Alegri feston 50-vjetorin: Më dhuroni finalen e Kievit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2017 | 18:38

Alegri feston 50-vjetorin: Më dhuroni finalen e Kievit

Pesëdhjetë vite dhe rrudhat e para që po dalin në fytyrën e trajnerit nga Livorno e tashmë bëhen më të theksuara. Faji është i Kardifit, sepse të arrish atje është e bukur, por aspak relaksuese. Dhe nëse nuk kthehesh në shtëpi me trofeun, rrudhat nisin të thellohen. Pritshmëritë për sezonin e ri janë të mëdha.

Alegri

Ashtu si torta me 50 qirinj, për të mos thënë më shumë. Masimiliano Alegri ka fiksuar objektivat për vitin që do të nisë së shpejti. Kryesorja është Liga e Kampionëve: “Dua të luaj në Kiev…” ka thënë në një intervistë për shtypin italian trajneri italian. “Cilën nga ndeshjet do doja të luaja, mes asaj të Berlinit, ndeshjen e kthimit kundër Bajernit të Mynihut, apo finales së Kardifit? Do doja të luaja në Kiev…”.

Alegri Juventus

Tekniku që ka arritur tre finale në dy vite, shton: “nuk është një arritje aspak e vogël. Më ka ardhur keq që shumë të tjerë nuk e kanë vlerësuar çka kemi arritur.

Por kini durim, në një të ardhme do e marrin në konsideratë dhe do kujtohen për ato që kanë thënë. Pas disa vitesh do e kuptojnë. Ndoshta finalen e tretë, bashkë me mua, do e fitojmë. Megjithatë, edhe këtë vit do të bëjmë një sezon madhështor.”

NGA SASUOLO TE MILANI E…JUVJA

Në moshën 40-vjeçare emërohet trajner i Sasuolos, në Serinë C1 italiane, pas sezoneve të vështira me Aljanën, Ferrarën dhe Groseton, mes shkarkimesh, kualifikimesh dhe divergjencash të llojeve të ndryshme. Saktësisht dhjetë vite më parë, do të niste ngjitjen e tij në karrierë, ndërsa do të ngjiste Sasuolon në Serinë B.

alegri

Më pas do të vijnë ngjitja me Kaljarin në Serinë A, vendi i 9-të po me ekipin jugor (në vitin e tij të parë në kategorinë superiore), por në sezonin e dytë do të vijë shkarkimi. Historia e Alegrit, megjithatë kishte marrë rrugën e duhur, të kundërtën që kishte bërë si lojtar në fushë, duke u mbyllur gojën të gjithëve.

Dhe këtë e dalloi menjëherë Adriano Galiani i cili, si të papunë, e mori te Milani dhe mori si këmbim titullin kampion në Serinë A, në vitin 2011. Me milanezët do të regjistrojë në vijim një vend të dytë dhe një të tretë e më pas do të shkarkohet nga krerët e “djallit”.

Atë ditë nuk do e kishte menduar kurrë se do të festonte 50- vjetorin si trajneri i skuadrës italiane më të fortë të gjithë kohërave, klubi i rekordeve. Kur të mbushë 60 vjeç, në vitin 2027, ndoshta do të shohë prapa. Për t’i hequr ato rrudha do duhet një “magji”, ndoshta finalja e Kievit. Vetëm atëherë do të jetë gjashtëdhjetëvjeçari më i lumtur në botë.

FINALJA NË KARDIF

Komenti i parë gjatë intervistës, i shkon sigurisht finales së Ligës së Kampionëve: “Kur pashë se topi i goditur nga Mandzukiç ka kaluar portierin, mendova, ndoshta kjo është nata jonë. Ishte një lëvizje teknike e mrekullueshme nga Mario, një gol i papërsëritshëm, ajo që i duhet një finaleje.

Alegri finale 2017

Nuk mjafton të jesh i madh, duhet të jesh i jashtëzakonshëm. Ne kishim disa lojtarë madhështorë dhe një skuadër kompakte, të paktën në pjesën e parë. Por Reali kishte shumë të yje. Në pjesën e dytë nuk patëm mjetet e duhura, elementët e duhur për të përballuar takimin. Kishim dy lojtarë që rrinin në këmbë me vështirësi për shkak të dëmtimeve, ndërsa spanjollët luajtën ndeshjen me zgjuarsi dhe qetësi.

Mund të duket e çuditshme, por kam dalë nga fusha në paqe me veten time. Mendova thjesht se nuk ishim skuadra më e mirë dhe këto janë gjëra që ndodhin në futboll, veçanërisht në një ndeshje të vetme nga e cila vendoset një trofe.

Natën pasardhëse, teksa isha në shtëpi me familjen time, i kam bërë vetes pyetjen më të vështirë: a ishte fundi i rrugës sime, a ishte maksimumi që munda t’i jap këtij ekipi?”.

DORËHEQJA

“Një pjesë e imja donte të shkonte të hënën në klub, te drejtuesit dhe të jepte dorëheqjen”. Për t’u dhënë një përgjigje këtyre dyshimeve, Alegri ka zbuluar se ka risjellë në mendjen e tij periudhën kur ishte fëmijë dhe ka menduar për arsyet që kanë shtyrë të bëhej trajner. “Në moshën 14-vjeçare e urreja shkollën. Nuk mendoja se mund të isha një student i mirë, por mendoja se një ditë do të bëhesha drejtor.

Alegri

Ndoshta të gjithë trajnerët e kanë ëndërruar një gjë të tillë. Edhe kur isha një lojtar i ri kam dashur të jap mësim”. Më pas ka kujtuar edhe periudhën kur gjyshi shkonte ta shikonte teksa luante dhe nuk bënte kurrë asnjë koment për ndeshjen, por donte të dinte nëse ishte argëtuar:

“Kërkoj ta kujtoj atë mësim, e shikoj veten si një trajner i ekipit të moshave: adhuroj të jap mësim dhe të përmirësoj lojtarët më të mirë dhe më të zgjuar.”

DIBALA, BUFON DHE “PLAGËT”

Kështu arriti në vendimin për të qëndruar. “U binda se kisha akoma shumë për të treguar. Dhe e di se kam akoma shumë gjëra për t’u më- suar lojtarëve të mi. Kështu, atë natë, përpara se të flija, mendova se nëse klubi do të më mbështeste mua dhe strategjinë time dhe nëse mund të vazhdonim përpara bashkë, do të qëndroja.

Alegri - Dibala

Tashmë na pret një sezon i ri, me mundësi të reja. Shikoj Dibalan dhe Bufonin si simbole të Juventusit: i pari është një djalosh që po fillon vitin e parë të shkollës, tjetri drejt fundit të saj. Njëri do të tregojë se është mes më të mirëve në Europë.

Bufon është një kampion, por do që të largohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Jam i sigurt se do arrijmë t’i fshijmë plagët e Kardifit dhe të zhvillojmë një sezon të madh. Dhe qëndroni të bindur, do të kërkojmë të shkojmë sërish në finale.”

Përgatiti: LEDIO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"