Allmuça: Dinamo kap elitën me 3 finale, por mëkat që nuk fituam në Cërrik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2023 | 18:14

Allmuça: Dinamo kap elitën me 3 finale, por mëkat që nuk fituam në Cërrik

Sa më shumë afron fundi i garës, aq më shumë rritet ankthi dhe presioni për objektivin final. Dinamo është brenda këtij objektivi, kur kanë mbetur edhe 4 javë deri në finish, duke llogaritur edhe ndeshjen me Tërbunin e përjashtuar.

allmuca

Blutë kanë fatin që e kanë në dorën e tyre gjithçka dhe pavarësisht se nuk morën pikët maksimale në Cërrik, qëndrojnë në dyshen e parë të renditjes. Dhe kjo ndodhi falë Ilir Allmuçës. Ishte ai lojtari që shmangu më të keqen në “Nexhip Trungu”, duke shënuar golin e barazimit. U fut nga stoli dhe menjëherë gjeti rrugën e rrjetës, duke hequr disi stresin mbi skuadrën.

“Ndeshjen me Turbinën e kishim përgatitur gjatë gjithë javës dhe e dinim që do ta kishim shumë të vështirë. Nuk ka ndeshje të lehta, aq më tepër tani, në këtë pikë të sezonit. Jemi të mërzitur nga fakti që nuk dolëm me 3 pikë nga ajo ndeshje, sepse ishte një mundësi shumë e mirë që ne të rimerrnim vendin e parë dhe të ishim sa më afër objektivit të ngjitjes në Superiore. Mëkat që nuk fituam.

Sa i përket golit, ishte goli i parë për këtë sezon dhe jam i lumtur që shënova dhe ndihmova ekipin për të marrë rezultat pozitiv në atë transfertë delikate. Shpresoj që të shënoj përsëri dhe të ndihmoj sa më shumë ekipin për të qenë aty ku duhet në fund”, thotë fillimisht lojtari i linjës së majtë, teksa flet për “Panorama Sport”.

BESA – Për sfidën e radhës me Besën dhe garën e fortë për dy vendet e para që garantojnë Superioren, futbollisti dinamovit ka theksuar: “Këtë javë na pret përsëri një ndeshje mjaft e vështirë me Besën. Këto ndeshje të mbetura janë të gjitha si finale për ne, nuk na lejohen gabimet. Kemi edhe 3 finale, por do t’i marrim ndeshjet një e nga një. Besa është skuadër me eksperiencë dhe meriton gjithë vlerësimin tonë. Na bën punë vetëm fitorja dhe po punojmë fort që ta përballojmë si duhet këtë kundërshtar.

Jemi të përqendruar për të shmangur çdo gabim dhe për të dalë me pikë të plota. Gara për Superioren është shumë e fortë, siç po duket javë pas jave, por besoj se Dinamo në fund do ta ketë arritur objektivin e ngjitjes në elitë, ku e ka vendin ky ekip. E para apo e dyta, pak rëndësi ka, e rëndësishme është që të jemi në dyshen e parë. Për këtë duhet shumë punë dhe përqendrim maksimal”, përfundoi 26-vjeçari.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"