Analiza e derbit nga Rezart Dabulla/ Fati ndihmon më të mirët, kjo është Tirana e vërtetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2022 | 19:11

Analiza e derbit nga Rezart Dabulla/ Fati ndihmon më të mirët, kjo është Tirana e vërtetë

NGA REZART DABULLA
A pati fat Tirana në këtë derbi? Padyshim që po. Por fati ndihmon më të mirët dhe unë mendoj se Tirana e meritoi plotësisht.

Collage Maker-03-Oct-2022-07.09-PM

AVANTAZHI
Tirana vinte e avantazhuar në këtë ndeshje. Pse? Sepse Shehi i njeh lojtarët e Tiranës shumë më mirë sesa Kolela lojtarët e Partizanit. Dhe më besoni që kjo ka shumë rëndësi. Shehi e kupton menjëherë kur një lojtar i tij po vuan dhe e kupton fare mirë edhe ku po çalon Partizani, sepse është ndeshur disa herë me të kuqtë. Kolela ende nuk e ka këtë “bagazh” të dhënash dhe ndjesish. Po, po, ndjesish, sepse derbi është edhe një ndeshje që duhet të menaxhosh gjithçka, qoftë edhe humorin e dikujt.

PROBLEMI ME TË HUAJT
Nuk kam asgjë me trajnerin e Partizanit, por të huajt e kanë të vështirë dhe u duhet më tepër kohë të përshtaten. Kam qenë vetë lojtar dhe ndonjëherë përkthyesi na bënte lëmsh, sepse na thoshte diçka të përgjithshme, ndërkohë që direktiva ishte krejt tjetër. Nuk kam asgjë me përkthyesin e Partizanit, e kam në parim, por në futboll ndodh edhe kështu. Mua më pëlqeu Tirana, sepse nuk e humbi toruan as pasi humbi penallti dhe as pasi ngeli me 10 lojtarë. Kjo është shumë domethënëse. Ndërkohë, e kundërta ndodhi me Partizanin, që nuk shfrytëzoi dy momente kulmore në këtë ndeshje. Plot njerëz mund të pyesin se përse humbi kur ishin me një lojtar më shumë… Mendimi im është që ende nuk janë kolauduar. Trajner i ri, lojtarë të rinj. Harmonizimi është proces dhe Partizanit i duhet ende kohë.

ÇELËSI ISHTE XHIXHA
Shpejtësia e tij bëri diferencën, por mbi të gjitha vetëbesimi i Xhixhës se do t’ia dilte në ato dy raste. Ka plot të tjerë që i humbin ato mundësi, por Xhixha ishte i shkëlqyer. Goli i parë ishte vendimtar për fatin e ndeshjes, sepse shtoi presionin në mënyrë të jashtëzakonshme te Partizani. Komplimente edhe stafit që orientoi skuadrën si duhet gjatë 90 minutave dhe tërë kohën bënë llogari edhe të fitonin e jo vetëm të barazonin. Është meritë edhe kjo. Unë mendoj që kjo është Tirana e vërtetë, edhe pse vuajti shumë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"