Alvesh mban në ankth Flamurtarin, një hap fals ndaj Lushnjës sjell furtunë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2018 | 9:47

Alvesh mban në ankth Flamurtarin, një hap fals ndaj Lushnjës sjell furtunë

Nga Lushnja te Lushnja. Flamurtari kërkon që t’u rikthehet fitoreve me ekipin ku shënon edhe fitoren e fundit në kampionat. Si për koincidencë, fitorja e fundit daton më 18 shkurt, kur vlonjatët fituan me rezultatin 2-0 me Lushnjën, por në Vlorë. Ndeshja e sotme vjen në një kohë kur Flamurtari është i dënuar për të marrë tri pikët nga kjo transfertë. Vlonjatët fituan me Lushnjën në kuadër të javës së 20-të të kampionatit, me gola të Bicajt në minutën e 65-të, si dhe Alveshit në minutën e 91-të. Por për nga mënyra sesi dhe kur e gjeti Flamurtari rrugën e rrjetës në takimin me Lushnjën, ku shënoi edhe fitoren e fundit, duket se ndeshja do të jetë tejet e vështirë edhe sot. Nga 18 shkurti, vlonjatët nuk fitojnë më, por kanë shënuar vetëm barazime dhe humbje. Edhe pse Lushnja është në vend të fundit me 10 pikë, vlonjatët do ta kenë të vështirë sot, për shkak të situatës në të cilën ndodhen. Flamurtari gjendet në vendin e 6-të me 37 pikë. Vlonjatët do të tentojnë kështu fitoren në takimin e sotëm dhe ndoshta Lushnja sjell fat pas eksperiencës pozitive të muajit shkurt, kur daton edhe fitorja e fundit e Flamurtarit në kampionat, po me Lushnjën.
danilo alvesh
SITUATA – Flamurtari tronditet para Lushnjës. Sikur të mos mjaftonin hallet që kanë shoqëruar së fundmi ekipin, duket se dëmtimet janë kthyer në makth për vlonjatët. Danilo Alvesh bën me dhimbje koke trajnerin Shpëtim Duro. Qysh pas ndeshjes me Skënderbeun, sulmuesi vlonjat shfaqi probleme të një dëmtimi. Fillimisht u mendua se nuk do të ishte serioze situata, por braziliani ka ndier dhembje edhe në seancën e fundit stërvitore. Bëhet fjalë për një problem të vjetër që Alvesh ka në gju. Trajneri Duro e ka planifikuar Alveshin në formacion, pavarësisht se sot para ndeshjes do të vendoset përfundimisht. Alvesh do të udhëtojë me ekipin drejt Lushnjës, për shkak se as Tomislav Bushic nuk është. Mbetet që, pavarë- sisht shqetësimeve në gju, Alvesh të sakrifikojë sot dhe të luajë. Por, një tjetër shqetësim është edhe Kamara. Ky i fundit konfirmohet se do të mungojë për tre ose katër javë, për shkak të një tërheqjeje muskulore. Braziliani Xhufo ende nuk është i gatshëm për këtë takim, ndërsa aktivizimi i tij mbetet 50 me 50%. Po ashtu dihet se Bushic nuk është i gatshëm për shkak të dëmtimit. Kapiteni është duke u rehabilituar në Kroaci, ndërsa gjasat janë që të mungojë edhe dy javë të tjera.
ULTIMATUMI – Rruga e vetme sot për Flamurtarin është të fitojnë. “Panorama Sport” mëson se nëse sot nuk arrihet të dilet nga kriza, atëherë pritet që të nisin masat ndëshkuese financiare për ekipin. Fitoren e kërkon edhe vetë administratori Sinan Idrizi, i cili dy ditë më parë për gazetën tha se që nga kjo javë pret kthesën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"