Alonso do rekordin absolut/ Nga Hill te Barrikelo, ja pilotët më jetëgjatë në Formula 1

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 3, 2022 | 22:59

Alonso do rekordin absolut/ Nga Hill te Barrikelo, ja pilotët më jetëgjatë në Formula 1

Në “Çmimin e Madh të Australisë” në vitin 2001, Fernando Alonso bëri debutimin e tij në Formula 1, e ndonëse tashmë në moshë 41-vjeçare, spanjolli do të vijojë të jetë pjesë e kategorisë më të lartë të automobilizmit, të paktën edhe për sezonin e ardhshëm. Siç dihet dy ditë më parë ai firmosi kontratën e re me Aston Martin, skuderi ku do të pasojë gjermanin Sebastian Fetel.

open-uri20120929-20398-17vs7k2

Dy herë kampioni i botës u përket legjendave të Formulës 1 dhe nuk ka aspak ndërmend që të tërhiqet, duke konfirmuar edhe një herë urinë e një piloti luftëtar, që nuk i trembet kohës. Më poshtë ju pasqyrojmë 10 pilotët me numrin më të lartë të pjesëmarrjeve në botëror, të cilët kanë garuar të paktën në një garë gjatë një sezoni. Ikona nga Majkëll Shumaker te Kimi Raikonen, për të vijuar me britanikët Luis Hamilton dhe Xhenson Baton, ja cilët janë rekordmenët në F1.

XHO BONIER – Plot 16 sezone në F1 për Xho Bonier. Suedezi i lindur më 31 janar 1930 e ka bërë debutimin e tij në “Çmimin e Madh të Italisë” 1956. Tri vite më vonë erdhi edhe fitorja e parë dhe e vetme e tij në Holandë në Zandvort. Bonier e mbylli karrierën në F1 në vitin 1971, për ta vijuar më pas disa muaj në kategori të tjera të automobilizmit. Për të rezultoi fatale gara 24-orëshe e La Manshit në vitin 1972, ku hubi jetën pas një aksidenti.

XHEK BRABHAM – Edhe Xhek Brabham ka qenë një idhull për të gjithë të pasionuarit e Formulës 1 në vitet ‘60. Australiani, tri herë kampion bote, ka debutuar në “Çmimin e Madh të Britanisë” 1955, pa mundur të futej në zonën e pikëve në atë garë. Por karriera e gjatë prej 16 sezonesh në F1 vijoi me 14 fitore, 31 podiume dhe 13 “pole position”. Gara e tij e fundit i përket sezonit 1970 në Maksikë, aty ku u tërhoq për shkak të problemeve në motor.

LUIS HAMILTON- Çfarë do të ishte Formula 1 pa “Madhërinë e Tij”, Luis Hamilton? Britaniku ka qenë simboli i padiskutueshëm i dekadës së fundit, duke fituar gjashtë nga shtatë titujt e tij kampionë, nga viti 2014 deri më 2020-ën. Sezoni i parë i Hamiltonit në Formula 1 daton në vitin 2007, edicion ku për pak desh bëri befasinë e madhe, teksa iu afrua menjëherë titullit. Aktualisht piloti i Mercedesit po zhvillon sezonin e 16-të në F1, rekord që pritet ta thellojë edhe me tepër, duke qenë se 37-vjeçari ka kontratë edhe për sezonin tjtër me “shigjetën e argjendtë”.

RIKARDO PATRESE – Mes pilotëve me më shumë sezone në F1 bën pjesë edhe italiani Rikardo Patrese. Për të janë 17 vite pjesëmarrje në gara, teksa debutimin e ka bërë në vitin 1977 në Montekarlo, event ku nuk arriti të futej në zonën e pikëve. Megjithatë, kënaqësitë më të mëdha në F1 do t’i merrte në sezonet e pasardhëse, duke regjistruar 6 fitore dhe 8 “pole position”. Rezultati më i lartë në botëror për të është vendi i dytë, pas Nigel Mansell në vitin 1992. Një vit më vonë ishte edhe sezoni i tij i fundit në F1, duke u klasifikuar i pesti me makinën Beneton, teksa shok skuadre kishte Majkëll Shumakerin.

