Analiza/ Ja pse Sane sjell Champions-in në Mynih

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2020 | 20:08

Analiza/ Ja pse Sane sjell Champions-in në Mynih

“Erdha në një skuadër ku mund të fitoj shumë në karrierën time. Champions-i është një prej trofeve që Bajerni ka fituar në të kaluarën dhe mund ta bëjë sërish. Kjo është rruga e duhur për mua. Nuk u mendova dy herë kur më pyetën se ku do të shkoja”, tha i entuziazmuar Leroi Sane në prezantimin e bërë ditën e enjte në krah të Karl Hainc Rumeniges dhe drejtorit sportiv Hasan Salihamixhiç.

leroi sane

Ky i fundit i ka folur shumë për projektin e Bajernit dhe rolin që numri 10 do të kishte në të. Për momentin bavarezët shihen si favoritët kryesorë për të fituar Champions-in, edhe pse në sezonin aktual ata nuk do të kenë mundësi të aktivizojnë yllin gjerman. Sigurisht që Sane nuk mendon vetëm për këtë sezon. Ai firmosi një kontratë 5-vjeçare me kampionët e Gjermanisë ku pritet të fitojë shumë trofe.

NUMRI 10

Uli Hënes, Lotar Matesu, Roi Makai dhe Arjen Roben kanë qenë prej vitesh numrat 10 më të suksesshëm në historinë e Bajernit. Për Leroi Sanenë, kjo do të jetë një arsye më shumë për të treguar se sa vlen. Një motiv për të fituar sa më shumë. Rumenige kishte të drejtë kur tha se Leroi është një fishek më shumë për sezonin e ardhshëm. Kualiteti i tij do t’i japë më shumë fantazi dhe klas sulmit bavarez.

SANE LEROI

Eksperienca e madhe me Mançester Sitin do t’ia bëjë më të lehtë trajnerit Hansi Flik për ta vendosur atë përkrah një sulmuesi të madh si Robert Levandovski. Tani, Sane nuk është më një djalosh i ri, i cili shkoi nga Shalke në një skuadër të madhe si Siti. Ky akull është thyer tashmë dhe ai (Leroi) ka diçka më shumë. Ai mbart me vete edhe zhgënjimin e mosgrumbullimit në Botërorin e Rusisë, ku nga mënyra se si rrodhën ngjarjet, mund të jetë i lumtur që nuk ishte pjesë e skuadrës. Por, Joakim Lëv e di shumë mirë që trofetë e mëdha do të kalojnë nga ai.

SHOKËT E SKUADRËS

“Kam shumë shokë këtu me të cilët kam luajtur edhe te Gjermania. Ata e njohin lojën time dhe unë të tyren”, shprehej gjermani për faqen zyrtare të klubit. Kjo ishte një tjetër arsye pse Bajerni e dëshironte atë që në sezonin e kaluar. Por, dëmtimi në ndeshjen e fundit bëri që lojtari të humbiste pjesën më të madhe të vitit duke qëndruar jashtë fushe. Por, kjo nuk pritet të jetë një problem për Hansi Flikun, i cili ngado që ta vendosë Sanenë, ai do t’i shërbejë njëlloj skuadrës.

Sane

Idetë janë të qarta, Leroi do të luajë në krahun e majtë të sulmit, edhe pse në varësi të situatave ai mund të luajë edhe pas sulmuesit. Një gjë është e sigurt, me Nojerin, Kimishin, Goreckën, Gnabrinë dhe Zylen, numri 10 i Bajernit do të ndihet si në shtëpinë e tij.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"