Analiza e Armando Cungut: Vllaznia do të jetë për titull, me Malën bëri “bingo”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 30, 2022 | 22:15

Analiza e Armando Cungut: Vllaznia do të jetë për titull, me Malën bëri “bingo”

Trajneri i Kombëtares sh qiptare U-19, Armando Cungu, ishte përzgjedhur nga klubi i Vllaznisë për të bërë shkelmimin simbolik të topit në ndeshjen e parë që kuqeblutë luajtën për këtë kampionat ndaj Kukësit, të dielën në stadiumin “Loro Boriçi”.

cungu

Një pritje e ngrohtë iu bë 49-vjeçarit nga tifozët shkodranë, teksa u përcoll me lule nga ana e presidentit Alban Xhaferi, në një kohë që nuk munguan përqafimet me trajnerët Mirel Josa, Skënder Gega dhe pa dyshim Vioresin Sinani, me të cilin ka qenë shok skuadre në fitimin e titull në sezonin 1997-1998.

Gjesti simbolik i Cungut përkoi edhe me fitoren e parë të kuqebluve, teksa pas ndeshjes ai dha një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”. Trajneri beson se kjo skuadër do të jetë për titull, në një kohë që e konsideron afrimin e Esat Malës si bingo në merkato.

Armando, shkelmimi simbolik i topit nga ana juaj përkoi edhe me një fitore dramatike të Vllaznisë ndaj Kukësit. A mund të themi se i sollët fat ekipit?

Që në atë moment që shkelmova topin, i urova me zemër Vllaznisë një fitore ndaj Kukësit dhe një sezon sa më të mbarë. Për mua ishte një emocion i veçantë, pasi rikthehem në stadiumin “Loro Boriçi” pas shumë vitesh për të shkelmuar një top në takimet zyrtare.

Çfarë përshtypjeje ju la ndeshja dhe loja që bëri Vllaznia?

Vllaznia bëri një ndeshje shumë të mirë. Për mendimin tim, sidomos pjesa e parë, mund të them se ishte e shkëlqyer për Vllazninë. Pati qarkullim topi, vertikalizime dhe raste të pastra për shënim. Ekipi mund ta kishte mbyllur që në pjesën e parë historinë e ndeshjes.

Luhatje në start, por edhe reagim pas asaj humbjeje me Erzenin…

Nuk kishte asnjë lidhje ai ekip ndaj Erzenit me këtë kundër Kukësit. Në pjesë e parë, siç e theksova edhe më lart, ishin superiorë. Në pjesën e dytë ndoshta toleruan pak në lojë. Disa lojtarë shprehën shenja lodhjeje dhe kjo ishte për mua arsyeja që ra agresiviteti në mesin e fushës. Vllaznia i dha shumë mundësi kundërshtarit që të ishte më në kontakt me topin dhe gaboi te momenti i golit. Megjithatë, mund të them se ishte fitore më se e merituar. Pati dominim shumë të dukshëm nga Vllaznia në këtë ndeshje.

Të premten luhet përballja me Tiranën në transfertë, çfarë prisni?

Vllaznia do të vijë në rritje. Edhe ndaj Kukësit tregoi se është në rritje dhe ka mundësi për të bërë më mirë. Në veçanti, dua që të përgëzoj lojën e Esat Malës, që edhe pse nuk është në 100 % të gjendjes, mendoj se është një lojtar që tregoi vlera. Në këtë merkato mund të jetë ai si bingo e Vllaznisë. Është një lojtar polivalent që luan në shumë role. Vllaznia është një ekip që ka fatin ta ketë në përbërje një lojtar si Mala.

E shikoni këtë skuadër si pretendente për ta fituar titullin këtë sezon?

Patjetër që e shoh pretendente për titull. Nuk shikoj ndonjë ekip që ka shumë diferencë me Vllazninë. Patjetër që janë tri-katër klube që do të jenë rivale deri në fund dhe i kanë mundësitë për të dalë kampione. Unë uroj që në fund të jetë Vllaznia fituese.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"