndeshje shtesë për qëndrimin në Kategorinë e Parë. Vlonjatët tashmë janë pa shpresë dhe duhet të përgatiten që të luajnë një duel me ekipin fitues të “play off”-it të Grupit A të Kategorisë së Dytë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"