Analiza e Astrit Hafizit: Kjo është prova për sulmin e Kombëtares

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Tetor 6, 2016 | 17:08


Analiza e Astrit Hafizit: Kjo është prova për sulmin e Kombëtares

Astrit Hafizi nuk pret një ndeshje të thjeshtë për Shqipërinë në Lihtenshtejn. Sipas ish-trajnerit të Kombëtares, ky takim duhet të tregojë se kuqezinjtë bindin në fazën sulmuese si skuadër, jo vetëm në mbrojtje. Kombëtarja ka vuajtur historikisht ndaj ekipeve të një niveli më të ulët dhe këtë Hafizi e analizon gjatë një interviste për “Panorama Sport” një ditë para takimit eliminator në Vaduz. Ish-trajneri flet edhe për zgjedhjet e trajnerit Xhani De Biazi, ndërsa beson se mungesën e Armando Sadikut do ta kompensojë Bekim Balaj.

Hafizi

Z. Hafizi, Shqipëria luan kundër Lihtenshtejnit dhe është favorite për të fituar. Mirëpo, nëse i referohemi të kaluarës, gjithnjë Kombëtarja ka pasur vështirësi ndaj kundërshtarëve të këtij niveli. Pse vjen kjo?

Duhet të kemi parasysh se këto skuadra, të cilat i cilësojmë të vogla, na vlerësojnë shumë më tepër. Pra, ndaj Shqipërisë mendojnë se mund të kapin diçka dhe përveçse mbrohen me shumë forca, tentojnë përmes kundërsulmit të shënojnë. Gjithnjë na kanë krijuar shumë rezistencë dhe kanë qenë seriozë në JORGIS MEMO mënyrën e lojës. Mirëpo, ne si Shqipëri kemi vështirësi, sepse nuk jemi mësuar shumë të bëjmë lojë sulmuese. Ndaj ekipeve si Lihtenshtejni, detyrimisht duhet të luash në sulm. U bë disa vite që filozofia jonë e lojës mbështetet te mbrojtja e fortë dhe mbulimet. Kur vjen dita që përballë të kemi skuadra të niveli më të ulët, dalin problemet në sulm. Historia e ka treguar se na kanë hapur punë të tillë ekipe dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm.

Sot prisni një ndeshje të vështirë për Shqipërinë, apo që do të kalohet lehtësisht?

Nuk besoj se Lihtenshtejni do të mendojë vetëm për mbrojtjen kundër nesh. Ata luajnë në fushën e tyre dhe jam i bindur se do të tregojnë që nuk janë një skuadër për t’u mos u marrë parasysh. Me aq njohuri sa kam unë për Lihtenshtejnin, besoj se do të tentojnë të luajnë në sulm ndaj Shqipërisë. I pashë në 45 minutat e para në ndeshjen kundër Spanjës dhe rezistuan mirë, duke pësuar vetëm një gol. Treguan siguri në lojën e tyre, edhe pse përballë kishin Spanjën. Gjithsesi, u shthurën pas pësimit të golit dhe kjo është diçka e pritshme.

Lihtenshtejn-Shqiperi

De Biazi ka bërë disa ndryshime, duke lënë jashtë Gashin dhe rikthyer Çanin në Kombëtare. Si i komentoni këto lëvizje?

Nuk më duket ndonjë çudi e madhe që nuk është marrë Gashi në Kombëtare. Madje De Biazi mund të mos e grumbullonte edhe më përpara këtë lojtar, pasi s’mbaj mend të ketë lënë ndonjë shenjë të mirë në ekipin tonë. Më duket një zgjedhje e drejtë e trajnerit, duke parë edhe rendimentin e lojtarit, sa herë e ka aktivizuar. Kjo nuk përbën ndonjë risi, ndërsa rikthimi i Çanit më duket i drejtë. Një sulmues me të tilla karakteristika duhet të ishte më në konsideratë edhe dy vite më parë, pavarësisht se ka pasur ulje-ngritje në karrierën e tij.

Shqipëria nuk e ka atë luks të lërë jashtë sulmues si Çani, që ka të dhëna të mira dhe mund të na ndihmojë. Megjithatë, nëse De Biazi është nisur nga kriteri i mosaktivizimit në klube të Çanit, më duhet të them se këtë e vuajnë pjesa më e madhe e lojtarëve të Kombëtares.

Gjithashtu janë afruar emra të rinj si Llullaku, Grezda dhe Latifi…

Janë marrë mendoj për t’i treguar opinionit që po bëhet një projekt i ri për Kombëtaren. Besoj se aktivizimi i tyre nuk ka për të qenë sa duhet, edhe pse kam lexuar se Llullaku mund të përfshihet në formacion. Nuk më duket shumë e gjetur kjo mënyrë, ku një lojtar rikthehet pas shumë kohësh dhe menjëherë bëhet titullar, siç ishte edhe rasti i Hykës së fundmi ndaj Maqedonisë. Tashmë me De Biazin nuk është çudi që edhe Çani të jetë në formacion ndaj Lihtenshtejnit.

14523194_1134994199913055_798266521837186068_n-e1475683688902

Këtë herë do të mungojë Sadiku, sulmuesi ynë kryesor në pesë ndeshjet e fundit. Si mendoni se do ta zgjidhë pjesën ofensive De Biazi?

Mungesa e Sadikut është shumë e rëndësishme në këtë moment, pasi ishte sulmuesi më në formë, që shënonte rregullisht. Mendoj se De Biazi do ta zgjidhë me Balajn, pasi është vërtet një lojtar që konkurron denjësisht për të qenë titullar dhe ndoshta duhet të ishte provuar më tepër në të kaluarën.

Si e keni parë së fundmi çështjen e lojtarëve kosovarë? Ka pasur jo pak polemika nga trajneri i Kosovës, veçanërisht për rastin e fundit, kur De Biazi grumbulloi Grezdën dhe Latifin…

Krisjet kanë filluar dhe kjo është e qartë. Para anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA marrëdhëniet kanë qenë të mira, por unë mendoj se krisjet mes palëve sa do të vijnë dhe do të shtohen.

Ju gjykoni se Shqipëria nuk duhet të grumbullojë më asnjë lojtar me origjinë nga Kosova?

Shikoni, nëse flasim për rastin e fundit, unë gjykoj se De Biazi u bie shkurt gjërave. Shikon që Grezda dhe Latifi janë gati dhe po spikasin në kampionatet ku luajnë, atëherë mendon që derisa të lodhet për të gjetur shqiptarë në Europë, më mirë merr këta, edhe pse janë nga Kosova. Në këtë histori edhe Federata apo trajneri i Kosovës kanë të drejtë të ankohen, pasi nuk janë lojtarë të Shqipërisë.

astrit-hafizi

“Presioni i fitores nuk është alibi”

Për Hafizin, presioni që ka Shqipëria për fitore me çdo kusht në Lihtenshtejn nuk duhet të shërbejë si një alibi. “Unë mendoj se duhet të fitojmë patjetër. Nuk besoj se ekipi ka ndonjë presion të madh, për më tepër që përpara ka një skuadër që është ndër të fundit në renditjen e FIFA-s. Nëse nuk jemi në gjendje për të fituar ndaj Lihtenshtejnit, kot që pretendojmë pastaj të mundim Izraelin. Kjo ndeshje duhet fituar, për të qenë ekipi sa më mirë psikologjikisht kundër Spanjës”, ka thënë dje ish-trajneri i Kombëtares kuqezi.

JORGIS MEMO



www.minuta90.com