ANALIZA/ Burreli parakalon Dinamon në Veri, Egnatia një “rul” në Jug. Ja formacioni më i mirë dhe më i dobët në Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2021 | 11:39

ANALIZA/ Burreli parakalon Dinamon në Veri, Egnatia një “rul” në Jug. Ja formacioni më i mirë dhe më i dobët në Kategorinë e Parë

U deshën plot 9 ditë që të mbyllej e gjithë java e 11-të në Kategorinë e Parë. Dëbora që pushtoi vendin, bëri që të anuloheshin shumica e ndeshjeve. Vetëm një u zhvillua të shtunën e 13 shkurtit, pasi 6 të tjerat u ndanë mes 20 dhe 21 shkurtit. Ishte një “xhiro” plot surpriza, gola, përmbysje, penallti dhe ndonjë kontestim tek-tuk.

korabi

Në Veri vjen rokada në krye, teksa zyrtarisht është Burreli që ka komandën. Jugu ka vetëm një lider dhe quhet Egnatia. Dëshmuan se janë një “rul” për çdo kundërshtar. Jo vetëm që vazhdojnë të jenë të pathyeshëm, por as nuk pësojnë. Gara bëhet gjithnjë e më e ngjeshur në të dyja grupet, aq sa ato ekipe që e nisën me pretendime të mëdha sezonin sot mund të diskutojnë edhe 4-shen e parë. Në Grupin A janë matjanët tashmë të parët. Me Dinamon që pushoi, Burrelit nuk mund t’i ikte ky shans i artë nga duart. Ndoshta nuk shkëlqeu me Vorën dhe vuajti me bollëk sidomos në pjesën e dytë, por në fund të fundit mori çka deshi. Tri pikë më shumë i japin kryesimin dhe e shkëpusin nga blutë e kryeqytetit. Besëlidhja i largohet edhe më shumë misionit “Superiore”. Nuk kalon dot as Partizanin B, aq sa edhe Sinan Bardhi detyrohet që të paralajmërojë dorëheqjen nga drejtimi teknik. Një barazim që e çon -9 nga vendi i parë, komplikon ndjeshëm objektivat sezonalë. Vorakët marrin një pikë morali, që nuk i largon ende nga zona e rrezikut. Korabi rigjen fitoren dhe zhyt më keq më krizë Veleçikun. Trepikëshi i parë për Agim Canajn në drejtimin e dibranëve i rifut në garë për elitën. Erzeni e kreu detyrën që dy javë më herët, duke likuiduar një kundërshtar direkt si Oriku. Është e dyta fitore radhazi për ta, çka u jep qetësi në luftën që po zhvillohet për mbijetesë.

bandicam 2021-02-20 14-15-21-498

Në Grupin B nuk ka kurrfarë befasie, është Egnatia ajo që po dikton kampionatin që prej javës së pari e deri më tani. Jo vetëm që fituan pastër me shifrat 0-3 në transfertë, por likuiduan edhe Lushnjën që kishte gjithashtu pretendime madhore. Mund të themi se ishte java e rrogozhinasve, pasi morën edhe një “dhuratë” të madhe prej Pogradecit. Këta të fundit i dhanë leksion Besës, duke ngjeshur ndjeshëm edhe renditjen në katërshen e parë. Kavajasit dështojnë në “Gjorgji Kyçyku”. Duhej kthesë urgjente, por me 4 pikët e lëna rrugës në 180 minutat e fundit tregojnë se kanë vërtet probleme. Humbjet e Elbasanit nuk çudisin më askënd, të radhës e pësoi me Tomorin në Cërrik. Beratasit futen në lojë për vendin e dytë, pasi zyrtarisht kanë arritur verdhejeshilët e Ilir Gjylës. Verdheblutë në anën tjetër mund t’i gëzohen vetëm një goli të shënuar, pasi në 9 ndeshje janë “blozë”. As një pikë e marrë po e çojnë drejt humnerës. Prodhojnë vërtet lojë, e megjithatë gabimet e shumta në prapavijë po thellojnë rekordin negativ.

111

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"