Aleksi: Teuta s’ka frikë askënd, luftë deri në fund për çdo trofe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2021 | 19:01

Aleksi: Teuta s’ka frikë askënd, luftë deri në fund për çdo trofe

Mesfushori i Teutës, Albano Aleksi, e vlerëson shumë triumfin e fundit ndaj Egnatias në stadiumin e Rrogozhinës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, fieraku theksoi se skuadra nuk duhet të falë as në takimin e radhës kundër Kastriotit, në mënyrë që të jetë sa më afër kreut.

ALBANO ALEKSI 2

Në sezonin e kaluar kampionët kanë hasur jo pak vështirësi ndaj krutanëve, veçanërisht në takimet e zhvilluara në “Niko Dovana”. Gjithsesi, Aleksi beson te cilësitë që ka skuadra durrsake. Duke qenë se fusha nuk është ende gati në Durrës, sërish këtë takim si pritës “djemtë e detit” do ta luajnë në stadiumin e Rrogozhinës.

Albano, fituat edhe ndaj Egnatias, pavarësisht se me jo pak vështirësi…
Ishte një përballje që e kishim vlerësuar në maksimum, për vetë pozitat ku ndodheshim në klasifikim. Mendoj se në përgjithësi kemi zhvilluar një lojë mjaft të mirë, e cila ka ardhur në rritje. Përballë kemi pasur një kundërshtar të fortë dhe që luan mbyllur. Kjo ishte një ndeshje e vështirë për ne, por që e fituam.

Çfarë ju gëzon më shumë në këtë situatë ku jemi ende në mesin e fazës së parë?
Ajo që më gëzon më shumë është se pas asaj humbjeje ndaj Tiranës, bëmë kthesën përballë një skuadre të fortë si Egnatia. Të gjithë çunat treguan shpirt të lartë gare për 90 minuta, edhe pse u gabua në disa raste, por në përgjithësi ishte një takim korrekt dhe pa probleme. Mund të them se e merituam plotësisht këtë sukses, sepse duhet pranuar që e dominuam lojën.

Çfarë prisni nga ndeshja ndaj Kastriotit?
Kastrioti është një skuadër simpatike, pasi ka elementë me shumë eksperiencë brenda. Janë një skuadër pragmatiste. Të mundohemi të zhvillojmë ndeshjen tonë dhe të marrim maksimumin nga ajo. Ne shkojmë përballë Kastriotit me objektiva të qartë.

Që do të thotë?
Është një ndeshje shumë e fortë, si të gjitha takimet e tjera. Ne do të futemi për ta fituar këtë takim. Kastrioti ka bërë mirë deri më tani, por duhet ta mundim. E kemi hedhur pas krahëve fitoren në Rrogozhinë dhe duam të shfaqim vlerat tona më të mira të dielën. Fitorja është detyrim, edhe pse në futboll nuk ka detyrime. Duhet të luajmë për ta fituar ndeshjen, të marrim tri pikë patjetër.

Duket sikur i druheni Kastriotit në këtë përballje?
Nuk i druhemi asnjë kundërshtari. Të gjithë mund të fitojnë apo të gjithë mund të humbasin. Jemi shumë të qetë, nuk kemi presion.

Objektivi i klubit është mbrojtja e titullit, por a jeni i bindur se do të jeni në luftë për kampion deri në fund?
Synimet tona nisin aty ku e kemi lënë vjet. Për sa i përket pretendimit për titull, është akoma shpejt të flasim, por nuk mund ta fsheh se të gjithë kemi një dëshirë të tillë. Gjithashtu, ekipi ynë ka pretendime edhe në Kupë. Do të luftojmë deri në fund.

Zamir Qypi-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"