Partizani e fitoi derbin në mesfushë, Broja është super

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2021 | 18:57

Partizani e fitoi derbin në mesfushë, Broja është super

Nga ARDIT BEQIRI

ardit-beqiri

Partizani ishte futur me frymën e duhur në fushën e lojës. Kishte motivimin e duhur. Nga ajo çka dha gjatë 90 minutave, tregoi se e kishin përgatitur mirë ndeshjen dhe nuk i lanë gjë rastësisë. Ekipi nuk pati ndryshim nga javët e tjera, dhe ndryshimi i vetëm ishte që këtë herë vetëm Melo luajti titullar. Por, dhe ai është lojtar i konfirmuar te Partizani, ndonëse hyn tek ajo kategori lojtarësh që një ndeshje luan një ndeshje jo.

Daja hodhi në fushë një ekip më ofensiv se ndeshjet e tjera, pavarësisht se rrethanat e sollën që Partizani kërkoi ta “vriste” ndeshjen në fund. Kërkoi me çdo mënyrë të shënonte edhe golin e tretë, pasi nuk mund t’ua kesh besën ndeshjeve me një gol diferencë. Në fund pati edhe panik në goditjet standarde, por kjo është e pranueshme në një derbi.

ECURIA – Ka pasur presion te Partizani dhe ka raste kur ky tension në disa ndeshje i kthehet në panik ekipit. Me Laçin ishte në avantazh, u barazuan dhe lanë pikë. Kundër Skënderbeut pastaj nuk e di çfarë emri t’i vendos asaj ndeshje. Por është e qartë se mbrojtja e Partizanit sa vjen e po përforcohet dhe kjo gjë vjen pasi po luajnë prej shumë kohësh bashkë. Po rriten në nivel personal dhe në nivel kolektiv.

Festa e Partizanit pas derbit

ÇELSI I SUKSESIT – Partizani e fitoi ndeshjen në mesfushë, sepse aty fituan të gjitha dyluftimet. Broja ka filluar të krijojë baza të forta në repartin qëndror. Daja e do një “ekran” para mbrojtjes dhe Broja është një lojtar që bën shumë punë. Ai lloj lojtari është i rëndësishëm për të gjitha ekipet. Broja është ai që quhet ” futbollisti i trajneri”, pra si Gatuzo i Milanit, si Skoulls i Mançesterit. Janë lojtarë trajnerësh, që punojnë shumë dhe janë të rëndësishëm, ndonëse nuk bien shumë në sy. Por realisht janë ata boshti i ekipit.

ÇINARI – Në planin personal, Çinari ishte i shkëlqyer. Vetëm goli i mungoi, pasi në pjesët tjera ishte perfekt. I ka rritur shumë standardet e veta, pavarësisht se të gjithë presin shumë nga Çinari, që të shënojë në çdo ndeshje. Për mendimin tim, Daja e fitoi ndeshjen në mesfushë dhe kishte aktivizuar një ekip më ofensiv se zakonisht, duke e vënë Tiranën nën presion dhe duke mos e lejuar të ndërtonte aksione me logjikë.

TIRANA, NË NJË DITË “JO” – Duhen parë të dyja anët e medaljes dhe duhet ta pranojmë se mesfusha e Tiranës ishte në një ditë ‘jo’. Batha kishte probleme fizike, Kale po ashtu. Torasa u mundua të bënte diferencën, por ai e realizon këtë kur edhe shokët e ekipit janë në lartësinë e duhur. Shokët e ekipit, ose më saktë të mesfushës nuk ishin në një ditë të mirë.

Për mendimin tim, Kale nuk e ka gjetur veten te Tirana, si në aspektin fizik, por edhe në harmonizimin e plotë me grupin. Braziliani është nga ata që bën diferencën, por kur e ndihmon edhe skuadra. Gjithsesi, është meritë e Partizanit që përfitoi dhe nga dobësitë e Tiranës.

Derbi Tirana-Partizani

SAKRIFICAT – Lojtarët e Partizanit, kanë bërë heroizëm para se të fillojë kampionati, për arsyet që dihen. Për mënyrën si Partizani e nisi kampionatin, fare mirë sot mund të ishim duke folur për një Partizan pa objektiva, as në Kupat e Europës nuk mund të luante. Me kontingjentin fillestar dhe me goditjen psikologjike që të jep mbyllja e merkatos, mund të ishte në mes të tabelës, duke luajtur kot. Por, duke parë sakrificën që kanë bërë nga shtatori deri më tani, është për të ardhur keq nëse e humbin kampionatin nga ndeshjet direkte, sepse Laçi, Teuta dhe Vllaznia edhe mund t’i mposhtin. Nëse Partizani është aty ku është, pa diskutim që është me sakrificë të madhe.

TITULLI – As tifozi më entuziast, nuk mund të thoshte në fillim të sezonit që Partizani është për titull kampion. Vetëm për hatër të sakrificës që kanë bërë, nuk duhet t’i diskutonin pikët me skuadrat e vogla, pasi nëse do të merrnin pikë të plota sot do të ishin në krye të kampionatit dhe me diferencë pikësh të shkëputur. Edhe kur Partizani del në vend të parë, ka impakt tjetër psikologjik te kundërshtarët.

Sepse rivalët do të thonë: ‘Obobo, u ngjitën këta në vend të parë…’. Fillon paniku te kundërshtarët, element të cilin Partizani di ta kthej në avantazh në mënyrë të përsosur. Por skuadra e Dajës ka edhe një bonus: Nga grupi që dolën kampion dy vite më parë, ka ende boshtin e lojtarëve që dinë si fitohet titulli dhe dinë si përballohet presioni.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"