ANALIZA/ Alegri mjeshtër i korrigjimit, ja çfarë i mungoi Juves ndaj Frozinones

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2018 | 19:11

ANALIZA/ Alegri mjeshtër i korrigjimit, ja çfarë i mungoi Juves ndaj Frozinones

Nëse Juventusi arriti ta shembte murin e Valencias falë sulmeve të njëpasnjëshme të Zhoao Kanselos dhe Aleks Sandros, në pjesën e parë kundër Frozinones nuk e bëri dot. Sigurisht që njëfarë lodhje pas ndeshjes së Champions-it ekziston, por në fakt bardhezinjve u mungoi sulmi nga krahët, ku Huan Kuadrado dhe Aleks Sandro nuk ishin në ditën e tyre më të mirë.

bernardeski ronaldo

Më pak dalje përpara dhe më pak saktësi. Gjithçka shkonte në favor të zotëve të shtëpisë, të cilët qëndronin në zonën e tyre me dy linja dhe largonin çdo top që shkonte në zonë. Një “autobus” si ai i Murinjos. Një shifër? Skuadra e Masimiliano Alegrit në pjesën e parë e krosoi topin vetëm 9 herë. Kurrë nuk ka qenë një shifër kaq e ulët në 45 minutat e para në javët e luajtura deri tani të kampionatit. Juventusi deri përpara ndeshjes me Frozinonen kishte një mesatare krosimesh 13,3 në pjesën e parë.

Jo rastësisht, Alegri në pjesën e dytë zëvendësoi Bentankurin me Bernardeskin. Një mesfushor për një tjetër, i cili ka karakteristika të ndryshme dhe luan më nga krahët. Dhe pastaj në minutën e 69-të Kanselo në vend të Kuadrados. Dhe përmirësimi ishte i dukshëm. Në pjesën e dytë, bardhezinjtë hodhën 19 krosime në zonë dhe në fund arritën të zhbllokonin ndeshjen, duke e fituar 0-2. Dhe interesant është fakti që të dy lojtarët e futur në pjesën e dytë nga Alegri dhanë kontribut në dy golat e shënuar.

ALARMI- Më pak krosime në sulm dhe më shumë të pësuar ishin një fakt, të cilin Alegri e theksoi në konferencën për shtyp përpara ndeshjes. “Mbrojtësit duhet të mësojnë të mbyllen më mirë dhe të mos driblohen lehtësisht. Kur rivalët hedhin më shumë topa në zonë, atëherë ekziston mundësia më e madhe që mbrojtësit në qendër të humbasin vëmendjen dhe të pësojmë gol”, tha Alegri të shtunën. Dhe Frozinone në pjesën e parë e krosoi topin 9 herë, po aq sa Juventusi.

MJESHTËR- Për Masimiliano Alegrin flasin trofetë e fituar dhe askush në Serinë A nuk është si ai. Mirëpo, trajneri kampion i Italisë ka një tjetër cilësi të jashtëzakonshme. Sipas “Gazzetta Dello Sport” ai është një nga trajnerët më të mirë për të korrigjuar gabimet që bën në formacion dhe për të ndryshuar rrjedhën e lojës në skuadrën e tij. Bentankur dhe Emre Xhan ishin shumë të ngathët dhe luanin thuajse në të njëjtën zonë të fushës.

Trajneri e kuptoi dhe e zëvendësoi një mesfushor qendror me një tjetër që luan nga krahët dhe pëlqen të sulmojë më shumë si Bernardeski. Por, Alegri i dha mundësinë Dibalës që të ishte i lirë në lojën e tij dhe të bënte çfarë të donte në fushë. Por, shpërthimet e Bernardeskit dhe Ronaldos e zbehën lojën e argjentinasit, për të cilin Alegri tha fjalët më të mira pas ndeshjes. Por, kjo nuk është hera e parë kur trajneri i Juventusit korrigjon ndeshjet në pjesën e dytë dhe kupton që formacioni titullar nuk është më i miri. Ndoshta edhe ai vetë e di këtë gjë, por në këtë kalendar të ngjeshur duhet të aktivizojë edhe lojtarë të tjerë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"