XHENSON BATON – Debutimi i britanikut në F1 daton në vitin 2000, si një talent madh i skuadrës Williams. Që prej garës së tij të parë në Australi, e deri në atë të fundit në 2016-ën, Baton nuk u ndal asnjëherë. Për të janë 18 sezonet, në të cilat ka marrë pjesë të paktën në një garë, duke llogaritur këtu edhe konkurrimin në vitin 2017 në Montekarlo me makinën McLaren, garë e mbyllur para kohe për shkak të një aksidenti. Ajo nuk ishte “përshëndetja” më e mirë me Formulën 1 për kampionin e sezonit 2009.

GRAHAM HILL – Mes protagonistëve të viteve të parë të Formulës 1 është sigurisht Graham Hill. Britaniku (babai i Demon Hill, kampion në 1996) ishte një pilotëve më spektakolarë të kohës. Ai regjistron dy tituj në vitet 1962 dhe 1968, ndërsa koleksionon plot 18 sezone në F1. Një rekord për një epokë që ende nuk kishte sistemin e duhur të sigurisë në pistë, e shoqëruar me shumë aksidente tragjike. Gara e parë për Graham Hill ka qenë në vitin 1958 në Montekarlo, ndërsa e fundit në Brazil në vitin 1975, vit ku do të ndahej nga jeta pas një aksidenti ajror.

KIMI RAIKONEN – Ndonëse jo radhazi, Kimi Raikonen numëron 19 vite në Formula 1, duke qenë një prej personazheve të këtij sporti. Finlandezi ka debutuar në vitin 2001 në Australi me makinën Sauber, para se të merrte një rol protagonist në sezonet e mëtejshme te McLaren dhe Ferrari. Kampion bote në vitin 2017, Raikonen ka vendosur të dalë nga F1 në dy sezone (2010, 2011), për tu rikthyer në vitin 2012, duke iu afruar shumë titullit. Gara e fundit e tij në kampionat i përket sezonit 2021 në Abu Dabi me Alfa Romeon.

RUBENS BARRIKELO – Edhe braziliani bën pjesë në grupin e luftëtarëve të Formulës 1, aty ku ka debutuar në vitin 1993 në “Çmimin e Madh të Afrikës së Jugut”, ndërsa është tërhequr në vitin 2011 në garën e shtëpisë në Brazil. Barrikelo ka marrë pjesë në plot 323 gara duke shënuar 11 fitore gjatë karrierës së tij prej 19 sezonesh. Ai është protagonist në epopenë magjike të Farrarit në vitet 2000-2004, ndërsa është shpallur dy herë nënkampion.

MAJKËLL SHUMAKER – Shtatë tituj në 19 sezone është bilanci i Majkëll Shumakerit në Formula 1. Një legjendë që ka shkruar historinë e këtij sporti si për rezultatet e arritura, gjithashtu edhe për vitet e shumta që ka milituar në kampionat. 19 sezone për gjermanin, po aq sa Raikonen, Barrikelo dhe Alonso. Gara e para e Shumit në F1 i përket sezonit 1991 në Spa me makinën Jordan. Deri në vitin 2006 ka marrë pjesë në çdo edicion, me makinat Beneton dhe Ferrari. Më pas u tërhoq, për t’u rikthyer duke pranuar sfidën me Mercedesin. Kështu nga 2010-ta deri më 2012-ën përsëri në F1, duke vendosur më pas tërhiqej në garën e fundit sezonale në Brazil.

FERNANDO ALONSO – 19 sezone në F1 edhe për Fernando Alonson, por spanjolli sheh përpara dhe tashmë përgatitet për të rishkruar historinë. Kontrata me Aston Martin për vitin 2023 i mundëson që të bëhet piloti me më shumë vite mbi shpatulla në historinë e Formulës 1, duke prekur numrin e 20 sezoneve, për të lënë pas Shumakerin, Raikonenin dhe Barrikelon. Alonso ka debutuar në vitin 2001 në Australi, ndërsa dy vite më vonë arriti fitoren e parë në Hungari.

Dy herë kampioni i botës në vitet 2005 dhe 2006 me makinën Renault, në fund të sezonit 2018 u tërhoq për të kaluar në disiplina të tjera të automobilizmit, për t’u rikthyer sezonin e kaluar në F1 në radhët e skuadrës Alpine. E tashmë, përgatitet për të vendosur rekordin absolut në këtë sport, si pjesëtar i skuderisë Aston Martin.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"