Analiza e Kategorisë së Parë/ Bylisi shkëputet sërish, Apolonia fut në stres Erzenin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2022 | 11:53


Analiza e Kategorisë së Parë/ Bylisi shkëputet sërish, Apolonia fut në stres Erzenin

Rikthehet Kategoria e Parë. Pas një muaji ndalesë, skuadrat zbritën në fushë. E megjithatë, jo të gjitha patën fatin që të luanin. Dëbora që pushtoi Veriun dhe Juglindjen e Shqipërisë, bëri që të shtyheshin 2 ndeshje të javës së 16- të. Korabi-Tomori dhe Pogradeci-Butrinti nuk janë zhvilluar dhe mbeten në pritje të përcaktimit të një date.

topi-kategoria-e-pare

Me stadiumet “Korabi” dhe “Gjorgji Kyçyku” që janë ende të zbardhura, mbetet e papërcaktuar edhe axhenda. Gjithsesi, emocionet nuk munguan gjatë fundjavës. Të shtunën ndodhi shumëçka. Pati konfirmime, blofe, gola, por edhe grushte. Skuadrat vinin ndryshe dhe kjo, si pasojë e hyrjedaljeve të shumta që prodhoi merkatoja e dimrit. Bylisi nuk bën shaka në nisje të fazës së dytë. Vazhdon avazin e fitoreve.

Në “Adush Muça” likuidoi Besëlidhjen dhe hero ishte i zakonshmi Qardaku.  Një gol i “bomberit” dhe ballshiotët e shohin veten të parët me 5 pikë më shumë se vendi i dytë. Lezhjanët nuk mund të bënin më shumë përballë kryesuesve. Misioni “mbijetesë” bëhet edhe më i vështirë për ta.

fort (1)

Sidoqoftë, kjo nuk ishte prova e vërtetë për të besuarit e Alban Brukës. Në Shijak ngjau befasia. Apolonia e futi në stres Erzenin. Pritshmëritë për ekipin e Nevil Dedes ishin të mëdha, por dolën huq. Ishin duke humbur, por i shpëtoi Raboshta 4 minuta nga fundi. Fierakët gjetën shpejt avantazhin me Krasniqin, por nuk ishte e thënë që të festonin. Pati edhe tension, aq sa e gjithë sfida zgjati 100 minuta. Megjithatë, fundi nuk e evitoi barazimin dramatik.

Me shumë interes pritej edhe performanca e Lushnjës. Dhe jo se përballë kishte Maliqin që mbyll tabelën, por prej transformimit që kanë pësuar nga stoli në përbërje. Ekipi i Agim Canajt nuk fali në “Roza Haxhiu”. Për 7 minuta shënuan dy gola me Xhymertin e Cankën. U mendua se Besa do të ishte dorëzuar, por jo.

U dhanë “shkelm” largimeve masive dhe treguan se me një ekip pa merkato dhe të rinj mund të fitojnë. Ishte Hyseni që vendosi, duke i kushtuar largimin e Alfred Allamanit. Trajneri e ka lënë këtë detyrë dhe vendin e tij e ka zënë direkt një ish si Sinan Bardhi. Plot halle udhëtoi Shkumbini në Pezë-Helmës, ku e priste Vora.

Me zor sajuan formacionin, pasi titullarët i kishte “kapluar” gripi. Me lojtarë të ekipit U-19 u përpoqën, por nuk e shmangën dot humbjen 3-1. Vorakët morën një trepikësh shprese dhe kjo falë dopietës së Tavanit e penalltisë së Ismailajt.

dobet

Në “Liri Ballabani” nuk pati fitues, por gola po. Saliaj shënoi i pari për Tërbunin, por mendoi Hasa që të evitonte disfatën për Burrelin. Ekipet ndanë një pikë, por në fund pati edhe një incident.

Albers Keko gjuajti me grusht Kledi Dibrën dhe kjo i kushtoi të kuqin, që me siguri do të kalojë edhe në Disiplinë.

PANORAMASPORT.AL