Alijin e do Mynih 1860, Kaeni për Rrahmanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2016 | 12:05

Alijin e do Mynih 1860, Kaeni për Rrahmanin

Naser Aliji dhe Amir Rrahmani janë në epiqendër të merkatos. Dy mbrojtësit kuqezi pritet të ndryshojnë skuadër, pasi në drejtim të tyre kanë ardhur oferta konkrete. RRAHMANIAliji është nën kontratë me Bazelin deri në verën e vitit 2017, por gjermanët e Mynih 1860 e kërkojnë me ngulm.

Sipas asaj që raportojnë mediat zvicerane, klubi i Bundesligës 2 ka ndjekur prej kohësh paraqitjen e Alijit me kampionët e Zvicrës. Mynih 1860, ku aktivizohet edhe mesfushori kosovar, Valdet Rama, është i gatshëm të blejë kartonin e 22-vjecarit, por tashmë gjithçka është në dorë të Bazelit. Zviceranët ende nuk kanë vendosur nëse duan ta shesin apo të rinovojnë marrëveshjen me mbrojtësin nga Kumanova.

Drejtori sportiv i Mynihut, Oliver Krojcer, ka qenë dy javë më parë në Bazel dhe mendohet se ka bërë një takim me homologun e tij. Gjatë muajve të fundit, për Alijin është përfolur edhe interesimi i skuadrave si Kaizerslautern dhe Hanover, që gjithashtu militojnë në Bundesligën 2.

Pista franceze

Pas sezonit fantastik me RNK Splitin në Kroaci, Rrahmani është shndërruar në lojtarin më të kërkuar.

“Panorama Sport” mëson se, përveç vëzhgimit që prej muajsh po i bën Fiorentina e Serisë A mbrojtësit kuqezi, së fundmi ka dalë në skenë edhe pista franceze, pikërisht klubi i Ligës 1, Kaen. Skuadra, që e mbylli në vendin e shtatë kampionatin francez, është futur në bisedimet me menaxherin e futbollistit, por ende nuk mund të thuhet se ka diçka konkrete.

Spliti kërkon të përfitojë sa më shumë nga shitja e lojtarit. Gjasat janë që të mos e lërë të lirë pa 1.5 milionë euro. Kujtojmë që vetëm një vit më parë, klubi kroat shiti Sokol Cikalleshin tek Istanbul Basaksehir në Turqi për afro 2 milionë euro. Kampionati kroat është bërë si një trampolinë e mirë për lojtarët kuqezi, të cilët pasi afirmohen, transferohen në liga të një niveli më të lartë. Mundësitë më të mëdha janë që edhe Rrahmani të ecë gjurmët e Cikalleshit, duke u larguar nga Spliti pas vetëm një viti eksperience. Gjatë kampionatit të fundit, Rrahmani është përzgjedhur edhe te formacioni i vitit në Kroaci.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"