Alegri njeriu i rekordeve, për t’u bërë legjendë i duhet… Champions-i

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2018 | 18:20

Alegri njeriu i rekordeve, për t’u bërë legjendë i duhet… Champions-i

Ai është mes më të mëdhenjve, por nuk kënaqet kurrë. Masimiliano Alegri kërkon më shumë, kërkon Ligën e Kampioneve. Në Itali ka fituar shumë, praktikisht gjithçka, në Europë muzika është ndryshe. Ajo kupë që i ka ikur nga duart dy herë “djeg” akoma dhe trajnerit bardhezi për të bërë hapin e madh i duhet trofeu më i rëndësishëm. Alegri është trajneri bardhezi me mesataren e pikëve më të lartë në Itali në të gjithë historinë e klubit: 2.41 për ndeshje.

alegri

Tre fitoret e arritura në 3 ndeshjet e para të kampionatit e lejuan trajnerin toskan që të parakalojë Antonio Konten. Maks e kishte mbyllur sezonin e kaluar barazim me paraardhësin e tij dhe tani e kaloi. Konte ka ngecur në 2.39 pikë për ndeshje përpara Kapelos me 2.33 dhe Karkanos 2.29. Alegri ka përqindje fitoresh 75.5 për qind dhe mesatare golash të shënuar 2.05 kundrejt 0.63 golave të pësuar për ndeshje. Në një krahasim të bërë me trajnerët e Juventusit që kanë të paktën 100 ndeshje me Juventusin nuk ka garë. Alegri i fiton të gjitha.

alegri

VETËM VALVERDE– Nga trajnerët që do ta sfidojnë në Champions (duke analizuar vetëm skuadrat e 5 kampionateve kryesorë në Europë), Alegri është i dyti për pikë të grumbulluara për ndeshje. Vetëm Ernesto Valverde ka arritur më shumë se ai: 2.49 pikë për ndeshje. Guardiola dhe Murinjo janë një hap më pas. Spanjolli ka 2.35 pikë për ndeshje, ndërsa “Special One” 1.95 pikë.

valverde

Por, në fakt ata të dy dinë mirë si fitohet Champions-i. “Filozofi” Pep e ka fituar 1 herë si lojtar dhe 2 herë si trajner (të gjitha me Barcelonën). Ndërsa, Murinjo gjithashtu ka dy me dy skuadra të ndryshme, Porton dhe Interin. Edhe Alegri sigurisht që i ka dhënë shkëndijat në futbollin e niveleve të larta duke fituar 3-0 me Barcelonën në çerekfinalet 2016-2017 dhe duke mundur Realin 3-1 (për pak arriti një përmbysje të madhe). Por, jashtë kufijve italianë është akoma “0 tituli”, siç do të thoshte Murinjo.

NË RRITJE- Katër vite më parë, Juventusi gjeti rastësisht pasardhësin e Kontes, ndërkohë që kishte nisur grumbullimi i skuadrës. Drejtuesit zgjedhin Alegrin edhe mbi të gjitha për profilin ndërkombëtar. Me Milanin kishte siguruar 4 nga 4 kualifikime në 1/8-at e Ligës së Kampioneve, duke e dërguar një herë në çerekfinale. Dhe “Zonja” kërkonte pikërisht njërin që mund të garantonte sukses në Europë. Objektivi u arrit, nëse mund të thuhet. Arriti dy finale Champions-i, dhe një eliminim me Bajernin në fazën e 1/8-ave në një betejë që zgjati deri në shtesë.

Statistikat

Për të plotësuar rrugëtimin europian duhet një finale e fituar. Për këtë gjë, drejtuesit i kanë sjellë në skuadër një si Kristiano Ronaldo, i cili është “mister” Champions-i. Ai e ka fituar këtë kupë 5 herë, por duhet të ndihmojë Juventusin që ta rikthejë në Torino pas 22 vitesh. Mbi të gjitha të ndihmojë Alegrin që të futet në librat e artë të futbollit bardhezi si një nga legjendat e kësaj skuadre. Por nuk është vetëm Ronaldo. Tani skuadra është më e fortë. Mbetet për t’u parë nëse Juventusi do të ecë në… MAKSimum.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"