Allmuça: Kukësi nuk të fal në shtëpi, por përballë do të ketë një Skënderbe europian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2017 | 22:29

Allmuça: Kukësi nuk të fal në shtëpi, por përballë do të ketë një Skënderbe europian

Igli Allmuça është nga të paktët lojtarë që ka shijuar suksese të mëdha në karrierën e tij si pjesë e Kukësit dhe Skënderbeut në këto gjashtë vitet e fundit. Tashmë është trajner i Dinamos, por gjithsesi kjo nuk e pengon për të analizuar ish-skuadrat. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, Allmuça foli në prag të kryendeshjes Kukësi-Skënderbeu.

Igli Allmuca

Igli, të hënën luhet një kryendeshje mes Kukësit dhe Skënderbeut. Çfarë prisni nga kjo sfidë?

Është një përballje shumë e fortë, në të cilën të dyja skuadrat kërkojnë të marrin tri pikët. Fatmirësisht këto ekipe rivalizojnë edhe sivjet për titull, ashtu siç kanë bërë në të gjitha këto sezone. Mendoj që do jetë një ndeshje me shumë grintë, ku Kukësi do të tentojë të fitojë, pasi i nevojitet me çdo kusht për të treguar se janë ata kampionët. Ndërsa Skënderbeu gjithashtu do të kërkojë fitoren, pasi kanë një ekip mjaft të mirë dhe kompakt.

Duke parë kontingjentin dhe atë se çfarë mund të bëjnë këto dy ekipe, kush mendoni se është favorit të hënën?

Nuk mund të them që kush është më i favorizuar, pasi janë dy ekipet që udhëheqin kampionatin, jo vetëm sivjet. Kukësi ka avantazh fushën, të cilën ata e njohin mjaft mirë, pa harruar rikthimin e tifozëve.

Kukësi nuk të fal brenda, por këtë herë përballë ka një Skënderbe europian, që po zhvillon ndeshje të shkëlqyera në Ligën e Europës. Rivaliteti do të jetë shumë i madh. Mendoj se episodet do të vendosin fatin e kësaj ndeshjeje. Nuk duhet të harrojmë që kjo është thjesht një ndeshje kampionati, që nuk ndikon aspak në vazhdimësinë e dy ekipeve.

Mendoni se Skënderbeu është “shtrydhur” në Ligën e Europës dhe Kukësi do të jetë shumë më i freskët?

Pjesëmarrja në fazën e grupeve natyrisht që i ka bërë korçarët të shpenzojnë shumë energji, pasi një ndeshje në këtë nivel është e barabartë me dy takime të forta në kampionatin shqiptar. Këtë e them në aspektin e lodhjes, energjive të harxhuara, përgatitjeve, aspektit psikologjik, taktik etj.

Kjo u pa edhe në ndeshjen me Kamzën që Skënderbeu barazoi. Pa harruar që korçarët kanë disa lojtarë të dëmtuar, por janë një ekip mjaft solid. Kushdo që zëvendëson titullarët, është në nivelin e tyre, ndaj them që ky takim do të vendoset nga episodet.

Milinkoviç do të guxojë më shumë apo mendoni se të njëjtën gjë mund të bëjë edhe Daja?

Trajneri Daja, duke e njohur edhe personalisht, është mjaft i zgjuar dhe ka aftësi në këtë punë. Ai e përgatit Skënderbeun në mënyra të ndryshme taktike. Pra, sipas ekipit që ka përballë. Në këto kushte, skuadra në vazhdimësi është në ndryshim. Daja po e tregon që është mjeshtër dhe me meritë ka arritur në këto nivele.

Ndërsa Kukësi nuk më ka pëlqyer në fillim të sezonit, më konkretisht në Superkupë ndaj Tiranës, gjithashtu edhe ndaj Kamzës. Por, me kalimin e javëve Kukësi po forcohet dhe vjen aty ku duhet, gjë që dallohet po të shohësh takimet e fundit. Duket dora e Milinkoviç, i cili po punon shumë dhe dëshiron që t’i implementojë idetë dhe lojën e tij ekipit. Kukësit të gjitha ekipet i mblidhen në mbrojtje dhe nuk luajnë hapur, ndërsa me Luftëtarin ishte tjetër gjë, pasi objektivat ishin të ndryshme.

Sa u përket kualiteteve që kanë skuadrat, kush e bën diferencën?

Kukësi vazhdon të ketë një grup shumë të bashkuar dhe kompakt, ndërsa ka afruar disa lojtarë që do u duhet kohë të përshtaten, duke u bërë njësh me pjesën tjetër. Janë larguar dy sulmues “race” si Pejiç dhe Emini, pa dashur t’ju heq meritat sulmuesve aktualë. Ndërsa Skënderbeu sivjet i ka të dyja, grup dhe cilësi, me një organikë të shkëlqyer futbollistësh.

Ku ndryshojnë Takaj nga Gjici, ju keni punuar me të dy?

Janë dy njerëz që e duan sportin, që kanë investuar shumë. Të dy duan të fitojnë trofe, teksa Skënderbeu ka dominuar futbollin shqiptar në këto vite, por dhe Kukësi ka qenë aty dhe ka rivalizuar. Skënderbeu është me ide dhe projekte të tjera, ndërsa Kukësi, edhe pse ndërron çdo vit trajnerë, këdo që afron, del nga sezoni me trofe, kështu që po flasim për dy ekipe dhe dy njerëz me ide të kundërta, por në fund të fundit janë fitues. Të dy kanë bërë histori suksesi.

Në fund, një koment për Partizanin dhe si e mendoni luftën për titull?

Është shumë herët për të folur për titullin, apo dhe për pretendentët, pavarësisht se e kemi idenë bazë të atyre çfarë. Partizani ashtë aty, nuk mund ta gjykojmë për tri javë dhe të themi se ata nuk janë pretendetë. Megjithatë, te të kuqtë kam parë disa mangësi.

Së pari, sulmi i Partizanit nuk është në nivelin e rivalëve, pasi duhet të konsolidohet. Partizanin e kanë fryrë shumë dhe kjo ka ndikuar për keq në skuadër. Ky nuk është dhe shumë faji i Partizanit, pasi dhe emri e historia bën të vetën, por çdo gjë duhet të menaxhohet në mënyrën e duhur.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"