Analiza e Beqirit: Vllaznia vuan në mbrojtje, por e përmbys Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2017 | 14:54

Analiza e Beqirit: Vllaznia vuan në mbrojtje, por e përmbys Tiranën

Ish-kapiteni i skuadrës së Vllaznisë, Elvin Beqiri, ka besim se kuqeblutë mund të arrijnë të marrin një kualifikim në Kupën e Shqipërisë, pavarësisht humbjes në ndeshjen e parë ndaj Tiranës. Ai nuk e quan aspak hakmarrje fitoren e bardhebluve, por një sfidë mes dy ekipeve rivale, pavarësisht pozicionit ku ndodhen.

Beqiri

“Tirana tregoi se ka një ekip cilësor dhe kërkon të mbrojë sërish trofeun. Nuk e quaj një hakmarrje të Tiranës atë që arriti. Ishte diçka e veçantë ajo që pamë me këto dy ekipe me shumë traditë, ku njëra skuadër i përket Superiores dhe tjetra Kategorisë së Parë. Por ajo që pamë, ishte se diferencat nuk janë të mëdha.

Mbetet gjithmonë një derbi klasik dhe kjo u vërtetua. Pavarësisht rezultatit, që është i vështirë për t’u kthyer, pasi Tirana ka bërë një hap më shumë drejt kualifikimit, sërish mbetem i mendimit se Vllaznia ka mundësitë që të kualifikohet”, ka thënë Beqiri.

MBROJTJA – Prapavija është një prej reparteve më problematikë te Vllaznia, por përveç këtij fakti mbrojtja ka edhe një numër të limuar lojtarësh. “Kontingjenti i limituar i mbrojtjes është një shqetësim. Kjo ka bërë që në këtë pozicion të vendoset edhe Orelesi. Pavarësisht se dua të them, që nuk është hera e parë që Orelesi luan në qendër të mbrojtjes dhe ka luajtur edhe te Dinamo si mbrojtës i majtë.

Beqiri Elvin

Ai e njeh këtë rol dhe po shfaq vlera te Vllaznia. Por, Orelesi ka vlera më shumë nëse kalon në mesfushë, por siç e thashë, kontingjenti i limituar që ka skuadra në këtë repart, e detyron trajnerin ta vendosë aty. Trajneri e di më mirë se kush do të luajë në qendër të mbrojtjes. Problemi është se i gjithë ekipi duhet të jetë kompakt dhe të mos ketë mungesa të shumta.

Për mendimin tim, skuadra duhet të konsolidohet, pavar- ësisht asaj që ndodhi në Tiranë, gjithashtu është mentaliteti që duhet ndryshuar. Vllaznia duhet të shfrytëzojë edhe faktorin fushë, në mënyrë që të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e radhës ndaj Laçit.

VAZHDIMËSIA – Në fund të prononcimit, Beqiri, aktualisht zv.trajner i Kombëtares së 17- vjeçarëve, i pyetur nëse Vllaznia do të jetë edhe këtë sezon në garë për mbijetesën, ka thënë: “Unë mendoj se kthesa në kampionat do të vijë. Mbas dy fitoreve me Lushnjën e Luftëtarin, duhet që të merret edhe ajo me Laçin që të ketë një ndryshim në të gjithë aspektet.

Vllaznia2

Për mendimin tim, ekipi i ka mundësitë për të kaluar këtë krizë dhe për të mos vuajtur deri në fund. Por këta lojtarë dhe stafi duhet që të besojnë më shumë dhe të bindin veten se do t’ia dalin. Për mendimin tim, mundësitë janë. Duhen ruajtur ekuilibrat gjatë kampionatit, pra oscilacionet që kanë qenë të pranishme.

Lojtarët duhet që të jenë të qetë, sepse janë ata që do të shprehen në fushë. Nëse aspekti psikologjik do të rritet dhe lojtarët do të arrijnë të largojnë nga vetja presionin, unë jam i mendimit se Vllaznia mund të ngjitet në tabelën e klasifikimit dhe mund të shkojë më lart se mesi i tabelës. Nuk e shikoj të rrezikuar deri në fund”, ka mbyllur Beqiri.

Admir Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"