Analiza e dy ish-trajnerëve, Demiraj dhe Stojku: Ja pse po vuan Apolonia në start

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2020 | 23:43

Analiza e dy ish-trajnerëve, Demiraj dhe Stojku: Ja pse po vuan Apolonia në start

Fierakët kanë marrë vetëm 1 pikë në 180 minutat e para të këtij kampionati, duke u renditur në vendet e fundit të renditjes. Humbje në Shkodër dhe barazim në Fier me Bylisin. Po si e ka nisur skuadra fierake këtë sezon, çfarë ka shfaqur ekipi në këtë start dhe gjer ku mund të shkojë në këtë sezon Apolonia? Për këto çështje ne kemi intervistuar dy ish-trajnerë të Apolonisë, të cilët u janë përgjigjur katër pyetjeve:

APOLONIA BYLIS

1. Si e vlerësoni paraqitjen e Apolonisë në këto javë të fillimit?

2. Sa të lehtë do ta ketë Apolonia në Superiore?

3. Cilat ekipe shihni si pretendente?

4. Cilat skuadra do të luajnë për mbijetesë?

Ekskluzivisht për “Panorama Sport” flasin ish-trajnerët Elidon Demiraj dhe Gentian Stojku, ku sipas tyre 5-6 javët e para do të ndihmojnë në qartësimin e gjithçkaje.

Elidon Demiraj

ELIDON DEMIRAJ

1. “Për mendimin tim, Apolonia është një grup me djem të talentuar dhe me moshë të re dhe normalisht që do të kenë vështirësitë e fillimit dhe përshtatjes me kampionatin e ri dhe stadin e Superiores. Deri në momentin që do të kenë më shumë njohuri për ritmin e Superiores dhe vështirësitë që sjell ky kompeticion, kjo skuadër do të ketë luhatjet e veta, sepse edhe eksperienca në ekip nuk është se i ndihmon shumë në momente decizive. Nuk duhet ushtruar trysni ndaj lojtarëve të rinj, sepse ata mundohen gjithmonë të japin maksimumin dhe kanë entuziazmin brenda. Të luajnë lirshëm, që të shprehin atë që dinë të bëjnë, pa i presuar më tepër se sa duhet.

2. Ndonëse është shumë shpejt për të folur. Ne mund të jemi pak skeptikë dhe jo shumë të kënaqur me merkaton, pasi, siç e kam thënë edhe më parë për gazetën, Apolonia duhet të kish afruar lojtarë me përvojë nga tregu vendës, që e njohin Superioren, që mund të mbanin peshën dhe të udhëhiqnin këta të rinj. Ja, nisemi nga ndeshja me Bylisin: një skuadër me njëfarë përvoje nuk do ta lejonte përmbysjen nga 2-0 në 2-2, megjithëse edhe kjo mund të ndodhë, nuk është çudi. Gjithçka mbetet për t’u parë dhe pastaj pak a shumë profilizohen ekipet. Gjithsesi, në letër, unë mendoj se Apolonia do të jetë aty në ‘vallen’ e mbijetesës dhe do të vuajë këtë kampionat.

3. E para Tirana, kampione e Shqipërisë, që është ekipi për t’u mundur; Teutën e Durrësit e shoh shumë agresive, madje edhe vjet ka bërë shumë mirë; Laçi ka bërë një merkato të mirë dhe i ka mundësitë të pretendojë, por Tiranën e shoh më të avantazhuar, pasi e bëri sezonin e kaluar rrugën e titullit dhe e përballon më mirë trysninë se ekipet e tjera, mendoj unë. Kukësin nuk e shoh favorit sepse ka ndryshuar tërësisht skuadër dhe do ta ketë të vështirë që të krijojë ekipin pretendent. Partizani mund të rivalizojë diçka më tepër me tri skuadrat e tjera që përmenda si pretendente.

4. Normalisht që Apolonia dhe Kastrioti do ta kenë të vështirë sepse janë dy skuadra që vijnë nga një kategori më poshtë dhe nuk është e lehtë përshtatja me ritmin e futbollit elitar. Mbetet për t’u parë se cilat skuadra të tjera do të përfshihen në garën e mbijetesës, pasi kampionati është i gjatë dhe i paparashikuar në shumë aspekte.

Stojku5

GENTIAN STOJKU

1. “E kam ndjekur Apoloninë në dy ndeshjet e para dhe nuk është se skuadra ka prodhuar shumë futboll. Humbja me Vllazninë nuk ka nevojë për shumë komente, ndërsa ndeshja me Bylisin luhej në Fier dhe ekipi duhet të ishte më kërkues nga vetja në të gjitha drejtimet, si një shenjë autokritike për humbjen e javës së parë. Por edhe ndeshjen e dytë ekipi u duk i përgjumur, jo me ide të qarta dhe larg asaj që pretendohet dhe pritet nga kjo skuadër, pasi në skuadër nuk mungojnë lojtarët cilësorë, po dukej një ekip pa filozofi të qartë dhe me probleme si në aspektin tekniko-taktik, ashtu dhe atë fizik. Unë nuk pashë një ekip të organizuar, por një skuadër në rrëmujë totale. Megjithatë, janë vetëm javët e para dhe le të shpresojmë se gjërat do të përmirësohen.

2. Nëse skuadra do të vazhdojë kështu, në këtë nivel që ka prezantuar në dy javët e para, me këtë kontigjent dhe me këtë organikë që ka, unë parashikoj që skuadra do të ketë shumë probleme gjatë kampionatit dhe do të jetë shumë e vështirë edhe minimalja, mbijetesa.

3. Është pak herët për t’u theksuar që tani, por besoj që Tirana, Partizani dhe Teuta. Sa i përket Laçit, ndoshta e vret pak emri dhe mungesa e përvojës për pretendime kaq madhore, ndërsa Kukësin e shoh larg sezoneve të kaluara, për shkak të ndryshimit rrënjësor që i është bërë skuadrës.

4. Të gjitha ekipet e tjera që nuk i radhita si pretendente, mendoj se do të përfshihen në luftën e mbijetesës dhe besoj se gara më e ashpër do të jetë në fundin e tabelës”.

BUJAR RAMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"