Analiza e 24 kombëtareve/ Ja çfarë note mori Shqipëria në Europian

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Qershor 24, 2016 | 19:25

Analiza e 24 kombëtareve/ Ja çfarë note mori Shqipëria në Europian

Faza e grupeve të “Euro 2016” dhuroi gola, polemika, futboll të jashtëzakonshëm, por edhe gabime të tmerrshme. Asnjë skuadër nuk mund dot t’i fitonte të tria ndeshjet, ashtu siç asnjë skuadër tjetër veç Ukrainës nuk i humbi të tria sfidat.

13493446_1200438246642173_624596347_oKy turne tregon se është konkurrues aq sa shumë pak mund ta kishin imagjinuar. Pas 36 ndeshjesh, tani gjërat pritet vetëm të nxehen, por duke qenë se tri provat e para të secilës nga 24 skuadrat janë dhënë, kemi krijuar një përshtypje të formës së treguar. Dhe “Sports Mail” i ka bërë një analizë me nota çdo kombëtareje deri tani…

GRUPI A

Franca

Në letër gjithçka duket në rregull për vendin mikpritës, pasi ata u renditën të parët në grupin e tyre, të pamposhtur dhe pësuan vetëm 1 gol. Mbrojtja, e cila dukej një problem, ishte mjaftueshëm solide dhe në sulm kanë lojtarë që bëjnë diferencën. Por pasi thamë këto, duhet të kujtojmë se nëse ndeshjet do mbaronin pas 89 minutave dhe jo 1 minutë më vonë, atëherë Franca do t’i kishte barazuar të tria. Diferencën e bëri Dimitri Paje. Nota: 7+

Rumania

Vetëm 1 pikë nga 3 ndeshje, asnjë gol me aksion të hapur dhe e mbyllën në vend të fundit në një prej grupeve më të lehta. Ndeshjet e tyre nuk ishin të tmerrshme, por ishin të pafat ndaj Francës dhe barazuan me Zvicrën. Turneu i tyre përfundoi në zhgënjim total pas humbjes me Shqipërinë. Nota: 5

Shqipëria

Një nga dy “humbëset e pafata”, të cilat u renditen të tretat, por nuk shkuan në 1/ 8-at. Shqipëria do të kishte marrë notë mbi pritshmëritë edhe sikur të kishin dështuar. Por ata u treguan të shkëlqyer me 10 veta ndaj Zvicrës, ishin duke barazuar 0- 0 me Francën deri në minutën e fundit dhe i dhanë vetes një shans për të kaluar më tej në Europianin e tyre të parë në ndeshjen me Rumaninë. Një turne i mirë dhe një bazë për të ndërtuar të ardhmen. Nota: 7-8

Zvicra

Bënë atë që duhet të bënin dhe u shpërblyen me një short të kënaqshëm në 1/8- at. Nuk e fituan kollaj këtë vend dhe që të dy golat e tyre erdhën nga goditjet e këndit, por i vetmi gol që pësuan erdhi nga një penallti. Granit Xhaka ka befasuar dhe helvetët do ta shijojnë shansin që u është dhënë ndaj Polonisë. Nota: 7

GRUPI B

Anglia

Gjendja emocionale mund të mos jetë e kënaqshme, pasi dështuan të kryesojnë grupin, por ekipi i Hoxhsonit u kualifikua duke prodhuar lojë të mirë. Problemi për të finalizuar duhet korrigjuar me Islandën. Nota: 6.5

Rusia

Nga tribunat, në fushë dhe në media, Rusia është turpëruar. I vetmi shkëlqim i tyre ishte goli i minutave shtesë që u dhuroi një pikë të pamerituar ndaj Anglisë. Vetëm Ukraina më keq se ata. Nota: 4

Uellsi

Kur u hodh shorti, Kris Kolman do ta kishte pranuar çdo rezultat që e kualifikonte. Por vendi i parë i dhuroi një derbi me Irlandën e Veriut në 1/8-at dhe ia vlejti. Bejl ka qenë perfekt dhe lojtari i turneut. Vetëm disfata me Anglinë nuk i lejon të quhen perfektë. Nota: 9-10

Sllovakia

Dinim pak për këtë skuadër përpara turneut, por kur Hamshik është i frymëzuar, është edhe Sllovakia. Megjithatë, zor se do të shkojnë më larg se kaq, sepse tani përballë kanë Gjermaninë. Nota: 8

