Almeida projektohet titullar, ja si mund të ndryshojë Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2016 | 14:49

Almeida projektohet titullar, ja si mund të ndryshojë Tirana

Hugo Almeida ka dhënë sinjale pozitive në stërvitje. Kondicioni i sulmuesit po vjen drejt rritjes, fakt që pritet t’i shtojë kreditet që ndaj Tërbunit ta nisë si titullar. Të paktën kjo u pa gjatë seancës së djeshme, kur në një fragment loje atij iu dha jeleku jeshil.almeida Dhe nëse trajneri Ilir Daja do ta aktivizojë që nga minuta e parë, atëherë pritet që edhe moduli të ndryshojë, pra të mos luhet si në Kupë, por me skemën 4-3- 3, dhe sigurisht me brazilianin “pykë”. Porta i mbetet të njëjtit, Edvan Bakaj, i cili vazhdon ta ruajë të paprekur katërkëndorin.

Në mbrojtje pritet që të mos ketë lëvizje, pra do të jetë i njëjti rreshtim si në Vlorë. Smajli dhe Hoxhallari do të jenë në krahë, ndërsa qendra i besohet Karanit dhe Teqjes. Në mesin e fushës, Muça do të jetë qendror, ndërsa në krah pritet që të ketë Karabecin dhe Malajn.

Dilemat shtohen në ofensivë, pasi aktivizimi i mundshëm i Almeidës mban pezull të tjerët. Elis Bakaj do të jetë djathtas, ndërsa majtas njëri mes Likës dhe Muzakës. Megjithatë, kjo ishte vetëm një ide, pasi veç kësaj 11- she, më herët stafi teknik provoi formacionin fitues të Flamurtarit. Dhe, nëse trajneri do të vepronte kështu, atëherë sulmues qendre do të kthehej Bakaj, i cili do të ketë edhe ndihmën e Likës me Muzakës.

Problemet – Tirana vazhdon të mos e ketë grupin e plotë. Katër mungesa llogarit stafi teknik para ndeshjes së javës së 19-të. Seancën e djeshme Masato Fukui dhe Ervin Bulku kanë vijuar përgatitjet të diferencuar nga grupi, ndërsa në ambientet e brendshme të kompleksit Erjon Vucaj ka vijuar programin special për rikuperimin e plotë të pubalgjisë.

Mungesë e madhe është edhe ajo e Dorian Kërçikut, i cili do të mbetet për afro 1 muaj jashtë fushave. Fraktura në një prej gishtave të këmbës i kushton jo vetëm lojtarit të linjës së djathtë, por edhe stafit teknik. Gjatë lojës që po kryej dje, momente “paniku” pati edhe Elis Bakaj, i cili ndjeu një shqetësim në kavilje. E, megjithatë, pas afro një minute në fushë dhe ndihmës së stafit mjekësor ai vijoi përgatitjet duke e qetësuar trajnerin Daja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"