Alesio Mija vendos “bast”: Dinamo kthehet menjëherë në Kategorinë Superiore!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2022 | 13:55

Alesio Mija vendos “bast”: Dinamo kthehet menjëherë në Kategorinë Superiore!

Alesio Mija nuk pati mundësi të tregonte vlerat e tij deri në momentin që te Dinamoja erdhi italiani Rodolfo Vanoli. Më pas ai u kthye në një titullar fiks në mbrojtjen e bluve. Ka edhe një vit kontratë me Dinamon dhe konsiderohet pjesë e rëndësishme e projektit për rikthimin e kësaj skuadre në elitë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Mija flet edhe për rënien e Dinamos nga elita dhe konkurrencën që pritet të ketë Kategoria e Parë. Ai ka edhe një sugjerim për klubin: të shohë më shumë nga të rinjtë e Dinamos. 

Mija

Mija, sipas jush, pse Dinamo nuk mundi të qëndronte në Superiore?

Mendoj se kishim një ekip të denjë për Superioren, por në disa ndeshje jemi penalizuar nga gabime të vogla tonat. Po ashtu, në një pjesë të mirë të rasteve fati nuk ka qenë në anën tonë. Tani ky është një kapitull i mbyllur për ne dhe do të punojmë që ta kthejmë Dinamon sa më parë aty ku i takon.

Klubi po riorganizohet dhe ka vendosur të mbajë 80% të grupit të lojtarëve të sezonit të fundit…

Për sa i përket grupit, është diçka që e vendos klubi se si do të ndërtohet. Por çdo lojtar që do të jetë, jam i bindur se do të jetë i karikuar në maksimum për ta rikthyer Dinamon menjëherë në elitë.

Ju jeni një nga ata që konsiderohen kolona të Dinamos së re. Si ndiheni për këtë fakt?

Dua të jem me këmbë në tokë dhe të vazhdoj të punoj më fort, sepse Dinamo është një ekip ku luan ai që punon më fort. Nuk dua ta konsideroj veten “të sigurt” për sezonin e ardhshëm. Gjithsesi, unë do të jap maksimumin dhe gjithë kontributin tim për t’u rikthyer në Superiore sa më shpejt.

ALESIO MIJA

A mendoni se Dinamo mund të shohë më shumë te të rinjtë që ka në ekipet e saj?

Mendoj se ka mjaftueshëm lojtarë të rinj te Dinamoja, që mund të ballafaqohen shumë denjësisht në Kategorinë e Parë. Marr shkas nga ekipet e grupmoshave në kampionatet respektive, që kanë bërë paraqitje shumë të mira. Kjo do të thotë se elementët e rinj te Dinamoja kurrë nuk mungojnë. Megjithatë, se si do të jetë ndërtuar ekipi në fund, janë drejtuesit që sigurisht mendojnë gjithmonë për më të mirën për këtë ekip.

Si e shihni konkurrencën në Kategorinë e Parë, me skuadra si Skënderbeu, Flamurtari etj.?

Kampionati do të jetë vërtet shumë i fortë, pasi janë shumë ekipe të forta dhe me traditë në futbollin shqiptar. Por në fund të fundit, ne jemi Dinamo dhe sado e madhe të jetë konkurrenca, besoj se do të fitojmë me çdo ekip që do të luajmë.

SEFERI MIJA

A ka nevojë për përforcime Dinamo?

Grupi që aktualisht është pjesë e Dinamos, është vërtet i fortë. Sigurisht, gjithmonë ka nevojë për përmirësime. Mendoj se çdo afrim që do të bëhet, do të jetë një dorë më shumë për objektivin tonë në fund, të cilin patjetër duhet ta arrijmë.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"