Analiza e Bajernit/ Kimish e Sane të artë, Tuhel kalon në versionin shahist
Kampionët e Bundesligës nuk zhgënjyen në javën e 3-të, duke korrur suksesin e radhës, ndonëse me më shumë vështirësi krahas dueleve pararendëse në kampionat. Fitorja në transfertën e Mynshengladbahut prezantoi 3 pika të rëndësishme në favor të kampionëve, duke nisur nga zgjedhjet efikase të zëvendësimeve nga trajneri Tomas Tuhel, për të vazhduar me precizionin e “regjisorit” Kimish e deri te nuhatja e sulmuesit Leroi Sane.
1.SANE NË RRITJE- Përpara nisjes së sezonit të ri, emri i Leori Sanesë lakohet në media si opsion për t’u larguar nga “Allianz Arena”, por skenarët kanë ndryshuar linjë pas vetëm 3 javësh kampionat. Ish-lojtari i Shalkes dhe Mançester Sitit numëron 2 gola dhe demonstron temp të pakapshëm për rivalët në krahun e djathtë nën urdhrat e Tuhelit. Duket se periudha kur anësori gjerman “qurravitej” në fushën e blertë ka mbetur pjesë e së shkuarës. Krahu i djathtë në fazën ofensive te kampionët e Bundesligës ka gjetur “pronar” të ri dhe ai quhet Sane. Personazhi në fjalë dha kontribut të çmuar ndaj “mëzave” edhe në ndihmën e prapavijës dhe ndërtimin e lojës nga mbrapa, duke luajtur jo rrallë profilin e katalizatorit, së bashku me “maratonomakun” Kimish.
2.ZËVENDËSIMET E TUHELIT- Tekniku 50-vjeçar ende nuk ka lënë gjurmë me sukseset e tij në Mynih, aty ku Bundesliga nuk është se përbën sensacion te tifozëria bavareze, të cilët e kanë kthyer në të “zakonshme” dekadën e fundit. Nëse i referohemi zgjedhjes së Tuhelit në planin e zëvendësimeve fundjavën e shkuar, ai demonstroi vlera të një “shahisti”, në gjuhën e futbollit. Inkuadrimi i Laimerit, Gnabrit, Çupo-Motingut, De Ligtit dhe Tilit dhanë rezultat në manovrat e kampionëve. Laimer e kreu me sukses detyrën e mbrojtësit të djathtë, Gnabri shtyu më tepër nga anësorja, teksa Çupo-Moting dhe Til i morën metra rivalit në zonën e rreptësisë, me “hero” talentin francez.
3.KIMISH LIDER- Futbollisti me numër 6 te bavarezët asistoi në rastin e të dy golave për të tijtë. Po ashtu Kimish pati numrin më të lartë të kontakteve me topin, plotë 128. 101 pasime në total dhe përqindja e saktësisë ishte mbresëlënëse, 93%. Statistika, të cilat i kanë munguar repertorit të 28-vjeçarit në sezonet e fundit.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"