Alvesh harron presionet: Dua trofe me Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2017 | 20:03

Alvesh harron presionet: Dua trofe me Flamurtarin

Danilo Alvesh, sulmuesi brazilian i skuadrës së Flamurtarit ka qenë një ndër emrat më të lakuar në merkato ditët e fundit dhe për këtë arsye në një prononcim për “Panorama Sport”, ai nuk pranon që të flasë për të kaluarën, por vetëm për të tashmen dhe të ardhmen.

Alvesh

Pavarësisht se në mesazhin e tij të pak kohëve më parë, shprehej se në Vlorë ishte kërcënuar dhe se nuk ndihej mirë, tani që i është bashkuar ekipit nuk dëshiron që t’i kthehet më pas kësaj historie. Ashtu si një vit më parë, edhe këtë vit, Alvesh u largua për shkak të vonesës së pagave, por tashmë duket se gjithçka është zgjidhur.

“Është dita e dytë që unë stërvitem me ekipin. Nuk munda që të vija që në fillim këtu në Maqedoni për shkak të një çështjeje familjare. Tani u riktheva dhe u bashkova me ekipin. Kështu që tani jam i lumtur. Nuk dua që të flas për të shkuarën. Gjërat janë qartësuar dhe zgjidhur, ndaj mua më ngelet që të shoh vetëm fushën e blertë dhe aspak jashtë saj.

Danilo Alvesh

Puna dhe pasioni im është futbolli dhe rikthimi për mua në këtë punë që e dua, do të thotë shumë, do të thotë lumturi. Në Vlorë ndihem shumë mirë. Tifozët më respektojnë, ashtu sikundër edhe drejtuesit e klubit. Po ashtu në skuadër kam shumë shokë të mirë”, u shpreh fillimisht Alvesh.

OBJEKTIVI – Sulmuesi brazilian premton se ashtu sikundër ka bërë deri më tani, do të vazhdojë të jap maksimumin, kokulur dhe me korrektësi. Braziliani ka edhe një ëndërr, që të fitojë trofe me Flamurtarin, ndërsa mendon se ka ardhur koha edhe për këtë gjë. “Unë do të vijoj që të jap maksimumin tim.

Alvesh gol Flamurtari

Ashtu sikundër kam bërë deri më tani, do të punoj me korrektësi dhe qetësi. Klubi gjithmonë ka punuar për objektiva madhorë, duke ndërruar ekipe për këtë qëllim. Por, siç dihet edhe heqja e pikëve na dëmtoi shumë. Megjithatë unë besoj se ne do të arrijmë maksimumin. Kam bindjen se ky do të jetë viti ynë dhe pse jo viti për të fituar trofe. Për këtë janë të gjitha mundësitë”, ka vazhduar lojtari.

KONKURRENCA – Duke u ndalur te konkurrenca, sulmuesi Alvesh thekson se ajo i bënë mirë ekipit. Sipas tij te Flamurtari këtë sezon janë afruar lojtarë cilësorë. Për Alveshin sulmi vlonjat është i frikshëm së bashku me Bushiç, të cilin e shikon si partner ideal.

bushic

“Drejtuesit kanë afruar këtë sezon lojtarë cilësorë. Është fillimi, por po ambientohemi shpejt. Dua të them se konkurrenca është mjaft e rëndësishme në ekip. Ne jemi një skuadër që kemi sulm të frikshëm. Bushiç është një partner shumë i mirë dhe ne plotësojmë njëri-tjetrin”, ka përfunduar Alvesh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"