Ndeshje e madhe, Skënderbeu ka shpejtësi mendimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2017 | 21:07

Ndeshje e madhe, Skënderbeu ka shpejtësi mendimi

GERD HAXHIU

 

Skënderbeu ishte befa sues me atë që bëri kundër Partizanit të Beogradit. Natyrisht, nuk ishte brilant, por funksionoi mirë ndaj njëGerd Haxhiu trajner skuadre që, dukshëm, kishte një potencial më të madh në aspektin teknik dhe fizik. U befasova nga Daja edhe me përzgjedhjen e lojtarëve, sepse praktikisht nuk kishte gabuar asgjë.

Radas, natyrisht, prishi punë, sepse korçarët humbën një pikë pasimi në prapavijë dhe u detyrua Lilaj që të bënte të gjitha pasimet që vinin nga thellësia e mbrojtjes, ndaj kjo e bëri disi të lexueshëm Skënderbeun.

Skenderbeu 2

E megjithatë, gjykoj se Skënderbeu luajti mirë. E theksoj këtë, sepse ne gati e harrojmë që Skënderbeu luan në Shqipëri, por jo në Korçën e tij. Në stadiumin e vet është ndryshe nga “Elbasan Arena”, me gjithë respektin për ata mijëra tifozë që krijuan një atmosferë fantastike.

PJESA E PARË DHE… XHEJMS

Korçarët shfaqën personalitet dhe cilësi. Qartazi u bë një ndeshje ku dueli u fokusua më së shumti në pjesën fizike dhe skuadrat që të dyja sulmonin me forca të pakta.

Gabohet kush thotë se Skënderbeu duhej të kishte guxuar pak më shumë apo duhej të tregohej më cinik. Kam bindjen se nëse do të kishte tentuar më shumë se sa aq sa bëri, do ta kishte humbur ndeshjen.

Skenderbeu-Partizani Beograd

Pa dyshim, Xhejmsi mund të kishte qenë më i saktë dhe më i vendosur në duelet një për një, por ai nuk është mesfushor krahu. Është sulmues i dytë dhe aq sa po bën atje në të majtë, pa dyshim që po e bën shumë mirë, sepse nuk është aspak roli i tij.

LILAJ DHE DITA

Sa herë që Lilaj ngjitej lart dhe afrohej me Souenë, skema e Skënderbeut shndërrohej në një 4-2-3-1 të pastër dhe kjo krijonte epërsi numerike. Problemi është që serbët ishin shumë të zotë fizikisht dhe gjithsesi nuk zhbalancoheshin kollaj.

E megjithatë,  presingu i Skënderbeut ishte mbresëlënës. Madje i një standardi kaq të lartë saqë serbët e humbën topin disa herë në gjysmëfushën e tyre dhe krijuan hapësira të mira.

Por potenciali i korçarëve ky është. Të mos e ekzagjerojmë me pretendimet. Deklaratat nga kampi korçar se duan të kalojnë grupin me kundërshtarë të nivelit kaq të lartë, më duket paksa e tepruar, por askush nuk ka të drejtë t’u vendosë kufij…

Skenderbeu

SHPEJTËSIA E MENDIMIT

Askush si Skënderbeu, nuk e bën këtë dhe kjo u vërtetua edhe dje. Skënderbeu është një skuadër perëndimore sepse ka shpejtësi mendimi dhe veprimi. Kjo e mbajti “gjallë” me Partizanin e Beogradit. Në përgjithësi, skuadrat shqiptare e kanë defekt të frikshëm këtë pjesë: mendojnë ngadalë, veprojnë ngadalë dhe në fund ndëshkohen…

LINJA E MAJTË…

Partneriteti dysh i linjës anësore të majtë ka funksionuar më mirë në fazën e ndërtimit. Ka pasur më shumë mbivendosje të Micit duke iu afruar disa herë vijës fundore, edhe pse jo gjithnjë ia ka dalë me sukses për të shërbyer në zonë.

Pra, rreziqet më të mëdha tonat në fazën sulmuese kanë ardhur nga linja e majtë. Duhet theksuar gjithashtu, se në fazën mbrojtëse skuadra jonë ishte shumë e shkurtër. Pothuajse të gjithë lojtarët ishin poshtë vijës së topit. Kemi fituar shumicën e dueleve dhe kjo bëri që të mos pësonim.

Mici

GAVAZAJ? JO, MË MIRË TAKU!

Pas ndeshjes ka gjithnjë mendime dhe hipoteza, por unë, personalisht, nuk mendoj se Gavazaj, në një ndeshje si kjo, do të bënte diferencën. Ai është inteligjent dhe i shpejtë, por jo aq i balancuar sa Taku. Po, Taku është një lojtar që i bën mirë të dyja fazat: sulmuese dhe mbrojtëse.

Gavazaj është më i mirë në duelin një për një, por jo aq robust dhe konstant sa Taku. Preferoj këtë të dytin. Ndërkaq, më pëlqen Muzaka. Konstant, ndeshje pas ndeshjeje dhe një “zbulim” në mesfushë me atë çfarë ka ofruar në nivele të tilla.

Ishte një ndeshje mbi mesataren dhe duke marrë parasysh edhe dëmtimin e një prej lojtarëve të boshtit si Radasi, unë gjykoj që Skënderbeu ia doli shumë mirë dhe mori një rezultat të kënaqshëm.

 *Artikull i shkruar për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi në print ose online.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"