Ambiciet për medalje në Lojërat Olimpike, presidenti Ruli: Smajlaj mund të kërcejë 8.5 metra, Gega për rekord

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2021 | 23:52

Ambiciet për medalje në Lojërat Olimpike, presidenti Ruli: Smajlaj mund të kërcejë 8.5 metra, Gega për rekord

Atletika shqiptare tashmë duket plotësisht gati për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, të cilat do të hapen më 23 korrik në Japoni. Vendi ynë do të përfaqësohet në “mbretëreshën e sporteve” me dy atletë elitarë dhe rekordmenë si Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj, të cilët do të garojnë respektivisht në 3 mijë metra me pengesa dhe kërcim së gjati.

izmir

Në prag të Lojërave Olimpike, presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës duket shumë entuziast dhe i lumtur, teksa bën të ditur se jo vetëm Luiza, por edhe duhet llogaritur si një sportist që shkon me normë në Tokio. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Ruli e komentoi kështu prezencën e atletëve kuqezi në Japoni. “Për atletikën është fat që përfaqësohet nga dy ikona të këtij sporti si Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj.

Luiza është deklaruar me kohë si pjesëmarrëse duke e kapur normën, por dua të theksoj se edhe Izmiri shkon me normë dhe jo me ftesë. Dua të sqaroj se garat e kërcimit për së gjati, ashtu sikurse gara e 100, 200 apo 400 metrave janë garat që kanë prurjet më të madha të atletëve. Janë gati 10 mijë atletë që bëjnë garën e kërcimit për së gjati, që janë 10-fish në raport me 3 mijë metrat me pengesa. Në rastin konkret kemi 32 atletë në finale, ku asnjë prej tyre nuk e ka kaluar rezultatin 8.22 metra në vitet 2019 dhe 2020. Smajlaj kërceu 8.16 metra këtë vit, pra ishte brenda normës së përcaktuar pas olimpiadës së Rios”, deklaroi kreu i FSHA-së.

LUIZA GEGA – Presidenti i atletikës shqiptare më tej u ndal të flasë për Luiza Gegën, nga e cila pret një tjetër rekord kombëtar, që do të ishte një tjetër mrekulli: “Duke qenë se Luiza Gega është një stekë e vjetër, nëse do të përsërisë garën e Dohas do të thyejë rekordin dhe kjo do të ishte një mrekulli për federatën dhe vetë atleten, e cila është në fundin e karrierës, gjithashtu edhe për trajnerin”.

IZMIR SMAJLAJ – Ruli, i cili prej vitesh është edhe trajner personal i Smajlajt, ka pritshmëri të larta nga atleti i tij: “Për Smajlajn, detyra kryesore është që të thyejë rekordin 8.16 metra. Por, edhe një herë dua ta theksoj se Izmiri nuk është një atlet 8.16 metrash. Pritshmëritë për të janë shumë të larta. Ai duhet thjesht të bëjë atë që bën në stërvitje. Kemi ndryshuar orarin dhe tani stërvitemi natën, duke iu përshtatur edhe temperaturës. Për këtë dua të falënderoj Bashkinë e Tiranës”, thotë Ruli. Kreu i FSHA-së tregon se Izmir Smajlaj po tregon përmirësim çdo ditë e më shumë dhe thjesht duhet të realizojë në garë atë që bën në stërvitje. Nëse e bën diçka të tillë, sipas Rulit, shkodrani do të arrinte rezultate 8.40 apo 8.50 metra.

“Çdo ditë Smajlaj po përmirëson rekordet personale në të gjitha segmentet, te hapat dhe vrulli, si në kohë ashtu edhe në teknikë. Po regjistrojmë rezultate 8.40 deri në 8.50 metra. Nëse Izmiri arrin t’i koordinojë në garë të gjitha këto gjëra që po bën në stërvitje, atëherë me bindje do të kemi rekord kombëtar, finale dhe pse jo, edhe ndonjë medalje në Lojërat Olimpike. Smajlaj është një atlet që emocionin e ka shumë pozitiv dhe arrin ta kthejë në energji. Kjo është diçka shumë e madhe. Bëhet fjalë për një atlet që kërkon vëmendje, jo për t’u dukur, por për faktin se arrin që të shprehet më mirë dhe me më tepër energji. Izmiri ka gjendje të mrekullueshme si në forcë, kërcyeshmëri dhe shpejtësi. Kështu që, të shpresojmë që në këto gara ta kemi edhe fatin me vete”, përfundoi prononcimin e tij Ruli.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"