Aleksi i kënaqur me ecurinë e Teutës: Kemi frymën e duhur në ekip, fitojmë me Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2020 | 15:13

Aleksi i kënaqur me ecurinë e Teutës: Kemi frymën e duhur në ekip, fitojmë me Kukësin

Mesfushori i Teutës, Albano Aleksi, mendon se ekipi i tij është duke bërë mirë në këtë start dhe nuk ka vend për eufori, pavarësisht nga suksesi 5-0 ndaj Kastriotit në Kupë. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, mesfushori është besimplotë për suksesin e radhës, ndërsa evidenton se te shokët ka parë dëshirën e duhur për të kaluar me sukses verilindorët. Durrsakët e dinë që përballë kanë një kundërshtar të fortë, madje është vetë Aleksi që thekson se ata janë ekipi i mirë pavarësisht pikëve. E megjithatë, kjo nuk e pengon mesfushorin që të besojë dhe tentojë të marrin tri pikët.

teuta laci aleksi

Fituat me Tiranën dhe më pas fituat edhe me Kastriotin. Ju kënaq ky start apo duhet të bënit më tepër?

“Ishte fitorja e dytë radhazi, por kënaqësia lejohet me pikatore. Kemi bërë një start deri diku të kënaqshëm, megjithatë na presin shumë sfida dhe duhet te jemi me këmbë në tokë”.

Është edhe Kupa e Shqipërisë nën lupën e Teutës?

“Kupa është një arsye më tepër dhe një kënaqësi e madhe. Ashtu sikurse çdo ekip, edhe ne kemi të njëjtën dëshirë ta fitojmë dhe Kupën. Mbrojta e trofeut do të jetë e vështirë. Do të ndeshemi me ekipe të mira dhe që i respektojmë maksimalisht. Frikë nuk kemi nga asnjë skuadër. Do të përballemi denjësisht me këdo”.

Po krijohet dhe po shënohet pafund, cili është sekreti i efektivitetit para porte?

“Efektiviteti vjen nga dëshira që ne kemi për futbollin, për stërvitjen dhe ekipin e Teutës. Unë e kam thënë dhe me parë, që gjithkush e kupton atë që duhet të bëjë dhe lavdi Zotit, çunat janë në momentin të mirë. Jemi të përqendruar maksimalisht dhe punojmë me dëshirë për të dhënë më të mirën në fushë. Ky mendoj se është sekreti”.

aleksi 2

Kukësi vjen në Durrës, pas dy humbjesh mendoni se do jetë akoma me e vështirë?

“Normalisht është një ndeshje e vështirë. Edhe ne, edhe ata i dëshirojmë tri pikët. Nga e hëna, do e vlerësojmë maksimalisht këtë takim. Kukësi është skuadër që pavarësisht startit jo të mirë, ka bërë mirë vitet e fundit. Kanë kontingjent që japin maksimumin në fushë”.

Çfarë prisni nga ndeshja me Kukësin në Durrës?

“Unë jam i bindur që ekipi ka forcën, kurajën dhe shpirtin e garës. E dimë që kemi përballë një kundërshtar shumë të fortë, por jemi besimplotë”, përfundoi Aleksi.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"