Allmuça: Daliç ishte një mjeshtër për raportet me lojtarët, ja pse e largoi Dinamo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2018 | 16:56

Allmuça: Daliç ishte një mjeshtër për raportet me lojtarët, ja pse e largoi Dinamo

Igli Allmuça e njeh mirë Zllatko Daliçin, trajnerin e Kroacisë që dje i bëri “zbor” Argjentinës duke e mundur 3-0. Ai ka punuar me të në sezonin 2008-2009, kur kroati drejtonte Dinamon.

pizap.com15296792658451

“Është trajner i zoti, por mbi të gjitha njeri i mirë”, thotë Allmuça për “Panorama Sport” menjëherë pas fitores së Kroacisë.

Ç’mendim keni për Daliçin?

Trajner shumë i zoti dhe super profesionist. Ndër të paktit që kudo ku shkon merr edhe stafin e tij me vete dhe kërkon një staf të kompletuar. Ka qenë i zoti edhe atëherë, por kanë kaluar 10 vite dhe sigurisht shumë gjëra i përmirëson me kalimin e kohës. Të gjithë përpiqen ta bëjnë këtë.

Çfarë mbani mend nga kroati?

Në aspektin njerëzor ishte fantastik. Të kërkonte shumë, por dinte edhe të vendose ekuilibra në ekip. Nuk jam i surprizuar që po menaxhon gjithë këta yje te Kroacia. Është mjeshtër për këtë. Di të krijojë raporte.

Po ju si e kishit raportin?

Shumë të mirë. Kur ai shkoi në Arabi tek Al Hilal, më ka kërkuar, por unë isha nën kontratë dhe nuk mund të shkoja. Më vjen mirë për Daliçin, sepse puna dhe përkushtimi asnjëherë nuk të tradhtojnë.

Pse e largoi Dinamo?

Çështje rezultatesh. Nuk pati shumë fat, por cilësitë e tij ishin të padiskutueshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"