Alegri: Përgëzime Milanit, por nuk na mundi në fushë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2016 | 10:50

Alegri: Përgëzime Milanit, por nuk na mundi në fushë…

I zhgënjyer për finalen e humbur, por Masimiliano Alegri nuk e bën dramë dështimin kundër Milanit. Trajneri i Juventusit tha se skuadra e tij bëri gjithçka për të mos e çuar ndeshjen te penalltitë, por nuk ia doli.

Alegri

“Bëmë gjithçka për të mos shkuar te penalltitë. Ne luajtëm mirë vetëm 20 minutat e para dhe pas golit të shënuar, skuadra filloi të mbrohej. Ishte shumë herët për ta bërë këtë gjë. Ndeshja mund të kishte përfunduar nga një episod, por ai nuk erdhi kurrë. Në fund, gjithçka e vendosën penalltitë. Jemi në një moment të sezonit, në të cilin kemi luajtur 27 ndeshje deri tani dhe sigurisht që do ta humbasim ndonjë rrugës”, tha Alegri.

Ai theksoi se dëmtimet që ka pasur ekipi gjatë kësaj kohe dhe ato që ndodhën gjatë ndeshjes, kushtëzuan gjithçka që ndodhi. “Na kushtuan shtrenjtë futbollistët që dolën nga fusha e lojës të dëmtuar. Bëra zëvendësime të detyruara. Penalltia në minutat e fundit nuk ishte dhe arbitrat bënë një ndeshje korrekte. Ne duhet të ishim më konkretë dhe më të saktë”, ishte analiza e trajnerit të Juventusit.

Alegri-Marota-Paratici

Alegri i revoltuar duke diskutuar me drejtuesit e Juventusit, Marota dhe Paratiçi

Milani

Alegri u thuri elozhe kuqezinjve për fitoren e arritur, por tha se nuk i mundi në fushë, por nga penalltitë. “Sigurisht që Milani meriton komplimente, sepse bëri një ndeshje të mirë. Ata luajtën vetëm në momentin që Suso merrte topat. Kur ai nuk luajti më, edhe Milani s’kishte gjë për të bërë. Megjithatë, ishte një sfidë që u vendos nga 11-metërshat dhe ne nuk e humbëm në fushë. Kemi objektiva të rëndësishëm për të arritur dhe tani nuk duhet ta mbajmë mendjen te kjo humbje”, ka përfunduar trajneri Masimiliano Alegri.

GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"