ANALIZA/ Barazime pa fund, ishte java e Bylisit dhe Besëlidhjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2021 | 16:42

ANALIZA/ Barazime pa fund, ishte java e Bylisit dhe Besëlidhjes

Sa shumë barazime në Kategorinë e Parë. Java e tetë ka prodhuar vetëm 13 gola dhe shumë pak ndryshime në tabelën e përgjithshme e kjo, si rezultat i 6 barazimeve në 8 ndeshje në total. Të fituara nga kjo “xhiro” kanë dalë vetëm dy ekipe: Bylisi dhe Besëlidhja.

topi-kategoria-e-pare

Lezhjanët kanë bërë surprizën e madhe, pasi mundën 0-3 Apoloninë. Ia dolën në mes të Fierit dhe protagonistë të padiskutueshëm ishin dy vëllezër.

Danajt bën “ligjin” në këtë transfertë dhe i kthyen buzëqeshjen skuadrës së Alban Brukës, që i është larguar disi fundit të renditjes. Redoni hapi siparin e rrjetave dhe Rubeni i vendosi “vulën” me një dopietë. Fierakët i kthehen zakonit. U duk sikur ngritën krye me dy fitoret radhazi, por gabimet e shumta në mbrojtje dhe ato në sulm kushtuan rëndë.

Ballshiotët marshojnë të qetë drejt elitës. Vazhdojnë të fitojnë, por këtë herë morën “asiste” me shumicë nga ekipet që kanë pas vetes. Duke mundur 0-2 Vorën dhe me ndalesat e kundërshtarëve, tashmë janë me +8 pikë të shkëputur. Vorakët bënë rezistencë, por jo deri në atë pikë sa për të ndalur kryesuesit. Ruçi dhe Emini i dhanë trepikëshin e tetë sezonal ekipit të Jeton Beqirit.

Interesante ishte edhe ndeshja në Peqin. Pati 4 gola, por në fund Shkumbini dhe Besa ndanë nga një pikë. Kavajasit dy herë gjetën avantazhin me Cankën dhe Meçjen, por në të dyja rastet u barazuan prej Nexhës dhe Sulkjes. Burreli u shtang në shtëpi nga Pogradeci. Liqenorët vinin me shumë mungesa, por duarbosh nuk dolën nga “Liri Ballabani”. Edhe pse Hepaj shënoi i pari për vendësit në të 58-ën, mendoi Laçka që t’ua prishte festën.

I njëjti rezultat u regjistrua edhe në Bilisht, atje ku u zhvillua Maliqi-Butrinti. Juglindorët kanë harruar të fitojnë. Edhe kur realizojnë të parët, nuk e mbrojnë dot avantazhin. Shënoi që në të 8-ën Ivani, por Hyska ua prehu krahët.

Duel më shumë se i luftuar ishte ai në “Tofik Jashari”. Luhej për vendin e dytë dhe tensioni dhe loja e ashpër nuk mund të mungonin. Erzeni dhe Korabi u ndanë në “thatësi”. Vendësit nuk e gjetën dot rrugën e rrjetës përballë një mbrojtjeje të ngjeshur të dibranëve.

Këta të fundit morën çka deshën, ndërsa shijakasit patën pretendime për gjykimin. Kërkuan një penallti dhe kjo apo vonesa e lojës nga lojtarët miq acaroi edhe tifozët, aq sa u panë të hidhnin edhe shishe në fushë.

Rrjeta nuk pati as në “Roza Haxhiu”. Lushnja ka probleme të thella, pasi nuk mposht as vendin e fundit. Turbina doli në një lloj forme e fituar me barazimin, ndërsa verdhejeshilët futen në ujëra realisht të rrezikshme.

Tomori është i pathyeshëm në transfertë, teksa doli me pikë nga Puka. Një barazim duket pak, por beratasve u mjafton dhe sidomos kur përballë kishin Tërbunin që nuk është kundërshtar i lehtë për t’u kaluar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"