“Alegri më mbron, i dhamë një shkelm edhe fatit të keq”, i shënoi sozisë, De Ligt: Tani nis një sezon i ri!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2021 | 14:14

“Alegri më mbron, i dhamë një shkelm edhe fatit të keq”, i shënoi sozisë, De Ligt: Tani nis një sezon i ri!

Matajs De Ligt ishte kritikuar shumë në kohët e fundit, sidomos nga vendlindja e tij, Holandë, ndonëse në Torino “truproja” nuk i ka munguar kurrë. Ai ka qenë Masimiliano Alegri, i cili përveçse i ka dhënë një program personal dhe po e menaxhon derisa të kapë formën maksimale, tashmë është gati që t’i japë edhe më shumë hapësirë në vazhdim, aq më tepër pas golit vendimtar që solli tri pikët e para në kampionat për Juventusin. Dhe ta mendosh se i shënoi jo vetëm një bashkatdhetari siç është portieri i Specias, Jeroen Zoet, por ky i fundit mund të themi pa frikë se është edhe sozia e De Ligtit. Mjafton të shohësh fotot…

de ligt

Matajs, mund të themi se ishte një fitore nervoze, me dhunë nga ju?

Ishte një ndeshje e vështirë. Ne shënuam një gol fantastik, por më pas pësuam edhe një gol të bukur nga Specia. Nuk është një moment i qetë për ne duke menduar se në fillim të pjesës së dytë pësuam edhe disavantazhin, por më pas mendoj se në pah doli karakteri ynë si skuadër dhe mendoj se sot (dje) e vetmja gjë që kishte rëndësi ishte fitorja, tri pikët e para dhe jo mënyra se si do të vinte ajo.

Mendoni se ky mund të jetë një start i ri për ju?

Kur je pjesë e Juventusit duhet t’i fitosh të gjitha ndeshjet, por kur ke dy pikë pas 4 ndeshjesh apo 5 pikë pas 5 ndeshjesh si ne nuk është aspak normale. Gjithsesi, unë mendoj se ndoshta me këtë sukses do të nisë pa dyshim një sezon i ri për ne dhe tani objektivi i radhës është të marrim tri pikët e para edhe përpara tifozërisë sonë.

Ndonëse hasni shumë vështirësi në menaxhimin e avantazhit, sërish duket qartë se skuadra është e bashkuar, duke parë se edhe nga pankina shokët ju karikonin juve që ishit në fushë…

Këtu ka ekzistuar gjithmonë një lidhje e fortë, e cila forcohet edhe më tepër në momentet e vështira. Këtu nuk ka rëndësi nëse luan apo je në stol, por është thjesht një moment i vështirë, shumë shpesh edhe një fat i keq. Ndaj shpresoj që me këtë fitore t’i kemi dhënë një shqelm edhe fatit të keq, pasi në çdo gjuajtje që kemi marrë në portë kemi pësuar, madje të dy golat me Specian u lehtësuan edhe nga devijimet tona. Problemi ynë mendoj se nuk kemi vazhdimësi në vrullin e lojës gjatë të gjithë minutazhit. Kjo është ajo që duhet të korrigjojmë, pasi cilësi kemi dhe ndoshta me disa fitore radhazi mund ta gjejmë edhe atë qetësi që na nevojitet për të luajtur më mirë.

Jeni kritikuar shumë së fundmi, por Alegri ju ka mbrojtur gjithmonë, edhe pse për një si ju, me këto shpatulla të gjera duket sikur nuk keni nevojë. Mendoni se ky mund të jetë sezoni i “shenjtërimit” tuaj?

Që unë kam ende vend për përmirësim është diçka që e pranoj edhe vetë dhe për këtë punoj. Alegri më qëndron pranë jo vetëm mua, por edhe pjesës tjetër të skuadrës dhe këtë marrje përsipër të kritikave që trajneri merr shpesh mbi vete, edhe pse në fund jemi ne lojtarët fajtorë është diçka që duam dhe do ta shpërblejmë në vazhdim.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"