Allmuça: Derbi mes të barabartësh, Dinamo ka bërë merkato më të mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2022 | 14:26

Allmuça: Derbi mes të barabartësh, Dinamo ka bërë merkato më të mirë

Përballja e fundit në Kupë mes Partizanit dhe Dinamos ka qenë në vitin 2008, kur ndesheshin pikërisht në çerekfinale dhe Dinamo kualifikohej pasi fitonte 3-1 ndeshjen e parë dhe barazonte pa gola të dytën.

allmuca

Njërin nga golat për blutë e shënonte Igli Allmuça, i cili mbante peshën e mesfushës së Dinamos në atë periudhë. “Panorama Sport” i ka marrë një prononcim ekskluziv trajnerit, i cili flet për gjendjen aktuale të skuadrave dhe kujton përballjen e fundit në Kupë mes të dyjave.

A është Kupa shpëtimi i vetëm për këto dy ekipe? – Janë të dyja ekipet thuajse në kushte të barabarta. Në kampionat janë shumë larg nga kreu dhe, sigurisht, shpëtimi i vetëm është Kupa. Në kampionat ka pikë plot, por duke parë formën e skuadrave më lart, veçanërisht tri të parave, duket shumë e vështirë. Duke parë rezultatet e kësaj jave, që çaluan të dyja dhe duke parë rezultatet e rivalëve lart, gjërat u vështirësuan akoma më shumë. Sigurisht, Kupa është shpëtimi i vetëm dhe ndeshja e nesërme (sotme) do të jetë si një finale.

Si ju janë dukur lëvizjet e janarit te Dinamoja dhe Partizani? – Mendimi im është që Dinamo ka lëvizur më mirë në merkato, gjithsesi do të shihet se çfarë do të shohim në fushën e lojës nga ata lojtarë. Natyrisht, Dinamo është parë të bëjë shumë mirë dhe Denison, me aq sa e kemi parë, duket një lojtar shumë i vlefshëm dhe nëse vazhdon kështu, do ta ndihmojë shumë ekipin duke qenë një pikë kyçe.

A gaboi Dinamo që ia “dhuroi” Skukën Partizanit? – Është edhe çështje përshtatshmërie. Partizani ka fizionomi loje të ndryshme nga Dinamoja. Unë kam luajtur me të dyja ekipet dhe ndryshojnë shumë. Ndoshta Skuka nuk është përshtatur te Dinamoja. Partizani mund të kërkojë diçka tjetër dhe mund të përshtatet.

Cila skuadër do ta mbajë më shumë topin dhe do të dominojë? – Varet se sa vertikale do të jenë për të rrezikuar portën kundërshtare. Nuk duhet ta mbajnë topin pa bereqet, por të bëjnë lëvizjet e duhura dhe të rrezikojnë njëra-tjetrën. E thashë se janë pothuajse në kushte të barabarta në të gjitha drejtimet. Nuk mund të përcaktosh kush është më lart. Nesër do të varet gjithçka se si do t’i marrë loja secilës skuadër dhe nga episodet. Në ndeshje të tilla, që janë me eliminim, mund të ndodhë gjithçka. Janë skuadra të barabarta në atë që kanë arritur deri më tani, në grupin e lojtarëve që kanë, por edhe në problemet që kanë hasur.

Çfarë nuk ka shkuar deri më tani me këto dy ekipe? – Ne nga jashtë mund të bëjmë “kompetentin”, sepse jemi në pozita komode, por kur je brenda, ndryshon gjithçka. Gjithsesi, me aq sa kam parë, Dinamo në aspektin mbrojtës si skuadër ka pasur probleme. Dihet që mbrojtja është e vështirë pa ndihmën e sulmit dhe mesfushës, prandaj them se Dinamo ka çaluar si skuadër në difensivë. Ndërkohë, Partizani ka pasur problemin e lojtarit “gol”, por edhe gabimet e shumta individuale, jo kolektive.

Deri ku mund të shkojnë Partizani dhe Dinamo këtë sezon? – Skuadra që do të arrijë të kualifikohet, do të jetë me moralin më të lartë për të pasur ecuri më të mirë në kampionat dhe për të qenë më e qetë, sepse unë mendoj se asnjëra nga këto skuadra nuk mund të luajë dot për titullin kampion. Do të jetë shumë e vështirë për Dinamon dhe Partizanin për të zënë një vend në treshe në kampionat duke pasur parasysh formën që kanë Tirana, Kukësi dhe Laçi, bashkë me Vllazninë. Treshja e parë duket e pakapshme për skuadrat që janë 9-10 pikë larg tyre. Të tre kryesuesit janë në formë dhe të kompletuar në organikë. Kanë qenë konstantë në të gjithë sezonin, me përjashtim të Laçit që e nisi keq.

Keni qenë protagonist në përballjet e fundit në Kupë mes këtyre dy ekipeve në vitin 2008. Çfarë mbani mend? – Ishin çerekfinalet e Kupës, ashtu siç ka qëlluar edhe tani. Ka pasur shumë tension në ato dy ndeshje, sepse të dyja skuadrat ishin shumë të forta dhe luftonin edhe për kampionatin. Ishim maksimumi 3 pikë diferencë, kishte shumë rivalitet. Na qëlloi shumë shpejt të ndesheshim për Kupën. Në betejën e dytë ka pasur edhe konflikte e luftë të fortë sportive, duke kaluar edhe caqet e rregullores. Në ndeshjen e përfunduar me shifrat 3-1, terreni i stadiumit “Selman Stermasi” ishte i rrëshqitshëm dhe e lejonte edhe lojën agresive. Rivalitetin me Devollin e kam pasur shumë të fortë në fushë në atë ndeshje. Kemi bërë duele mjaft të forta, por nuk kemi pasur sherre.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"