Ali Soue edhe një vit me Skënderbeun: Takaj po kërkon të bindë Kievon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2018 | 21:40

Ali Soue edhe një vit me Skënderbeun: Takaj po kërkon të bindë Kievon

Skënderbeu e ka mbyllur me sukses fazën përgatitore në Antalia dhe tani do të nisin në shtëpi punën për ndeshjen e radhës, e cila përkon me rifillimin e kampionatit. Sulmuesi Ali Soue, në një prononcim për “Panorma Sport”, pohoi se është i përqendruar në thellimin e diferencës me rivalët dhe rritjen e numrit të golave. Sulmuesi nga Gambia, i huazuar në Korçë nga Kievo, me bindje theksoi se do të jetë një sezon i suksesshëm si për ekipin, por edhe në aspektin individual.

Soue-470x313

Soue, sapo jeni kthyer nga Antalia bashkë me ekipin. Si e vlerësoni këtë minifazë dhe a shkoi ashtu siç e kishit parashikuar?

Ishte një fazë përgatitore shumë e mirë, në kushte perfekte dhe që na shërbeu shumë për pjesën e dytë të sezonit. Jemi pak të lodhur dhe kjo është normale edhe për atë se kemi zhvilluar nga dy stërvitje në ditë, në mënyrë që starti i kësaj pjese të dytë të na gjejë 100% gati.

Në miqësoren e fundit nuk u aktivizuat. Cila është situata juaj?

Ngarkesa ka qenë e madhe gjatë ditëve të qëndrimit në Turqi dhe sigurisht që pas kësaj kisha nevojë të qëndroja pak pushim, ndaj trajneri dhe stafi mjekësor më kursyen pak a shumë. Nuk kam asnjë dëmtim, por gjëra të vogla që vinin nga minifaza përgatitore. Tani jam gati për startin e Superiores dhe ju premtoj se do të jap më të mirën nga ky moment deri në fund.

Si do të jetë Skënderbeu i 2018-ës, më i fortë apo do të shikojmë skuadrën e 16 javëve të para?

Afrimet që kemi bërë në skuadër, Vila dhe Krasniqi, e rrisin pa dyshim rendimentin e ekipit. Fakti që ne kemi ruajtur grupin të plotë, si dhe ardhjet do të na bëjë akoma edhe më të fortë në pjesën e dytë dhe këtë e them me bindjen time të plotë. Pozitive për ne është edhe fakti se tani nuk kemi më ndeshje për të luajtur në Europë. Kjo do të thotë që do t’i ruajmë fuqitë për ndeshjet e kampionatit dhe të Kupës. Me thënë të drejtën, në Europë lodhja ishte shumë e madhe, por ne ditëm t’i përballonim më së miri.

soue xhejms

Skënderbeu e nis pjesën e dytë të kampionatit me një avantazh prej 9 pikësh me ndjekësit. Si e shikoni këtë fakt?

Do të mundohemi t’i administrojmë në mënyrën më të mirë këto pikë që kemi avantazh dhe i kemi të gjitha kushtet për ta bërë realitet një gjë të tillë. Sigurisht, kaq pikë avantazh nuk janë pak, apo jo?

Ju kemi parë në 16 javët e para, po në vazhdim si e mendon Ali Soue paraqitjen e tij me Skënderbeun?

Jam përshtatur shumë mirë me Skënderbeun. Kanë kaluar shumë muaj që tani jam pjesë e këtij ekipi dhe sigurisht që në fillim e kisha shumë të vështirë, pasi vija në një kampionat të panjohur dhe çdo lojtar, me thënë të drejtën, e ka të vështirë kur ndërron ambient. Jam i bindur që do të jap më të mirën, qoftë me lojën që do të zhvilloj, por edhe golat që duhet të shënoj për Skënderbeun. Do të shënoj sa më shumë të jetë e mundur. Ky është premtimi që mund të jap tani në këtë moment.

Nga e keni këtë bindje se do të shënoni më shumë gola në vazhdim?

Sigurisht që jam i bindur. Mos harroni se kemi një mesfushë të blinduar në të gjitha drejtimet dhe kjo e bën një sulmues të dalë më thjesht te goli. Më mirë se fjalët, le t’ia lemë fushës së lojës.

Ali Soue ka kontratë me Skënderbeun deri në fund të këtij sezoni. Do të kishit dëshirë që të qëndronit edhe më tej apo do të kërkoni një skuadër me emër në Europë?

Kam kontratë deri në fund të këtij sezoni në formë huazimi me Skënderbeun. Nëse nuk do të kem ndonjë ofertë nga ndonjë skuadër me emër në Europë, do të rinovoj pa diskutim me Skënderbeun edhe më tej.

Soue

A keni biseduar me presidentin Ardjan Takaj në lidhje me këtë?

Po, madje presidenti më ka shprehur besimin që do të bëjë çmos që të më mbajë këtu te Skënderbeu edhe vitin tjetër. Kjo është një gjë e mirë për mua, por më mirë le t’ia lemë kohës sepse tani fillon pjesa tjetër e Superiores dhe duhet të jemi të përqendruar 100% të gjithë në fushën e lojës.

Mendoni se Skënderbeu e fiton titullin kampion në fund të këtij sezoni?

Kur erdha te Skënderbeu, nga ato që kisha parë nga grupi dhe gjithçka tjetër që gjeta, is0ha shumë i bindur dhe e kisha theksuar edhe për mediat se do të jemi ne skuadra që do të triumfojmë në fund. Jemi afër gjysmës së kampionatit dhe pa diskutim jemi në majë dhe të shkëputur. Tani e them me asnjë dyshim që Skënderbeu do të dalë kampion.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"