Analiza e ish-mesfushorit Bizi: Vllaznia favorite, s’ka vend për hakmarrje ndaj Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2019 | 23:09

Analiza e ish-mesfushorit Bizi: Vllaznia favorite, s’ka vend për hakmarrje ndaj Partizanit

Pas 16 muajsh mungesë, rikthehet në skenë Vllaznia-Partizani. Në “Loro Boriçi” këtë të shtunë do të matin forcat kryesuesit e këtij sezoni dhe kampionët në fuqi të vendit.

brikeno bizi

Dhe ky duel kujtohet me shumë nostalgji prej Brikeno Bizit, i cili ka provuar që të luajë gjatë karrierës së tij për të dyja ekipet. Ish-mesfushori i viteve ’90, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, thekson se spektakli do të jetë i garantuar, pasi më në fund kuqeblutë dhe “demat” do të luajnë për objektiva madhorë.

E quan favorizues faktorin fushë dhe tifozët, ndërsa nuk mendon se ka vend për “hakmarrje”. Sipas 47- vjeçarit, nuk ishte Partizani ai që ndikoi në rënien e shkodranëve.

Vllaznia-Partizani është në prag. Çfarë kujtoni nga kjo përballje, derisa keni provuar që të luani me të dyja skuadrat?

Kur kthen kokën pas dhe shikon si kanë qenë këto ekipe dhe çfarë kanë dhënë në futbollin shqiptar, di të them që do të jetë një ndeshje e madhe. Dhe më vjen mirë që më në fund këto dy skuadra do të përballen për objektiva të njëjtë. Kam kaluar vite të bukura te Partizani, me shumë lojtarë cilësorë, po edhe në Shkodër kam pasur periudha shumë të mira. Edhe atëherë, ashtu si sot, këto dy skuadra kishin synime për të qenë në krye. Janë ekipe që përherë kanë dhuruar spektakël dhe kanë qenë përherë pretendente.

partizani vllazniaa

Ka vend për befasi kur mendon që ekipi i sapongjitur në elitë është në krye pas 7 javëve të luajtura?

Të jem i sinqertë, nuk besoja që do të ishin në të tilla pozita. Përgatitjet i nisën me vonesë, kishin edhe probleme financiare dhe nuk mund të bindnin lojtarët e duhur në merkato. Nuk kishte pagesa të majme, siç mund të kenë disa skuadra te tjera.

Tani keni ndryshuar mendim?

Patjetër që po. Situata ndryshoi katërcipërisht dhe ecuria shkoi përtej çdo parashikimi. Ndaj, kur gjithçka shkon mirë, nuk ka si të mos jem edhe unë i gëzuar.

Besoni te vazhdimësia e Vllaznisë dhe a do të guxonit që të jepnit një parashikim për këtë 90-minutësh?

Ne të gjithë presim që Vllaznia të ketë vazhdimësi. Parashikim nuk jap dot, por di të them që do të jetë një supersfidë e vërtetë. E thashë edhe më lart, do të përballen dy ekipe me objektiva të njëjtë, krejt ndryshe nga vitet e fundit. Pozitat janë thuajse të njëjta në klasifikim, por edhe në fushë nuk kam parë disnivele. Unë pres një ndeshje të luftuar deri në fund dhe me fitues.

Luajnë në Shkodër dhe me publikun në krah. Sa favorizues janë këta dy faktorë për Vllazninë?

Normale që janë të favorizuar. Të luash me lojtarin e 12-të në krah është privilegj e për më tepër kur bëhet fjalë për tifozërinë tonë të mrekullueshme. Besimi që kanë lojtarët e stafi dhe mbi të gjitha paraqitjet në këto 7 javë, i japin më shumë shanse Vllaznisë. Por, të mos harrojmë, të tilla takime nuk lënë vend për parashikime.

Partizani u përfol shumë si skuadra që ndikoi në rënien e Vllaznisë para dy sezonesh. Është ky një shans për “hakmarrje”?

Nuk mendoj se bëhet fjalë për hakmarrje. Nuk ishte Partizani ai që ndikoi në rënien e ekipit. Vllaznia ia bëri vetë “hyzmetin” rënies. Pastaj, për të gjetur fajtorë, është e thjeshtë. Shkodranët le të harrojnë çka ndodhur dhe ta shohin këtë si një ndeshje radhe, e cila duhet fituar. Ajo që ka shkuar nuk kthehet më, prandaj edhe djemtë të mendojnë asgjë, por vetëm ta luajnë dhe shijojnë këtë takim.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"