GRUPI C

Gjermania

Jo gjithnjë aq bindës sa do ta kishim pritur nga kampionët e botës, por rrallë u ka dalë situata nga kontrolli dhe nuk pësuan asnjë gol në grupe. Nota: 8

Ukraina

E vetmja skuadër e turneut që i humbi të tria ndeshjet. Pas paraqitjes bindëse ndaj Gjermanisë, u shpërbënë. Nota: 4

Polonia

Një tjetër skuadër që bëri atë që duhet të bënte pa dhuruar diçka speciale, por i mban lart moralisht paraqitja pa gola ndaj Gjermanisë. Nota: 8+

Irlanda e Veriut

Skuadra e fundit e kuotuar për të dalë nga grupet, pavarësisht rekordit të shkëlqyer në kualifikuese, Irlanda e Veriut fitoi tifozë brenda dhe jashtë fushe dhe e meriton kualifikimin. Nota: 10

GRUPI D

Spanja

Një start i ngadaltë dhe një mbyllje e dobët e fazës së grupeve, me një ndeshje bindëse si sanduiç mes tyre kundër Turqisë. Hiq Andres Iniestën, asnjë nga yjet e tjera të kampionëve nuk ka shkëlqyer ende. Mbetet akoma skuadra për t’u shmangur, por ndaj Italisë do t’u duhet të vënë maskën e zakonshme. Nota: 7-

Republika Çeke

Me të vërtetë të pafat në paraqitjen ndaj Spanjës dhe të pafuqishëm për të marrë një pikë ndaj Kroacisë. Por kur e patën shansin të kalonin me Turqinë, e shpërdoruan. Nota: 2

Turqia

Të tmerrshëm në dy ndeshjet e para, por Emre Mor u dha shpresa të mëdha në ndeshjen e fundit edhe pse fati i la jashtë 1/8-ave. Nota: 5

Kroacia

Ndoshta skuadra më e bukur për t’u parë deri tani dhe ata që zbritën me këmbë në tokë kampionët e Spanjës. Me Luka Modriç në regji, zgjuarsinë e Rakitiçit dhe shkëlqimin e Perisiçit, ata mund të shkojnë deri në fund. Nota: 10 me yll

GRUPI E

Belgjika

E rimorën veten pas paraqitjes së tmerrshme me Italinë. Talentet e Vilmots duhet të mësojnë shpejtë që të quhen një brez i artë. Nota: 6+

Italia

E cilësuar nga shumë njerëz si Italia më e keqe e 50 viteve të fundit, taktikat e Kontes shkëlqyen ndaj Belgjikës. Që prej asaj ndeshjeje, skuadra ka qenë më prozaike. Të pafat që pasi kryesuan grupin do të ndeshen me Spanjën. Nota: 8+

Republika e Irlandës

Të pafat ndaj Suedisë dhe të tmerrshëm ndaj Belgjikës, por Irlanda ia doli që të mbijetonte në “grupin e ferrit” në ndeshjen e fundit kundër Italisë. Nota: 8

Suedia

Zhgënjim total në të tria ndeshjet. Ibra nuk e meritonte këtë lamtumirë nga kombëtarja. Nota: 2

GRUPI F

Portugalia

Ekip ultra-ofensiv, me shumë talent, por shumë i varur nga Ronaldo. Duhet t’i bëjë të gjitha kapiteni. Mbetën gjallë me shumë vështirësi në grupin më të lehtë të mundshëm. Nota: 6-

Islanda

Vendi më i vogël i turneut u bë më i famshëm me komentatorët e tyre magjikë dhe urrejtjen ndaj Ronaldos. Anglia është e paralajmëruar nga debutuesit që nuk u mundën në grup. Nota: 10 me yll

Austria

Oh çfarë zhgënjimi! Pas një kualifikueseje të shkëlqyer, shumë analistë i vlerësonin si skuadrën që mund të bënte surprizën, por u larguan pa lënë asnjë shenjë. Nota: 4

Hungaria

Tri raketa nga distanca shpërthyen Hungarinë në festë. Pavarësisht që nuk rezistuan dot ndaj Portugalisë, barazimi mjaftoi për vendin e parë në grup. Do t’i hapin disa probleme Belgjikës. Nota: 10

Përgatiti: ANDROKLI DRALO





www.minuta90.com