Allmuça: Dinamo e fitoi një “titull”. Me Kukësin vlen më shumë se tre pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2021 | 19:02

Allmuça: Dinamo e fitoi një “titull”. Me Kukësin vlen më shumë se tre pikë

Java e shtatë e kampionatit nis me sfidën Dinamo-Kukësi, që luhet të premten në “Air Albania”. Më në fund, blutë do të luajnë ndeshjen e parë në kryeqytet që prej rikthimit të tyre në elitën e futbollit shqiptar. Të dyja skuadrat vijnë në këtë përballje nga fitoret, janë dy pikë larg njëra-tjetrës dhe do të tentojnë të vazhdojnë me rezultatet pozitive. Igli Allmuça, një ish-lojtar i këtyre dy skuadrave, në një prononcim për “Panorama Sport” flet për një ndeshje interesante dhe të paparashikueshme.

igli allmuca

DINAMO – Allmuça ka veshur fanellën e Dinamos dhe është shpallur kampion me të, ndërkohë që e ka drejtuar këtë skuadër edhe në kohët e saj më të vështira. “Së pari, dua të them për Dinamon se e ka fituar tashmë një titull, e ka fituar pa nisur kampionati. Kur them këtë kam parasysh faktin se ka kaluar nga asgjë në gjithçka. Pra, ishte një skuadër pa asgjë, kurse tani është në elitë dhe i ka të gjitha ato që i duhen. Dinamo ka një të ardhme të sigurt dhe ky është titulli i parë që ajo ka fituar këtë sezon. Skuadra më pëlqen, lojtarët që ka afruar në merkato më pëlqejnë dhe mendoj dhe besoj se do të jetë aty mes pretendentëve. E ardhmja e saj me siguri do të jetë e mirë dhe nëse nuk do ta arrijë suksesin këtë sezon, do ta arrijë tjetrin”, është shprehur fillimisht Allmuça.

KUKËSI – Ish-mesfushori e veçon skuadrën kuksiane për mënyrën si luan dhe thekson se është mes pretendentëve kryesorë për titullin kampion. “Kukësi më ka befasuar pozitivisht me mënyrën si luan. Skuadra sillet shumë lirshëm në fushë dhe kjo është pozitive. Nuk ka asnjë lloj kontraktimi, duket sikur po bën një ndeshje miqësore. Është për t’u veçuar ky fakt, sepse kjo ndodh vetëm te Kukësi. Patjetër që ka të bëjë dora e trajnerit dhe stafit të tij dhe drejtuesve të klubit. Kukësi, për këto vite që është në Superiore, ka pasur gjithmonë siguri financiare dhe skuadra të forta, por këtë lojë nuk e kam parë më parë. Për mënyrën e lojës më duket skuadra më konstante e kampionatit”, thotë kryeqytetasi, që në karrierë ka luajtur për shumë skuadra të tjera, si Partizani, Tirana, Vllaznia dhe Skënderbeu.

SFIDA E SË PREMTES – “Parashikimi im? Është shumë e vështirë, janë ndeshje që nuk mund të parashikohen, me të tria rezultatet në lojë. E thashë, Kukësi luan lirshëm dhe është konstant, Dinamo bën një lojë racionale. Varet nga disa faktorë, por me siguri do të jetë një ndeshje interesante. Është nga ato ndeshje, ku fitorja vlen më shumë se tri pikë dhe besoj se të dyja skuadrat do të japin gjithçka në fushë”, ka shtuar Allmuça.

TITULLI – Në fund edhe një parashikim për këtë kampionat nga Igli Allmuça: “Siç e kanë treguar këto javë, janë disa skuadra që janë të denja për të pretenduar titullin kampion. Janë aty-aty dhe nuk mund të flasësh me siguri asgjë, sepse një apo dy fitore të çojnë në majë, një apo dy humbje të penalizojnë e të zbresin poshtë. Do të jetë garë e fortë, me shumë rivalitet. Patjetër që sfidat direkte do të kenë më shumë rëndësi, por Dinamo dhe Kukësi, po e përsëris, do të jenë pretendentë seriozë për titullin”.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"