Alijev: Skuadrat e Azerbajxhanit janë më të forta, Agolli më sugjeroi të vija te Kukësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2017 | 15:19

Alijev: Skuadrat e Azerbajxhanit janë më të forta, Agolli më sugjeroi të vija te Kukësi

Sulmuesi azer Rauf Alijev është prezantuar sot si përforcimi më i ri i kampionëve të Kukësit. Gjatë konferencës për shtyp ai dha përshtypjet e tij për futbollin shqiptar, duke thënë se kombëtarja e Shqipërisë është më e fortë se ajo e Azerbajxhanit, por në nivelin e klubeve ato azere qëndrojnë më lart. Alijev tregoi se para se të zgjidhte Kukësin, u konsultua me mbrojtësin e Karabakut, Ansi Agolli.

alijev

Aventura me Kukësin

“Unë vetë kam luajtur kam në Azerbajxhan, gjatë gjithë karrierës time, kjo është aventura ime e parë jashtë Azerbajxhanit. E njoh Kukësin si skuadër për ecurinë e mirë që ka pasur në kampionatin shqiptar por edhe në Kupat e Europës dhe mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur.”

Njohja për futbollin shqiptar

“Në karrierën time kam luajtur përballë skuadrave shqiptare, sepse kur kam qenë pjesë e Inter Baku kam sfiduar Laçin në Europa League ndërsa me kombëtaren e Azerbajxhanit, jo ekipin e parë, por me Shpresat kam luajtur dy ndeshje ndaj Shqipërisë.

Për sa i përket nivelit të futbollit që luhet në Shqipëri dhe atij në Azerbajxhan, mendoj që Shqipëria ka një kombëtare shumë më të mirë, ndërsa për sa i përket klubeve, skuadrat e kampionatit azer janë pak më të forta.”

Sugjerimi i Agollit

“E njoh Ansi Agollin pasi për 1 sezon kemi qenë të dy së bashku pjesë e Karabakut. E di që ai është kapiteni i kombëtares shqiptare dhe përpara se të vija te Kukësi fola me Ansin, e pyeta për skuadrën dhe ai më sugjeroi që të vija te ky klub.

Do të jap maksimumin për Kukësin, dua të luaj në Kupat e Europës me këtë skuadër dhe ta përdor Kukësin si një trampolinë për të kaluar në një ekip më të fortë në të ardhmen. Unë jam sulmues dhe detyra ime është të shënoj sa shumë gola.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"