ANALIZA/ Diktat i Juves në Itali, askush nuk mban hapin e “Zonjës”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2018 | 18:28

ANALIZA/ Diktat i Juves në Itali, askush nuk mban hapin e “Zonjës”

Diktati i “Zonjës së Vjetër” në sezonet e fundit, për hir edhe të spektaklit në Serinë A, ka nevojë për një antagonist. Përpara nisjes së sezonit disa ekipe etiketoheshin si anti-Juve, por faktikisht askush nuk po tregohet në lartësinë e situatës, teksa bardhezinjtë janë i vetmi ekip në kampionatin italian që kanë arritur të grumbullojnë pikë të plot në tri javët e para.

fbl-ita-seriea-juventus-lazio-5b81a7592546550c31000001

Në 270 minuta e para ekipi i drejtuar nga Masimiliano Alegri ka shënuar shtate gola, teksa nuk shqetëson “agjërimi” i Ronaldos përpara portës. Me tri rrjeta të pësuara, golavarazhi juventin është plus katër. Në këtë statistikë vetëm Fiorentina është disi më lart, falë goleadës vjollcë të një jave më parë. Shifrat e tjera janë dërrmuese për rivalët, me Juven që në tri ndeshje kampionati ka goditur 56 herë në drejtim të portës, me 30 goditje që kanë përfunduar në kuadrat, e 26 jashtë.

Napoli i vendit të dytë ka goditur 12 herë më pak. Edhe në nivel golash, rivalët duken larg, me Romën që ka shënuar pesë, Interi po aq, por ka pësuar tre, teksa Milani qëndron vite dritë larg me 4 gola të realizuar e po aq të pësuar. Alegri, në pritje të golave të Ronaldos e Dibalës, shijon bomberat e tjerë në ekip, falë rrjetave të Manxukiçit, Bernardeskit, Khedirës, Pjaniçit dhe Matuidit. Teksa te Juvja ka bollëk golash, rivalet presin Imobilen, Xhekon, Ikardin dhe Higuainin, mungesa këto që thellojnë mendimin se anti-Juve mund të jetë vetëm vetë “Zonja e Vjetër”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"