Analiza e ish-ëve, Grima e Hasani: Nuk është finale, asnjëra nuk bie

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2018 | 23:03

Analiza e ish-ëve, Grima e Hasani: Nuk është finale, asnjëra nuk bie

Vllaznia luan një finale për mbi jetesën. Megjithatë, për të shtensionuar situatën dhe u krijuar ndoshta qetësinë psikologjike lojtarëve kanë menduar Armir Grima dhe Alban Hasani. Trajneri i Kombëtares së femrave dhe drejtori sportiv i akademisë e quajnë si një ndeshje të radhës këtë ndaj Teutës. “Po i jepet shumë ngjyra kësaj ndeshjeje, si të ishte një përballje finale, por është vetëm një takim mes dy skuadrave që kërkojnë mbijetesën”, kanë thënë mes të tjerash ata.

grima-2-653x420

GRIMA

Ish-drejtori sportiv i klubit shkodran, që për asnjë moment nuk i është ndarë edhe Vllaznisë, shprehet me nota optimiste për situatën që aktualisht po kalon skuadra. “Unë mendoj se skuadra po funksionin mirë në këtë pjesë të dytë të sezonit. Djemtë po japin maksimumin në fushën e lojës, duket krijuar edhe një vijimësi dhe për më tepër një besueshmëri për të arritur te rezultatet pozitive. Gjërat deri tani mund të themi se po shkojnë mirë. Unë e them me plot gojë se takimi me Teutën nuk është as më shumë e as më pak se vetëm një përballje e radhës. Po themi finale, por duhet që ta kemi mirë parasysh se asgjë nuk merr fund, si për mirë apo edhe për keq nga ky takim. Ka edhe shumë takime dhe shumë pikë në lojë.

Asnjë nuk sigurohet në rast se e fitojmë atë takim e po ashtu asgjë nuk mbaron për ne nëse humbasim. Prandaj edhe stafi edhe ekipi e dinë mirë se është vetëm një takim i radhës. Unë kam besimin se me këto paraqitje që po bën skuadra, mund të arrihet edhe marrja e maksimumit në këtë takim. E rëndësishme është që skuadra të mos dalë pa pikë”, u shpreh Grima. I pyetur se cili prej ekipeve të tjera rrezikon rënien, Grima përgjigjet: “Përveç Vllaznisë e Teutës, janë edhe Kamza e Flamurtari në lojë. Pozitat e të dy këtyre ekipeve janë vënë në rrezik pas takimeve të fundit. Gara do të jetë e hapur deri në fund për këto skuadra, por unë dëshiroj që Vllaznia ta mbyllë sa më shpejt që të jetë e mundur çështjen e mbijetesës”.

HASANI

Drejtori i akademisë së Vllaznisë, Alban Hasani, si një “ish” i të dyja skuadrave, evidenton se ky duel nuk i përngjan atij që u luajt vjet me Tiranën. “Nuk është një takim siç ishte ai me Tiranën, ku varej gjithçka nga një përballje. Është një ndeshje e zakonshme që nuk përcakton asgjë. Duke njohur të dyja ekipet, pasi vijoj të mbetem mik i presidentit të Teutës dhe e ndjek këtë skuadër ashtu si Vllazninë, mendoj se asnjëra nuk bie. Unë shoh Kamzën e Flamurtarin të rrezikuar shumë.

Ka shumë javë e kjo katërshe do të jetë deri në fund në luftë, por asnjëherë se mendoj as Vllazninë e Teutën të rënë. Për mendimin tim, Kazma do të shoqërojë Lushnjën”, u shpreh Hasani. Ndërsa nisur me lajmet e fundit që qarkullojnë për një largim të mundshëm të portierit të ri Alen Sherri, ai në mbyllje tha: “Unë do t’u kërkoja drejtuesve të klubit Vllaznia që të mos gabojnë me Sherrin. Ata duhet që t’i ofrojnë kontratë të mirë këtij lojtari sa nuk është vonë. Shpesh jemi kujtuar për lojtarët tanë kur i kemi parë në ekipe të tjera. Prandaj, në këtë drejtim duhet që të bëjmë kujdes”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"