Amerikane dhe boshnjake, Flamurtari ndez merkaton/ Vlonjatet bëjnë lëvizjet e para

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2021 | 21:43

Amerikane dhe boshnjake, Flamurtari ndez merkaton/ Vlonjatet bëjnë lëvizjet e para

Flamurtari në basket boll për femra do të synojë në sezonin 2021-2022 mbrojtjen e titullit. Kampionet në fuqi do të kenë përforcime cilësore me lojtare të huaja gjatë kësaj merkatoje. Në këto kushte, shefi i klubit shumësportësh, Klevis Kaso, dhe trajneri, Erion Hoxhaj, po punojnë maksimalisht për të afruar lojtare sa më cilësore. “Panorama Sport” mëson se tashmë janë bërë edhe dy goditjet e para.

Flamurtari

Flamurtari ka arritur akordin me basketbollisten amerikane Emma Coleman Obryan. Më parë, ajo ka qenë pjesë e basketbollit të femrave në Teksas, ndërsa ka pasur të dhëna shumë të mira si sportiste. Elma Feukic është një tjetër basketbolliste që bëhet pjesë e Flamurtarit për sezonin e ri. Feukic ka luajtur më parë me klubin Jedinstvo Dzenex Tuzla.

Ajo është stërvitur nga trajnerët e famshëm boshnjakë, Mara Lakiz-Brzaninoviz dhe Mirza Ostrakovic, por nuk mbaron me kaq. Gazeta mëson se klubi është në kontakte edhe me dy lojtare të tjera cilësore, një amerikane dhe me shumë gjasa edhe një tjetër boshnjake. Megjithatë, emrat e tyre nuk bëhen të ditura derisa të arrihet akordi përfundimtar. Nga grupi i lojtareve të huaja që mbyllën sezonin duke u shpallur kampione, pritet që të qëndrojë vetëm një lojtare, ndërsa verdiktin përfundimtar për këtë do ta japë trajneri Hoxhaj. I gjithë grupi tjetër i lojtareve vendëse do të mbetet i paprekur.

Flamurtari basket

Shefi i klubit shumësportësh Flamurtari, Klevis Kaso, për “Panorama Sport” thotë se objektivat mbeten madhorë. “Jemi duke punuar për përforcimin e skuadrës. Bashkë me trajnerin po punojmë për të përforcuar skuadrën me elementë cilësorë. Kemi arritur akordin me dy lojtare të huaja dhe presim edhe dy të tjera po të huaja. Edhe në sezonin e ri do të kemi një Flamurtar të frikshëm dhe pretendent për titullin kampion dhe të gjithë trofetë e tjerë”, deklaroi Kaso.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"