Alvesh: Vlorën e kam në zemër, në Shqipëri luaj vetëm për Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2018 | 14:46

Alvesh: Vlorën e kam në zemër, në Shqipëri luaj vetëm për Flamurtarin

Danilo Alvesh premton se do të mbetet vetëm kuqezi nëse vendos që të rikthehet në Shqipëri. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, braziliani mohon të këtë negociata me Kukësin apo me ndonjë klub tjetër të në kampionatin tonë. Sulmuesi thekson se është në kontakte të vazhdueshme me drejtuesit dhe futbollistët e Flamurtarit.

danilo alvesh

Momentalisht Alvesh po pushon në Brazil pranë familjes së tij, por edhe po stërvitet individualisht. Ai zbulon se ka oferta nga ekipe jashtë Shqipërisë, ndërsa thotë se nëse kthehet në Shqipëri, destianacioni mbetet Vlora. “Unë nuk kam kontakte me asnjë ekip tjetër shqiptar, siç po qarkullojnë lajmet së fundmi. Akoma nuk kam vendosur për të ardhmen time. Jam duke shqyrtuar disa oferta që më kanë ardhur nga jashtë Shqipërisë. Me futbollistët e Flamurtarit, por edhe me drejtues të klubit, unë flas thuajse çdo ditë dhe jam në kontakt me ta.

Muzaka dhe Danilo Alvesh

Unë kam shumë respekt dhe dashuri për Flamurtarin. Pikërisht për këtë arsye unë iu thashë drejtuesve në Vlorë se nëse unë do të kthehem në Shqipëri, zgjedhja e parë dhe e padiskutuar do të ishte Flamurtari. Familja ime dhe unë jemi shumë të dashuruar me Shqipërinë dhe Flamurtarin. Ne e duam vendin tuaj. Unë punova 2 vjet e gjysmë atje dhe kjo është një kohë e gjatë. Nëse kthehem në Shqipëri, dua që në Vlorë të rri edhe më gjatë”, u shpreh fillimisht 27-vjeçari, i cili gjatë qëndrimit në Vlorë numëron 73 ndeshje dhe 13 gola. Sulmuesi mendon se Flamurtari si klub profesionist do të bëjë zgjedhjen e duhur në drejtim të rinovimeve, por edhe të afrimit të lojtarëve të rinj. Alvesh shprehet i kënaqur me konfirmimet që drejtuesit kanë bërë së fundmi. “Më vjen mirë që klubi ka mbajtur disa lojtarë. Është një klub profesionist dhe që mendoj se do të bëjë zgjedhje të duhura, si për rinovimet, ashtu edhe për afrimet e reja”, përfundoi braziliani, duke komentuar lëvizjet e Flamurtarit.

Bushiç dhe Danilo Alvesh

SITUATA – Danilo Alveshit i ka përfunduar kontrata dyvjeçare që kishte me Flamurtarin dhe si të gjithë lojtarët e tjerë ai është i lirë. Por ende nuk dihet nëse ai do të kthehet në Vlorë apo do të vijojë karrierën e tij në një ekip tjetër qoftë edhe jashtë Shqipërisë. Burime pranë klubit vlonjat konfirmojnë për “Panorama Sport” se do të jetë trajneri i ri që do të vendosë për kthimin ose jo të Alveshit. Por nëse braziliani do të jetë pjesë e Flamurtarit sezonin e ri, do të nënshkruajë një kontratë për dy sezone.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"