Alimehmeti: Duam lojtarë me vullnet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2013 | 13:31

Alimehmeti: Duam lojtarë me vullnet

alimehmetiKrenar Alimehmeti e sheh të ardhmen e Tiranës premtuese. Përpos largimeve të fundit, ai mendon se bardheblutë do të jenë kompetitivë në sezonin e ri. Nuk dëshiron që t’i bëjë publikë emrat që synojnë në merkato. Mirëpo, nga ana tjetër, nuk nguron të pranojë se futbollistët që do afrojnë, nuk do përzgjidhen në bazë të emrave, por të cilësive që ata mbartin. Do të jetë ky kriteri kryesor i merkatos, pasi vetëm kështu mendojnë se do të ndërtojnë një ekip punëtor. Gjatë deklaratës për “Panorama Sport” numri një i stolit komenton edhe një herë vendimin e dhënë nga DHZK-ja mbi çështjen “Morina”. Ai paralajmëron se klubi nuk do e lërë me kaq, madje do të shkojë deri në Lozanë për të gjetur të drejtën. “Me shumë gjasa, në fillim të javës së ardhshme ekipi do të nisë zyrtarisht përgatitjet. Jemi në procesin e mbylljes së analizave mjekësore dhe ky ishte motivi kryesor i shtyrjes së stërvitjes, pasi duam që të kemi gjithçka gati dhe brenda normave. Sa i përket merkatos, jemi në rrugë të mbarë. Përveç Hoxhallarit dhe Çakës, kemi firmosur edhe me dy të rinj, Algi Lapardhaja dhe Florian Hoxha, lojtarë që premtojnë. Duke parë moshën e tyre, pasi janë nga 19 vjeç, duam të tregojmë se po ndërtojmë një ekip për të ardhmen dhe jo për një sezon. Planet tona janë afatgjata. Veç këtyre ka rinovuar edhe Gentjan Muça për dy vite, ndërsa presim edhe të tjerë”, – tha fillimisht Alimehmeti. Kur pyetet se a do të ketë emra “big” për Tiranën në këtë merkato, administratori përgjigjet se: “Një lojtar cilësor nuk bëhet nga emri, por nga ajo çka jep në fushë dhe vullneti. Ne nuk synojmë emrat, por kualitetet. Do afrojmë futbollistë që do bëjnë diferencën, për këtë të jeni të sigurt. Trajneri na i ka prezantuar kërkesat e tij dhe besojmë se deri në mbylljen e merkatos zyrtarisht, do të ndërtojmë ekipin që ne kemi në plan”. Në fund të fjalës, Alimehmeti nuk nguroi që të komentojë rastin Morina. “Do e apelojmë me çdo kusht këtë rast, pasi vendimi i dhënë nga DHZK-ja ishte i paragjykuar. Nuk mund ta pranojmë kurrsesi, ndaj nuk do ta lëmë me kaq”, – përfundoi administratori.

FIRMOS EDHE HOXHA
Pas firmosën me sulmuesin Algi Lapardhaja, një tjetër 19-vjeçar ka nënshkruar kontratë 3-vjeçare me Tiranën. Bëhet fjalë për të riun Florian Hoxha, mesfushor i ardhur nga Shkëndija U-19. Kjo është blerja e dytë zyrtare e skuadrës bardheblu për këtë merkato, përveç Hoxhallarit dhe Çakës, që firmosën një muaj më parë me bardheblutë.

ÇAÇO DHE NIKOLIÇ
Ervis Çaço dhe Milan Nikoliç pritet që këtë fundjavë të vijnë në kryeqytet dhe të mbyllin zyrtarisht kontratën e tyre me Tiranën. Sikundër është përmendur, ata pëlqehen prej stafit teknik, mirëpo nga sa mësohet firma është vonuar, si pasojë e shtyrjes së përgatitjeve. Madje Nikoliç do të niset nga Serbia pikërisht më 30 qershor.
Adela Merko

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"