Ambrozini e “merr në pyetje”, Tonali: Duam Champions-in! Bëjmë historinë, ju tregoj 2 futbollistët që do të shpërthejnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2023 | 23:52

Ambrozini e “merr në pyetje”, Tonali: Duam Champions-in! Bëjmë historinë, ju tregoj 2 futbollistët që do të shpërthejnë

Sandro Tonali, me 34 prezenca sezonale kundrejt 37 ndeshjeve të ekipit, është ndër lojtarët më të përdorur në këtë sezon nga Stefano Pioli. Së fundmi ai ka dhënë një intervistë për Masimo Ambrozinin, i cili tashmë është në rolin e opinionistit për rrjetin “DAZN”.

TONALI AMBRO

Keni qenë gjithmonë mesfushor?

Jo, në fakt. E kam nisur si sulmues, por me kalimin e kohës u zhvendosa.

Ju rëndon fakti që ju krahasojnë me Pirlon?

Tashmë nuk ma thonë më. Kur isha te Bresha ishte një krahasim që nuk më ndahej e me thënë të drejtën ishte bërë disi i rëndë.

Keni pasur ndonjë idhull në fëmijëri?

Fanella e parë që më kanë dhuruar ka qenë ajo e Frenk Lampardit të Çelsit. Më pas fillova të marr gjithmonë e më shumë ato të Milanit.

Si jeni bërë milanist?

Prej tim eti. E ndiqte Milanin në çdo ndeshje, madje edhe në ato larg “San Siro”- s. Ishte nga ata tifozë ultras, të cilët tensionohen në çdo ndeshje të skuadrës.

E kujtoni herën tuaj të parë në “San Siro”?

Ka qenë një Milan – Kievo e fituar 1-0 me një gol të Sedorfit në minutë e fundit. Asokohe nuk e mendoja kurrë që mund të luaja me fanellën e Milanit një ditë.

Cili është raporti juaj me Maldinin?

Ka bërë shumë për të më marrë te Milani së bashku me drejtorin Masara. Me ata do të jem ngaherë mirënjohës.

Po kur zbarkuat vërtetë në skuadër?

Në verën e vitit 2020 kisha folur me mamanë, të dashurën time dhe menaxherin. E dinin se sa e ëndërroja Milanin dhe ditët e para pas firmës ishin një lumë emocionesh. Në vitin e parë e pata të vështirë, sidomos kur erdhi puna për të ndarë tifozin nga futbollisti. Për fat u ambientova dhe arrita të tregoj diçka edhe unë.

A vuajtët shumë në atë sezon të parë si kuqezi?

Fanella më peshonte shumë në muajt e parë, sepse ndodhesha aty ku ëndërroja dhe nuk doja të zhgënjeja askënd. Kisha frikë sepse duke ardhur nga Bresha gjeta një vend shumë të ndryshëm. Vështirësitë dhe pengesat më ndryshuan, por duhet të them se Pioli ishte thelbësor në kapërcimin e asaj periudhe të ndërlikuar.

Sa ndikoi ajo periudhë?

Mjaftueshëm për të kuptuar më mirë dinamikat e këtij niveli. Tashmë edhe unë mundohem të bëj të njëjtën gjë me shokët që po kalojnë vështirësi si ato të miat. Nuk kam menduar kurrë se mund të dështoja dhe fakti që në fillim luanim me stadiumin e boshatisur ishte një faktor që më ndihmoi shumë.

Po sezoni i dytë si ishte?

Fillova të ndihesha më i sigurt dhe kjo më dha forcë. Për më tepër, fakti që u bëra titullar me jepte besim. Në ato ndeshje kuptova se e kisha bërë hovin cilësor dhe në ata muaj të parë të sezonit të dytë tregova gjithçka kisha mbajtur brenda.

Pra, përvoja juaj mund të ndihmojë edhe lojtarë si De Ketelare?

Po, dhe e shoh si diçka normale duke qenë se janë vështirësi që i kam kaluar edhe unë. Për Sharlin janë shpenzuar shumë para, sepse besohej se ai mund të zgjidhte ndeshjen. Është normale që të ketë presion e të jetë nën trysni, megjithatë unë mendoj se është një lojtar i zoti që duhet vetëm të gjejë besimin në vetvete.

Ne të gjithë duhet ta ndihmojmë dhe jam i bindur që sapo të bëjë një ndeshje të mirë do të shohim edhe De Ketelaren e vërtetë.

Çfarë mund të thoni për Leaon?

Është një djalë i veçantë. Si jashtë, ashtu edhe brenda fushe. Është nga ata lojtarë për të cilët nevojiten dy futbollistë që ta mbulojnë. Sa herë ndizet ne arrijmë të godasim portën në pak sekonda. Me aftësitë e tij mund të bëjë gjithçka, por thjesht duhet të gjejë vazhdimësinë e vitit të kaluar e për këtë duhet stimuluar. Leao ka një talent të padiktueshëm dhe duhet të hedhë në fushë të gjitha cilësitë e tij.

Po për Ibrën?

Më stimulon aq shumë saqë edhe në stërvitje dua të jem gjithmonë në skuadër me të. Kur jemi kundër dhe e mund, e vë në lojë. Por ama, sa herë humbas ai më masakron.

Si e shpjegoni krizën e Milanit në janar?

Në 5 minuta të MilanRoma u shemb kalaja që kishim krijuar. Ende nuk kam mundur t’i jap vetes një shpjegim. Mendoj për stërvitjet e asaj periudhe dhe nuk e kuptoj si ishte e mundur që patëm atë rënie. Gjithmonë stërviteshim në maksimum, pastaj humbnim besimin sapo niste ndeshja, pasi dukshëm ishim shumë të brishtë. Ilaçi ishte të fitonim sërish dhe të luanim me guxim.

Nuk e kemi harruar atë muaj, e kemi studiuar dhe kemi mësuar gjëra të vogla që duhen mbajtur gjithmonë me vete. Ishte çmenduri të bënim ato 7-8 paraqitje, dy ose tri mund të ndodhin, por shtatë ishin vërtetë shumë.

Si ju duket ndryshimi i modulit dhe mbrojtja me tre?

Ishim mësuar të sfidonim rivalët në duele një kundër një dhe nuk ishte e lehtë të ndryshonim gjithçka. Por në një moment kaq delikat ishte pika e kthesës dhe rezultoi një vendim që na ndihmoi. Nuk luajtëm futbollin tonë të zakonshëm, por ishim më të sigurt në fushë.

Çfarë mund të bëni në Champions?

Të gjithë e dimë se është kompeticioni më i bukur që mund të luhet. Vitin e kaluar dështuam, sepse mund ta kishim bërë më mirë. Me Atletikon e Madridit në shtëpi dominonim, pastaj erdhi ai karton i kuq. Mund të them se dështuam, pasi jemi Milani dhe nuk mund të eliminohemi që në fazën e grupeve. Nuk i kemi vënë vetes një objektiv, por jemi ambiciozë dhe duam të luajmë lehtë nga mendja dhe këmbët.

Dikur shkruanit një letër për Babagjyshin duke i kërkuar fanellën e Milanit. Po sot çfarë do t’i kërkonit?

Finalen e Champions-it. Për ta fituar….

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"