ANALIZA/ Aksi Kimish-Gorecka, tani ky Bajern ka tru dhe muskuj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2021 | 17:47

ANALIZA/ Aksi Kimish-Gorecka, tani ky Bajern ka tru dhe muskuj

Joshua Kimish ishte i pari që rinovoi kontratën e tij me Bajernin. Disa javë më vonë ishte Leon Gorecka ai që ndoqi shokun e tij duke blinduar kështu mesfushën e kampionëve në fuqi. Në fakt, të dy janë prej disa sezonesh më shumë se shokë skuadre. Nga mbledhja e donacioneve për pandeminë dhe deri te dhoma e gjumit apo tavolina e ngrënies, Kimish dhe Gorecka ndajnë pothuajse gjithçka bashkë. Kjo nuk mund të jetë diçka negative për skuadrën e Bajernit dhe trajnerit Julian Nagelsman, të cilët tani do të kenë një bazament të fortë edhe për pesë vitet e ardhshme.

03 08 2019 Fussball GER Saison 2019 2020 DFL Supercup Finale Borussia Dortmund FC Bayern Muen

TRU DHE MUSKUJ

Pothuajse në çdo ndeshje ai është truri i skuadrës, Joshua Kimish është një kompas perfekt nga ku nisin aksionet e bavarezëve. Dëshira dhe grinta që tregon gjermani janë për t’u admiruar. Kjo ndodhi edhe në ndeshjet me kombëtaren gjermane. Ai nuk mund të jetë një yll që shkëlqen me gola dhe asiste, por është energjia dhe zemra e skuadrës. Në mimikën e tij mund të kuptosh fare mirë gjendjen emocionale të skuadrës në momente të caktuara të ndeshjes.

Në krah të tij është djaloshi muskuloz, Leon Gorecka. Një tjetër gur i çmuar i cili tani do të ruhet në minierat e Bavarisë, të paktën për pesë vitet e ardhshme. “Ishin blerjet më të rëndësishme të merkatos”, tha Oliver Kahn në konferencën për shtyp. Leon është pa dyshim një nga mesfushorët më të fortë dhe më inteligjent në Bundesligë dhe në Europë. Ndryshe nga Kimish, ai shënon dhe është më shumë prezent në golat e skuadrës, kjo edhe falë asisteve dhe vendosjes së tij në fushë.

Aksi Kimish-Gorecka u ruajt dhe tani kampionët mund të besojnë sërish te trofetë e mëdha. Kahn-Salihamixhiç dhanë një sinjal të fortë dhe të qartë se Bajerni nuk shet yje edhe në kohë të vështira financiare duke treguar se vazhdon të ketë financa të shëndosha dhe se drejtuesit mund të përballojnë kohërat e vështira. Tani stafeta i kalon Nagelsmanit i cili duhet të shtyjë skuadrën për të bërë gjëra të mëdha. Sinjali i parë u dha në Barcelonë, aty ku gjermanët dominuan, fituan një ndeshje në një fushë ku shumë skuadra të mëdha kanë dështuar. Ishte vetëm fillimi, por ndonjëherë aq mjafton për të parashikuar të ardhmen e cila duket e suksesshme në Mynih.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"