Analiza e Daniel Xhafajt: E dhimbshme se si dështon elita, ja çfarë duhet të bëjë Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2018 | 19:54

Analiza e Daniel Xhafajt: E dhimbshme se si dështon elita, ja çfarë duhet të bëjë Flamurtari

Ish-sulmuesi i kuqezinjve, Daniel Xhafaj, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” analizon sezonin e fundit të Flamurtarit. Sipas Xhafajt, ecuria negative në pjesën e dytë të sezonit bëri që Flamurtari të largohet ndjeshëm nga zona e Europës. Ish-sulmuesi vlonjat apelon që sezonin e ri klubi të ketë organizim më të mirë dhe të mbajë pjesën më të madhe të lojtarëve. Xhafaj flet edhe për Vllazninë dhe Skënderbeun.

Xhafaj

Xhafaj, si e shikoni ecurinë e Flamurtarit këtë sezon?

Me vjen shumë keq që në përfundim të këtij kampionati gjërat shkuan jo mirë për Flamurtarin. Objektivi u tha se në fillim ishte që të kapnin Kupat e Europës, por gjërat nuk shkuan kështu, sikundër mendohej dhe shpresohej. Por, unë dua të theksoj se ecuria në nisje të kampionatit ishte shumë e mirë. Trajneri Duro dhe futbollistët bënë një kampionat shumë të mirë. Por, me ecurinë negative tani në fund, Flamurtari është larguar ndjeshëm nga zona e sigurt për në Europë.

xhafaj
A mund ta cilësojmë dështim këtë vit për Flamurtarin?

Unë do të doja që këtë këndvështrim ta ndaja me dy faza. Në këto kushte unë mendoj se fillimi ishte i mirë, ndërsa përfundimi jo pozitiv. Pra, nëse flasim për dështim, mund të flasim vetëm në fund të kampionatit, por gjithsesi gjërat janë vështirësuar pak për Europën dhe situata më e fundit e bën të vështirë kapjen e objektivit.

Mendoni se Flamurtari ka shanse ende për të kapur Europën?

Besojmë dhe shpresojmë. Asgjë nuk është e pamundur. Por, për situatën aktuale është pak e vështirë.

Si e vlerësoni dorëheqjen e trajnerit Duro?

Nuk kam koment për këtë çështje.

Vlonjatët kanë pasur shpesh kontestime të gjyqtarëve.  Mendoni se kanë ndikuar te futbollistët?

Në fakt, është krijuar një ide. Nëse në mendjen e lojtarëve është krijuar kjo ide, atëherë kjo nuk i lë futbollistët të shprehen lirshëm dhe ndikon shumë në paraqitjen e tyre.

daniel_xhafaj

Si e vlerësoni dënimin e drejtuesve të Flamurtarit nga Disiplina?

Nuk të lë shije të mirë kur drejtuesit e klubit dënohen.

Luhet me Partizanin në fundjavë. Si e shikoni ndeshjen?

Duhet që Flamurtari të bëjë një ndeshje dinjitoze dhe ta mbyllë me fitore këtë takim. Lojtarët duhet të jenë të përqendruar dhe me mendjen për të bërë diçka të mirë në këtë takim, pavarësisht kundërshtarit dhe vështirësive që mund të hasen në këtë ndeshje.

Çfarë duhet të bëjë Flamurtari për sezonin e ri?

Organizim më të mirë. Është e rëndësishme të mbahet pjesa kryesore e lojtarëve. Po ashtu klubi duhet të mendojë që të bëjë disa blerje të goditura.

Xhafaj Teuta

Vllaznia është drejt rënies nga Superiorja. Cili është komenti juaj për këtë çështje?

Ke shumë për të folur për këtë çështje. Por, unë dua të them vetëm diçka shkurtimisht: Është e dhimbshme se si ekipet elitare dështojnë!

Skënderbeu është rikonfirmuar sërish kampion. Si e shikoni këtë sukses të korçarëve?

Këto janë sukseset e menaxhimit të mirë dhe ndërtimit të strukturave me një klub të shëndoshë. I uroj suksese.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"