ANALIZA/ Bundesliga, aty ku të gjithë kryesojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2019 | 22:45

ANALIZA/ Bundesliga, aty ku të gjithë kryesojnë

Pjesa e sipërme e tabelës në Bundesligë nuk ka qenë prej kohësh kaq e ngjeshur sa tani. Te skuadra që kryeson renditjen, Gladbah, ka shumë fytyra të qeshura. Në Dortmund ka krizë rezultatesh dhe Bajerni buzëqesh vetëm në Europë.

bajerni i mynihut

Lajpcig në krahun tjetër mbetet ende për t’u konfirmuar si pretendente. Edhe pa asnjë dyshim, të dyja skuadrat që do të rivalizojnë njëra-tjetrën për titull do të jenë Bajern dhe Dortmund. Por skuadra e momentit është pa dyshim Gladbah, hera e fundit që ata kanë qenë në vendin e parë të renditjes ka qenë para tetë vitesh.

Bajerni dhe Dortmundi kanë shumë skuadra përpara tyre duke ua bërë të vështirë atyre shikimin drejt vendit të parë. Pjesa veriore e Gjermanisë është duke prodhuar një futboll interesant dhe ajo çfarë është me e rëndësishme, rezultativ. Vendi i dytë, Volfsburgu është skuadra e vetme që nuk njeh humbje në Gjermani me 10 gola të shënuar dhe vetëm katër të pësuar, më pak nga të gjitha skuadrat edhe ato që në mbrojtje kanë blerë lojtarë që kushtojnë 80 milionë euro.

Por pak rëndësi kanë paratë nëse skuadra luan e bashkuar, këtë po e tregojnë si Volfsburgu dhe Gladbahu. Në vendin e tretë ndodhen bavarezët të cilët i zhgënjyen të gjithë me humbjen në shtëpi ndaj Hofenhaimit. Edhe pse loja e kampionëve ishte e mirë, ata shpërdoruan shumë raste para portës kundërshtare. Pas fitores 7-2 në Angli ndaj Totenhemit, bavarezët u kthyen me këmbë në tokë duke iu përulur thjeshtësisë së skuadrës që renditet e 12-ta në tabelë. Vendi i katërt mbahet nga një tjetër skuadër surprizë, Fraiburgu.

Mesfushori Armir Abrashi zhvilloi një nga ndeshjet më të mira me gjermanët duke ndalur Borusian e Dortmundit, për këta të fundit do të flasim më poshtë. Kristian Shtraish ka ndërtuar një skuadër agresive në fushën e saj duke humbur vetëm një ndeshje në shtatë javët e para. Pas Fraiburgut ndodhet Lajpcig, Shalke dhe Leverkusen. Të tria së bashku me Bajernin kanë 14 pikë. Pas tyre vjen Dortmundi.

BORUSIA, LARG TITULLIT

Ishte skuadra më shumë e kuotuar (pas Bajernit) për të fituar kampionatin. Pas një merkatoje të mirë dhe bindëse, të gjithë prisnin një Borusia dominuese. Por ndodhi e kundërta. Skuadra e Favresë nuk di të fitojë edhe pse prodhon ndoshta lojën më të bukur në kampionat. Tri barazime në tri ndeshjet e fundit kanë filluar të shqetësojnë tifozët verdhezinj që mund të ngushëllohen vetëm me pikët e para në Champions në barazimin me Barcelonën dhe fitoren ndaj Slavia Pragës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"