Alegri: Pres një Higuain të uritur, nuk pranoj më përgjumje në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2018 | 19:26

Alegri: Pres një Higuain të uritur, nuk pranoj më përgjumje në fushë

Humbja kundër Mançester Junajtid duhet lënë pas shpatullave, por për ta bërë në mënyrën më të mirë këtë, trajneri i Juventusit, Masimiliano Alegri, urdhëron që të fitohet në “San Siro”, në një sfidë ku ai kërkon të shohë që lojtarët e tij të korrigjojnë gabimet e bëra së fundmi. Kundër Milanit, ishskuadrës së tij, “Konti Maks” do të rigjejë Gonzalo Higuainin, një lojtar që pranon se i mungon, por pas largimit në verë, Alegri pret një “Pipita” të uritur.

alegri

Alegri, si duhet kapërdirë një humbje si ajo me Junajtid?

E thjeshtë, duke fituar në “San Siro” dhe duke bërë një lojë perfekte teknikisht. Kishte disa kohë që po hasnim vështirësi në mbylljen e ndeshjeve dhe nëse nuk ia del, sidomos në Champions, ndodh ajo me të cilën u përballëm ne. Disa herë ka ndeshje që nuk mbyllen dhe i fiton, por ka edhe ndeshje që nëse nuk i mbyll, të paktën nuk duhet t’i humbësh, siç bëmë ne me Junajtid. Për këtë arsye, kundër Milanit duhet të tregojmë se e kemi korrigjuar këtë gabim dhe duam fitoren.

Do të rigjeni përballë Higuainin. Prisni një lojtar të helmuar nga zhgënjimi, pasi e larguat në verë?

Pres që të bëjë një ndeshje si ish… Gonzalo na ka dhënë shumë, ka qenë deciziv për trofetë e fituar në këto dy vite dhe pa dyshim që kundër nesh do të jetë i helmuar, i uritur për gol. Këtë verë klubi bëri disa zgjedhje dhe Milani pati fatin të afrojë në skuadër një prej bomberave më të fortë të planetit.

Ju mungon një sulmues si Higuaini?

Mesatarja goditje në portë, raste të krijuara dhe gola është paksa i zhbalancuar. Vjet në këtë periudhë kishim shënuar 31 gola dhe pësuar 10, ndërsa sivjet kemi shënuar 24 dhe pësuar 8. Sivjet godasim më shumë se vjet portën dhe shënojmë më pak. Kjo tregon se në këtë aspekt duhet të përmirësohemi shumë. Sigurisht që një si Higuaini është vrasës përpara portës, por edhe ne kemi Ronaldon, sulmuesin më të fortë në botë, por që te ne nuk bën vetëm sulmuesin e zonës. Prandaj duhet të shfrytëzojmë cilësitë e Kristianos.

Juventusi duket shumë favorit ndaj Milanit…

Milani-Juve është gjithmonë një ndeshje e ekuilibruar dhe sigurisht që Milani do të ketë shansin që të shtyhet edhe nga 70 mijë tifozë. Skuadra e Gatuzos po kalon një moment pozitiv, duke qenë se në gjashtë sfidat e fundit ka humbur vetëm derbin. Prandaj, duhet të jemi të përqendruar në maksimum.

Në “San Siro” kthehet Bonuçi. Mendohet një pritje e ashpër ndaj tij. Çfarë këshille do t’i jepnit?

Ai nuk ka nevojë për këshillat e mia. Do të rikthehet si ish, por është profesionist dhe thjesht duhet të mendojë të bëjë ndeshjen më të mirë të mundshme.

Gatuzo-trajner… Jeni i habitur nga evoluimi i tij?

Rino është një djalë shumë kërkues. Është përmirësuar brenda dhe jashtë fushës. Është i thjeshtë dhe bën të luajë mirë Milanin. Ai ka vlerë të rëndësishme, ka në gjak ADN-në e Milanit. Është një ndër trajnerët e rinj më të mirë, sepse të përballosh presionin që të vë mbi shpatulla një skuadër si Milani, pak mund ta mbajnë këtë peshë.

Përgatiti: JETON STAMOLLA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"